MemeCoin Melania Trump ka pësuar dështim total dhe sot ka rënë nën pragun e një dollarit për herë të parë që nga prezantimi i tij.
Në momentin kur është shkruar ky artikull, ai po tregtohet me çmimin rreth 99 cent, që përfaqëson një rënie prej mbi 93 përqind nga vlera rekord prej 13.73 dollarë për kriptomonedhë.
Analistët financiarë dhe të kriptomonedhave e cilësojnë këtë si një nga kolapset më dramatike të kriptomonedhave këtë vit, çka ka sjellë akuza ndaj presidentit amerikan, Donald Trump dhe gruas së tij për manipulim të tregut, tregti nga brenda dhe lidhje me kriptomonedha të tjera kontroverse.
Një ditë para inaugurimit të Trump si president, më 19 janar të këtij viti, Melania Trump prezantoi një kriptomonedhë me emrin $MELANIA në blockchain-in Solana, raportojnë mediat.
Analistët e blockchainit identifikuan disa probleme në lidhje me memecoin-in e Melanisë menjëherë pas prezantimit. Për të shmangur terminologjinë komplekse financiare që përdoret në tregtimin e kriptomonedhave, token-i $Melania mund të përshkruhet më mirë si karta koleksionuese në edicion të kufizuar.
Në momentin e prezantimit, për blerje ishin të disponueshme rreth 200 milionë karta, por brenda disa ditësh ky numër u dyfishua në rreth 537 milionë. Përkthyer, kjo është si të zbuloni që një kartë koleksionuese e rrallë që keni blerë, në fakt nuk është aq e rrallë, pasi krijuesi ka krijuar më shumë prej saj.
Në kundërshtim me kriptomonedhat tradicionale si Bitcoin, të cilat kanë për qëllim të shërbejnë si para digjitale ose për qëllime të tjera funksionale, memecoin-et zakonisht krijohen si shaka ose trende online pa ndonjë përdorim të vërtetë në botën reale.
Ato zakonisht lindin nga meme-t online, trende virale ose figura të njohura dhe nuk kanë qëllim të sjellin teknologji inovative ose të zgjidhin probleme specifike. Shpesh kanë emra humoristikë dhe paraqesin një segment shumë të paparashikueshëm të tregut të kriptomonedhave.
“Memecoin-et në të vërtetë janë tokena digjitalë të krijuar për argëtim ose spekulim, e jo për të zgjidhur ndonjë problem të vërtetë”, tha Nigel Green, CEO i kompanisë këshilluese deVere Group.