Agjencia Zhurnal.mk

Berisha sulmon Ramën për minishengenin: Vuçiç erdhi në Tiranë si në një vend vasal

Tiranë, 2 janar – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, tha se Mini Shengeni Ballkanik, i cili po mbahet aktiv nga treshja Vuçiç-Zaev-Rama, nuk është asgjë tjetër përveçse një projekt i Jugosllavisë së re, apo siç e quan ndryshe Berisha, Serbomadhia. Vizitën e Vuçiçit në Shqipëri, Berisha e quan poshtërim të kombit shqiptarë, duke thënë se ai de fakto erdhi në Tiranë si në një vend vasal.

Z. Berisha, cili është mendimi juaj për të ashtuquajturin Mini-Shengen Ballkanik dhe kush mendoni se është koordinatori i kësaj nisme?

Ajo që me emër maskë po thirret Mini-Shengeni Ballkanik, nuk është gjë tjetër vetëm Jugosllavia e Re apo Serbomadhia, d.m.th Serbia me dy vasalet e saj: Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilës mund ose jo t’i shtohet në të ardhmen edhe Mali i Zi.

Projekti i Serbomadhisë, i sanksionuar me ligj në Traktatin famëzi prej 718 nenesh të Novisadit, u përgatit, siç deklaron vetë presidenti i Serbisë Vuçiç, për muaj të tërë në Beograd. Ky projekt, i sanksionuar tashmë në Traktat të firmosur nga Vuçiç dhe veglat e tij Edvin Kristaq Tradhtari dhe Zaev, bazohet në idenë e vjetër të hegjemonisë serbe në Ballkan, ide mbi të cilën u themelua dhe mori jetë dekadat e para të shekullit të kaluar Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene dhe më pas Federata më artificiale e planetit, e themeluar nga Tito në Jajcë me 6 republika dhe dy krahina autonome, njëra prej tyre Kosova, te përfshira ne Republikën e Serbisë.

Në fakt pas përfundimit të luftës, Enver Hoxha përgatiti së bashku me Titon të gjithë kuadrin ligjor për të përfshirë edhe Shqipërinë si republikë të 7 të Federatës të Jugosllavisë .

Sigurisht kontekste historike të këtyre zhvillimeve janë të pakrahasueshme, por disa gjëra mbeten në të gjitha variantet të pandryshuara.

Së pari, të gjitha këto entitete politike-gjeografike, pavarësisht se është quajtur mbretëri, federatë apo së fundi Jugosllavi e Re, me emër maske Shengeni Balkanik kanë pasur si qëllim më madhor vendosjen e hegjemonisë të Serbisë në Ballkan. Historia nuk duhet injoruar.

Së dyti, këto entitete dhe ideja e stabilizimit të Ballkanit duke vendosur hegjemoninë e Serbisë në rajon, në mënyrë të përsëritur janë dëshmuar konflikt ndjellëse, të paqëndrueshme dhe me pasoja katastrofale. Ballkani mund të stabilizohet vetëm si rajon i shteteve të lira të barabarta e sovrane!

Së treti, e vërteta është se Vuçiç sot, nuk e ftoi Kosovën në Novisad, pra veproj njëlloj si Tito Rankoviç që në Jajcë, nuk ftuan Kosovën, por e përjashtuan atë si njësi përbërëse të projektit të Federatës Jugosllave dhe e lanë atë si territor të Serbisë. Po kështu, sikundër Enver Hoxha miratoi qëndrimin e padronit te tij Tito ndaj Kosovës në Jajcë, edhe Zografi Bis ra plotësisht dakord me padronin e tij Vuçiç për qëndrimin e tij në Novisad, por tashmë ndaj shtetit të pavarur të Kosovës.

Nga Novisadi, siç dihet, doli dhe harta në të cilën Kosova paraqitej pjesë e Serbisë. Këtë hartë, me urdhër të padronit të tij, argati i Beogradit në Tiranë e vendosi si “rastësisht” dhe e shpërndau me rrjetet e tij televizive sociale gjer dhe tek tekstet shkollore.

Pas firmosjes së Traktatit të Novisad, Vuçiç, padroni i nismës së krijimit të Serbomadhisë, urdhëroi vasalët e tij në Tiranë dhe Shkup dhe në një rast të pashembullt në historinë e rajonit dhe më gjerë, rrufeshëm ia doli të organizoje në më pak se tre muaj tre samite, përveç atij të Novisad, edhe dy të tjera në Ohër dhe Tiranë.

