Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se në programin e PD një tjetër shtyllë kryesore do të jetë edhe auditimi i “tipit Elon Musk, në mënyrë që t’u kthehen paratë shqiptarëve”.
“Libri i Zi paraqet para shqiptarëve potencialet e mëdha që ekzistojnë për PD-në, domosdoshmërinë e një auditi të tipit Elon Musk në mënyrë që t’u kthehen paratë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Dhe unë ju garantoj se kjo do ndodhë. Ndaj dhe në programin tonë, shtyllë kryesore krahas paketës së dhembshurisë, krahas Made in Albania, krahas Shqipërisë Madhështore, kemi përcaktuar pastrimin e shtëpisë tonë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se ne “do rendim pas çdo qindarke të vjedhur qytetarëve shqiptarë dhe do ua kthejmë atyre. Të gjitha pasuritë e vendosura mbi paratë e vjedhura do t’u kthehen atyre”.
Kryedemokrati nënvizoi po ashtu gjatë fjalës së tij se do të bëjë një reformë të sistemit të drejtësisë me ndihmën e Komisionit të Venecias dhe aleatëve. Sipas Berishës drejtësia politike shqiptare përbën rrezikun më madhor për të sotmen dhe të ardhmen e kombit.
“Shqipëria nuk mund të jetë kurrë vendi i shtetit ligjor, nuk mund të jetë kurrë vend i besueshëm për qytetarët e saj dhe investitorët pa një drejtësi që funksionon mbi parimet ndërkombëtare të sistemit të drejtësisë, pa një drejtësi të pavarur, pa një drejtësi të varur në ligj, të varur në Kushtetutë”, tha Berisha.
“Ne nuk humbasim besimin tonë tek Komisioni i Venecias. Jo! As edhe tek institucionet evropiane dhe amerikane. Por reformën e drejtësisë e bënë ata që shkruajtën Kushtetutën e vitit 1974. Janë sorosianët më të thekur të rajonit dhe Tiranës”, u shpreh Berisha.