Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita do të jetë në Kuvend për të qenë zëri i qytetarëve, teksa rikujtoi protestën e thirrur nga forca politike që ai drejton më 24 janar.
Gjatë një konference për gazetarët në selinë e PD, Berisha theksoi se sa i përket mundësisë së vijimit të punës në Kuvend për Kodin e ri Zgjedhor dhe reformën territoriale pa praninë e opozitës, përgjigjja më e mirë ndaj kësaj do të jetë protesta e 24 janarit.
“Asnjë përgjigje përveç asaj që do t’i japin shqiptarët më 24 janar. Ata kanë aneksuar parlamentin dhe qytetarët shqiptarë do ta thonë fjalën e tyre. Kjo është përgjigjja ime për ta”, tha Berisha.
I pyetur mbi nisjen e sesionit të ri parlamentar, Berisha theksoi se PD nuk e ka bojkotuar Kuvendin.
“Ne nuk kemi bojkotuar parlamentin. Do të jemi aty për të qenë zëri i qytetarëve”, u shpreh Berisha.