Në këtë kuadër, ishte fat i mirë që për shkak të ndryshimeve politike në Kosove argati i Prishtinës, Miladini shqipfolës, pa mëdyshje njohur me çdo detaj të traktatit të kapitullimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duket dhe me miratim të padronit të tij Vuçiç, nuk guxoi të ndjekë haptas vallen e serbomadhisë në Shkup dhe Tiranë.

Por në qoftë se shqiptarët në tërësi dhe Kosova në veçanti ishin parashikuar si kurbani kryesor i Traktatit antishqiptar të Novisadit, përsëri Kosova dhe kombi kanë shansin historik të jenë varrmihësit e fantazmës të Serbisë së Madhe dhe t’i bëjnë asaj atë që i kanë bërë më parë si dhe tani së fundi dhe në Samitin e Berlinit. Përpjekjet e Serbomadhit Vuçiç, të argatëve të tij në Tiranë, Prishtinë, Shkup duhet të përballen me rezistencën mbarëshqiptare. Qytetarët në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të ndërgjegjësohen se jo me pak albanofob dhe të rrezikshëm për kombin shqiptarë se sa Vuçiç janë argatët e tij lakej në Tiranë dhe Prishtinë. Shqiptarët kudo që janë në trojet e tyre apo në botë nuk mund të pranojnë kurrë cenimin e interesit jetik të Kosovës. Interesi kombëtar për ta është një dhe i pandarë. Prandaj dhe sot që ‘Hannibal ante portam’, ata duhet të ngrihen fuqishëm në mbrojtje të interesit të tyre kombëtar dhe t’iu rezervojnë sa më parë në Tiranë dhe Prishtinë fundin që kombet e qytetëruar iu kanë rezervuar tradhtarëve të kombit të cilët aktualisht mbajnë në zyrat e tyre fantazmën e Serbisë së Madhe me emrin maskë Mini-Shengen.

Udhëheqja politike e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi duhet të kenë të qartë se shqiptarët mbështeten në përputhje me ligjin ndërkombëtar pavarësimin e këtyre vendeve në radhë të parë për të dalë nga zgjedha e serbomadhisë dhe se çdo përpjekje për t’i rikthyer ata nën sundimin e ri të Beogradit nuk do pranohet kurrë prej tyre. Shqiptarët në këto vende për lirinë dhe pavarësinë Kosovës kanë derdh gjak. Ata kanë pranuar edhe zgjidhje që për ata mund të ishin ndryshe kanë gjithnjë një rol historik për të luajtur në bllokimin e mbështetjes së qeverive të tyre që po dorëzojnë de facto në Beograd duke prishur të gjithë ekuilibrat rajonalë, sovranitetin e vendeve të tyre duke harruar se kjo përbën një shkelmim flagrant të interesave jetike të shqiptarëve.

Përveç këtyre, krijimi i Jugosllavisë së Re me emrin maskë Mini-Shengen ka një pasojë tjetër katastrofale për kombin shqiptar. Ajo shënon vendosjen përfundimtare të rajonit nën ombrellën dhe zonën e influencës së Rusisë. Aleksandër Vuçiç është presidenti më pro-rus i Serbisë i 75 viteve të fundit. Ai këtë jo vetëm nuk e fsheh, por ndjehet krenar pafundësisht me rusofilinë e tij gjenetike. Ai, paralel me projektin e Jugosllavisë së re dhe Traktatin e Novisadit, ka firmosur muajt e fundit Traktatin e Bashkëpunimit Politik dhe Ekonomik me Rusinë, të cilin e kanë firmosur edhe disa nga republikat ish sovjetike. Pra de facto, në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të mëparshme rajoni i Jugosllavisë së Re shndërrohet pas kësaj në hapësirë ekonomike dhe politike të Rusisë dhe sateliteve të saj.

Por pas firmosjes së Traktatit të bashkëpunimit Politik dhe Ekonomik, Serbia e Vuçiç njëlloj si republikat ish-sovjetike firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me vëllain e madh dhe instaloi në afërsi të Beogradit raketat ruse SS400, me të cilat Serbia apo Rusia e Vogël futet në ombrellën e mbrojtjes raketore ruse.

Këto raketa përbejnë një kërcënim serioz për rajonin dhe krahun juglindor të NATO-së. E parë në këtë kontekst, dështimi i Jugosllavisë së Re është jetike për mbrojtjen e orientimit dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe mision historik i tij për të bllokuar përpjekjet e Rusisë për të shndërruar rajonin në zonë të saj të influencës.

