Shkup, 26 mars – Një ekip nga Aleanca e NATO-s i kryesuar nga eksperti i lartë politik dhe raportues për shtetin tonë, Stjuart Endrjus sot dhe nesër do të marrë pjesë në bisedimet dypalëshe për mbrojtje me Aleancën. Bisedimet, siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, i dedikohen planeve për zhvillimin e atësive mbrojtëse konform objektivave kapaciteteve të NATO-s, duke përfshirë planet e mbrojtjes, financat dhe burimet njerëzore në mbrojtje.
Ekipi i ekspertëve nga Ministria e Mbrojtjes, i udhëhequr nga sekretarja shtetërore Elizabeta Çupovska Ristova, do të informojë për ndarjen e barrës, e cila përfshin investimet në mbrojtje.
Ministria rikujton se në përputhje me përkushtimin për investim në mbrojtje, të miratuar në Samitin e Vilniusit në vitin 2023, dhe të riafirmuar në Samitin e Uashingtonit vitin e kaluar, vendi ndan 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtje, ose 329 milionë euro, nga të cilat mbi 32 për qind janë të destinuara për pajisjen dhe modernizimin e Armatës së RMV-së.
“Angazhimi i Ministrisë dhe shtetit për reforma të vazhdueshme dhe zhvillim të kapaciteteve mbrojtëse në shërbim të mbrojtjes kombëtare dhe kolektive në NATO do të konfirmohet para ekipit të NATO-s”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Bisedimet dypalëshe të mbrojtjes me Aleancën, shtojnë ata, zhvillohen çdo vit në kuadër të procesit të planifikimit të mbrojtjes së NATO-s. Procesi i zbatimit të reformave të mbrojtjes, planet për zhvillimin e ardhshëm, si dhe niveli i arritur i zhvillimit të aftësive mbrojtëse zhvillohen në më shumë fusha.