Java e 9-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet këtë të shtunë, pasi grumbullimi i përfaqësueses për ndeshjet e Ligës së Kombeve fillon menjëherë pas saj. Ekipet janë të mobilizuara për të luftuar për pikët që janë mjaft të vlefshme në këtë fazë, dhe që do të ndikojnë në pozicionet e tyre në renditje, njofton Telegrafi.
Edhe kjo javë, do të sjellë ndeshje mjaft interesante, me ekipe të cilat kërkojnë pikë që kanë shumë vlerë, si për të mbetur në kreun e renditjes, si për të ikur nga zona e rrezikut. Java e nëntë na sjell derbin e radhës shqiptar, ku ekipi i Gostivarit do të jetë nikoqir i Besës. Dy ekipet kanë një ecuri të mirë në ndeshjet e fundit, me Gostivarin që është favorit, por Besa ka dëshmuar se po e merr veten në kampionat dhe mundet të befasojë edhe favoritët.
Ndërkohë, Struga do të luajë si mysafire kundër Vardarit në Shkup. Ekipi i Qatip Osmanit është favorit, ndërsa Vardari është në një periudhë të dobët, duke humbur dy ndeshjet e fundit. Ky është një moment i mirë për Strugën për të rikuperuar pikë.
Voska Sporti nga Ohri mban fundin e tabelës me vetëm 5 pikë të grumbulluara, ndërsa këtë javë do të ketë përballë ekipin që deri më tani nuk ka shijuar disfatën Rabotniçkin nga Shkupi. Statistikat e favorizojnë ekipin nga Shkupi që ka pranuar më pak gola në këtë fazë të kampionatit, ndërsa nga ana tjetër Voska ka pranuar më shumë gola deri më tani. Sigurisht se pikët vlejnë shumë për të dy ekipet dhe pritet të zhvillohet një ndeshje mjaft e luftuar deri në minutat e fundit.
Ndeshjet e javës së 9-të (e shtunë, 05.10.2024, ora 14:00): Gostivari – Besa, Shkupi – AP Brera, Sileksi – Shkëndija, Vardari – Struga, Voska Sport – Rabotniçki dhe Pelisteri – Tikveshi.