Lidhur me koordinatorin e fundit të projektit të Serbomadhisë, mediat kane botuar dokumente të cilat faktojnë se kryespekullanti i botës George Soros me fondacionin e tij është këmbë e krye i përfshirë në këtë projekt direkt dhe si back channel në ndihmë të Beogradit.

Soros ka dëshmuar një serbofili të papërmbajtur prandaj dhe fondacionin e tij ai e ka vendosur këto vite kryekëput në shërbim të serbomadhisë dhe e mbështet me të gjitha mjetet çdo projekt në funksion të saj. George Soros nuk është babai i Serbomadhisë, por ai me fuqinë e tij korruptuese është një rrezik real për rajonin dhe stabilitetin e tij.

Si e vlerësoni mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit?

Për sa i përket mospjesëmarrjes së Kosovës në këtë, projekt mendoj se ka dy anë: E para Vuçiç me qëllim nuk ftoi Kosovën në Novisad. Në Novisad, Traktatin e firmosi vetëm Vuçiç dhe Zografi bis. Kosova nuk u ftua në Novisad pasi Vuçiç me aprovimin e plotë të Edvinit me këtë akt e konsideroi atë pjesë të Serbisë. Për këtë çështje ka hedhur dritë zëvendësministri i mbrojtjes së Serbisë në një takim në Bukuresht. Sipas burimeve të oficereve të shtabit të përgjithshëm të Shqipërisë, ‘Kosova në Novisad nuk u ftua’,- do t’i thoshte në takimin e SEDM-It në Bukuresht, zëvendësi i Vulin, zëvendësministrit të mbrojtjes së Shqipërisë Petro Koçi me dakordsinë e plotë të Vuçiq me Edvin Kristaq Zografin.

Së dyti, mungesa e Kosovës në Novisad ngjalli reagime dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Prandaj Vuçiç për të maskuar sadopak këtë qëndrim të tij albanofob u detyrua ta ftojë Kosovën në Ohër. Por natyrisht Kosova e përjashtuar me qëllim ogurzi nga Vuçiç dhe Rama në Novisad nuk kishte pse t’i bashkohej valles së tyre të Jugosllavisë së Re, projekti i të cilës ka si qëllim dominimin e rajonit nga Serbia, zhvlerësimin e faktorit shqiptarë, i cili de facto është dhe faktori më i fuqishëm i tij, defaktorizimin dhe izolimin e Kosovës dhe rolit të saj kyç në rajon.

Cili është mendimi juaj për vizitën e Vuçiç në Shqipëri?

Vizita e një kryetari të një shteti të rajonit është e mirëpritur, por kjo vizitë e Vuçiç në Tiranë nuk ishte dhe nuk mund të ishte e mirëpritur. Ajo vizitë ishte një poshtërim për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Ai de facto erdhi në Tiranë si në një vend vasal. Kjo së pari sepse Vuçiç erdhi në Tiranë duke sjellë me vete fantazmën e Serbisë së Madhe. Së dyti, atyre që mund t’ju duket i rëndë ky vlerësim, i ftoj të shtrojnë vetëm një pyetje: Cili shtetar i ndonjë vendi të lirë dhe të pavarur, cili shqiptar që e njeh vetën të tillë, cili njeri i qytetëruar mund të imagjinojë të shtrohet tapeti i kuq në kryeqendrën e vendit për njeriun që vetëm pak ditë më parë me cinizëm ekstrem dhe albanofobi kongenitale të papërmbajtur mohon masakrat, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit që kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi dhe regjimi i tij kanë bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë? Për këtë ai është një kriminel që ndëshkohet nga ligji ndërkombëtar. Atë mund të presë vetëm një vasal i tij, njeri apatrid antishqiptar si Edvini që nuk njeh ligj as dhe moral, që nuk ka për gjë gjakun dhe jetën e shqiptarëve. Por jo vetëm kaq! Në vizitën e tij poshtëruese për Shqipërinë, Padroni Vuçiç do të detyronte vasalin Zografi Bis që të shndërrohej në krah të tij në një altoparlant koprolalik, sharës i pafytyrë i një pjesë të udhëheqjes politike të Kosovës dhe kjo vetëm e vetëm se ajo iu përplasi në surrat Hartat e Serbisë se Madhe dhe Traktatin e Novisadit gangsterëve Vuçiq e Zografi Bis.

Unë kam qenë dhe jam për bashkëpunim rajonal si dhe për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por të gjitha këto mbi bazën e marrëdhënieve midis shteteve të lira të pavarura dhe sovrane.

