Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Biden pritet të emërojë Lloyd Austin si shef të Pentagonit

Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të emërojë gjeneralin në pension, Lloyd J. Austin si sekretarin e tij të mbrojtjes, sipas personave me njohuri mbi këtë vendim.

Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Austin do të jetë afrikano-amerikani i parë që udhëheq Pentagonin.

Zoti Biden e zgjodhi gjeneralin me katër yje ndër disa kandidatë, ndër të cilët edhe Michele Flournoy, ish-zyrtare e lartë në Pentagon dhe përkrahëse e presidentit të zgjedhur.

Zoti Biden kishte “peshuar” ndër të tjerë edhe kandidaturën e Jeh Johnson, ish-këshilltar ligjor në Pentagon dhe ish-sekretar për sigurinë kombëtare.

Katër persona të afërt me ekipin e zotit Biden e konfirmuan për agjencinë e lajmeve Associated Press se zoti Austin pritet të emërohet si shef i ardhshëm i Pentagonit, por pa pranuar të identifikohen publikisht pasi emërimi nuk është njoftuar ende zyrtarisht.

Sipas mediave, 67-vjeçari Austin pritet të hasë në rezistencë gjatë procesit të konfirmimit në Senat për arsye të karrierës së mëparshme si ushtarak.

Shumë në Uashington këmbëngulin për një ndarje të qartë mes udhëheqjes civile dhe asaj ushtarake të Departamentit të Mbrojtjes.

Megjithëse shumë shefa të mëparshëm të Pentagonit kanë shërbyer edhe në ushtri për pak kohë, vetëm dy prej tyre – George C. Marshall dhe James Mattis —kanë qenë ushtarakë karriere.

Ashtu si zoti Mattis, Gjenerali Austin duhet të marrë miratim nga Kongresi për të shërbyer si shef i Pentagonit.

Kjo bëhet për të ruajtur karakterin civil të udhëheqjes së Departamentit të Mbrojtjes.

Zoti Austin u diplomua nga Akademia Ushtarake Westpoint në 1975 dhe ka shërbyer si ushtarak për 41 vjet.

Presidenti i zgjedhur Biden e ka njohur gjeneralin që në periudhën kur udhëhiqte trupat amerikane dhe të koalicionit në Irak dhe zoti Biden ishte nënpresident.

Zoti Austin shërbeu në 2012 si i pari afrikano-amerikan që bëhej zëvendës shef i shtabit të ushtrisë.

Një vit më pas, ai u vu në krye të Komandës Qendrore Amerikane ku filloi të hartonte dhe zbatonte strategjinë ushtarake amerikane për të sprapsur ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Zoti Austin doli në pension në 2016, por duhet që Kongresi t’i japë leje atij për të marrë në dorë drejtimin e Pentagonit, pasi nuk kanë kaluar ende shtatë vjet që kur ai la uniformën ushtarake.

Një leje e tillë u dha edhe në rastin e zotit Mattis, gjeneral i marinës në pension, i cili u emërua nga Presidenti Trump si shef i Pentagonit. /VOA/

Postime të ngjashme

65 palesinezë dhe gjashtë izraelitë të vdekur nga konflikti katër ditorë në Gaza

N E

Në 24 orët e fundit Meksika ka regjistruar 267 viktima nga Kovid-19

N E

Spanja pret rreth 45 milionë turistë të huaj këtë vit

N E

Lehtësohen masat kufizuese, Greqi do të lejohen dasmat dhe pagëzimet, por me disa rregulla specifike

N E

Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi takimin urgjent për situatën në Jerusalem

N E

Bullgaria me qeveri tranzitore deri në zgjedhjet e parakohshme në korrik

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...