Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” në kuadër të dosjes “Partizani”.
Pas daljes nga SPAK, Berisha në një deklaratë për mediet akuzoi qeverinë dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë për ndërhyrje dhe presion politik.
Ai pretendoi se në godinën e SPAK po zhvillohej një takim i brendshëm dhe se, sipas tij, drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kishin marrë udhëzime të reja.
“Po të kërkonit të futeshit në atë ndërtesë, nuk do t’ju lejonin, sepse po zhvillohej një takim shumë i veçantë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se, sipas tij, kishte pasur vendime të lidhura me pajisjen e agjentëve të BKH-së me armë.
“Do të çarmatosen që të gjithë agjentët e BKH dhe do armatosen me patllake dërrase”, tha Berisha.
Në vijim, Berisha komentoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pezullimin e vendimit të GJKKO për Ballukun, duke deklaruar se ky vendim, sipas tij, ka kufizuar mundësitë për hetimin e ministrave.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra,” tha ai, duke e cilësuar vendimin si të gabuar dhe me pasoja për funksionimin e shtetit ligjor.
Berisha deklaroi se ky zhvillim, sipas tij, “i ka dhënë zemër kryeministrit Edi Rama” dhe se reagimi qytetar do të vijojë përmes protestës së paralajmëruar më 22 dhjetor.
Gjithashtu, kreu i PD-së bëri të ditur se kishte lënë një shënim në ambientet e SPAK, duke theksuar bindjen e tij se “drejtësia një ditë do të shprehet për veprime që ai i konsideron të paligjshme”.
“Dumani kishte marrë prokurë nga Irena Gjoka për të vazhduar avokatinë e saj. Shënimi që i lashë është kujtesë se për veprat e tij të rënda penale, drejtësia një ditë do thotë fjalën e saj”, përfundoi Berisha.