Franca e pasluftës nuk u ul në tavolinë me Gjermaninë e Gebelsit as dhe të Hitlerit, po u ul me Gjermaninë e Adenauerit që nuk mbronte gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, holokaustin e nazistëve kunder hebrejve, por i dënonte ato me ashpërsinë më të madhe, madje jo vetëm si udhëheqje, por edhe si shoqëri dhe vazhdon t’i dënojë edhe sot e kësaj dite.

Kurse padroni i Edvin Kristaq Tradhtarit, Aleksandër Vuçiç ka qenë ministri i propagandës së Kasapit te Ballkanit Millosheviç, ai është autori famezi i deklaratës se për një serb të vrare duhet të vriten 100 shqiptarë dhe i nismës kriminale “një shtëpi për Mlladon”, me te cilën iu bënte thirrje serbëve që t’i ofronin një strehim të fshehtë, vrimë miu heroit të tij, kasapit të Srebenices, Ratko Mlladiç, i cili qëndronte në klandestinitet në kohën kur e kërkonte Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për gjenocidin e kryer në Srebenicë.

Të serviresh dhe të krahasosh pajtimin franko-gjerman me situatën e sotme midis Kosovës dhe Serbisë siç bën argati i Beogradit në Tiranë, është njëlloj si të krahasosh Millosheviçin me Adenauerin. Me këto qëndrime ky tradhtar dëshmon se për karrigen dhe pushtetin e tij ai është i aftë të bëjë çdo gjë, të tradhtojë çdo parim çdo interes kombetar, të firmosë gjithçka gjer dhe të shkelmojë mbi gjakun e dhjetëra mijëra martirëve dhe viktimave të shqiptarëve të Kosovës.

Me këtë rast pyes çdo njeri qe ndjehet sado pak patriot: a nuk janë këto qëndrime akte tradhtie të lartë kombëtare?

Cili është mendimi juaj për taksën rrugore të vendosur nga pushteti në Shqipëri?

Taksa është dëshmi e urrejtjes të Edvin Kristaq Ramës kundër Veriut dhe Kosovës. Në opozitë, ai për dështimin e ndërtimit të rrugës, mobilizoi Partinë Socialiste kundër ndërtimit të saj, nxori teorinë e “rruga e asgjëkundit”, dërgoi grupin parlamentar për të filluar grevën e urisë në Tunelin e Kalimashit për të bllokuar ndërtimin e tij. Ai pasi dështoi me çdo përpjekje, pasi erdhi në pushtet vendosi si hakmarrje patologjike taksën e rrugës. Sot shqiptarët vijnë nga Kakavija, Gjirokastra në Tiranë duke mos paguar në 300 km superstradë dhe autostradë asnjë qindarkë, ndërkohë që banoret e qarkut më të varfër të Evropës, atij të Kukësit dhe qytetarët e Kosovës paguajnë për udhëtimin në Rrugën e Kombit taksën më të lartë në rajon dhe Evropë. Ata paguajnë pesë herë më shtrenjtë se sa qytetarët e Konfederatës Helvetike që kanë pagën mesatare 10 herë më të madhe se shqiptarët. Shtoj këtu se sipas specialisteve, Shqipëria përfitonte pas ndërtimit çdo vit nga kjo rrugë rreth 320 milionë euro në vit nga Kosova, qytetarët e saj. Partia Demokratike në pushtet ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se taksa antikombëtare diskriminuese e Rrugës së Kombit do të hiqet muajin e parë të qeverisjes së saj.

A mendoni se ideja e shkëmbimit të territoreve të Kosovës ka vdekur?

Nuk mendoj se ideja e shkëmbimit te territoreve ka vdekur. Në vlerësimin tim ajo do mbetet për sa kohë të mbetet në Beograd dhe rajon fantazma e Serbisë së Madhe dhe në Tiranë dhe Prishtinë të jenë në pushtet argatët e Beogradit, shqiptarë apatridë, që për shkak të dosjeve apo genit antishqiptar zbatojnë urdhrat e Beogradit dhe mbajnë flamurin e serbomadhisë.

A do të ketë sërish protesta kundër qeverisë Rama?

Edvin Kristaq Zografi largohet nga pushteti vetëm me protesta. Mendoj se çdo ditë që opozita dhe shqiptarët nuk janë në protestë, është ditë e humbur për ta. Fati i Moralesit të Bolivisë, paketimi i tij në Beograd siç paketuan kreun e tyre te Meduzës bolivianët, duhet të presë Edvin Kristaq Zografin një ditë e më parë!

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...