Kosovë

Bërnabiq: Uashingtoni tregoi efikasitet më të madh se Brukseli

Zhurnal Ads

“Kanë qenë dy ditë historike”, tha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, teksa komentoi nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, të premten në Uashington.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Hoti dhe Vuçiq zhvilluan bisedime edhe të enjten, me ndërmjetësimin e këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brien, dhe të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

“Mendoj se delegacioni ynë kthehet me rezultat të madh dhe të rëndësishëm për Serbinë dhe serbët në Kosovë, por edhe për gjithë rajonin”, tha Bërnabiq për televizionin serb Pink.

Ajo tha se administrata në Uashington ka treguar efikasitet më të madh se Brukseli dhe se ka qenë e përqendruar në rezultate dhe projekte konkrete.

Kjo, sipas saj, është një uverturë e mirë përpara takimit që pritet të mbahet në Bruksel më 7 shtator.

Bërnabiq shtoi se është mirë që Brukseli dhe Uashingtoni punojnë së bashku, edhe nëse ekziston rivalitet mes tyre.

“Gjithçka që po bën Uashingtoni po e shpejton disi dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Unë mendoj se kjo shkon në avantazh të BE-së”, tha Bërnabiq.

Me marrëveshjen e nënshkruar, Kosova ka rënë dakord që të vendosë moratorium njëvjeçar mbi kërkesën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të vendosë moratorium po ashtu njëvjeçar mbi fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Marrëveshja përfshin edhe njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit dhe zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem.

Hoti dhe Vuçiq do të takohen edhe të hënën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Postime të ngjashme

Fillon seanca e Kuvendit të Kosovës me një orë vonesë

D XH

Aksion në Mitrovicë të Veriut për konfiskimin e barnave pa banderolë

D XH

Përplasje në komision mes Zemajt dhe deputeti të VV-së, ministri lëshon mbledhjen

S.B.
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...