Agjencia Zhurnal.mk

Bjellorusia në krizë politike pas zgjedhjeve presidenciale

Bjellorusia po përballet me një prej krizave më të rënda politike që pas periudhës sovjetike. Opozita ka deklaruar se nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve që kanë shpallur fitues me një diferencë të madhe Presidentin Aleksander Lukashenko.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, shpërthyen protesta masive. Opozita thotë se zgjedhjet ishin manipuluar dhe se duhet të fillojnë bisedimet për një transferim paqësor të pushtetit.

“Pa diskutim nuk e njohim rezultatin e zgjedhjeve,” tha Svetlana Tikhanouskaya, ish mësuese e anglishtes, e cila hyri në garë pas arrestimit të të shoqit. “Autoritetet nuk po na dëgjojnë. Ata duhet të mendohen për të gjetur një rrugë paqësore për transferimin e pushtetit,” tha zonja Tikhanouskaya.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për zgjedhjet në Bjellorusi dhe i kërkon qeverisë të përmbahet nga përdorimi i forcës. Komentet u bënë nga zëdhënësja Kayleigh McEnany në konferencën e shtypit të hënën.

Bashkimi Evropian ngriti një numër shqetësimesh lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të fundit. Zgjedhjet u shoqëruan me “dhunë jo-proporcionale dhe të papranueshme nga shteti kundër protestuesve paqësore,” thanë përfaqësuesit e lartë të BE-së, Oliver Varhelyi dhe Josep Borrel. “Autoritetet bjelloruse duhet të garantojnë të drejtën e grumbullimit paqësor”.

Vëzhguesit e huaj në Bjellorusi nuk kanë deklaruar ndonjë raund zgjedhjesh të lira apo të drejta që nga viti 1995. Para zgjedhjeve, autoritetet burgosën kundërshtarë të Presidentit Lukashenko dhe hapën hetime penale për persona të tjerë që kanë shprehur kritika ndaj regjimit.

Një numër faktorësh luajnë rol në këtë krizë:

Presidenti Aleksander Lukashenko

Aleksander Lukashenko, ish-menaxher i një kooperative bujqësore në kohën e Bashkimit Sovjetik, ka sunduar Bjellorusinë që nga 1994. Udhëheqësi 64-vjeçar e prezanton veten si garantues i stabilitetit, duke thënë se shteti kujdeset për nevojat e 9.5 milionë shtetasve bjellorusë në të njëjtën mënyrë si Bashkimi Sovjetik. Uashingtoni zyrtar e pat cilësuar zotin Lukashenko, diktatorin e fundit të Evropës. Ai është ndeshur me kritika të vazhdueshme nga Perëndimi lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut. Ai i ka hedhur poshtë këto kritika.

Pakënaqësi në Rritje

Stanjacioni ekonomik që vazhdon prej vitesh dhe rezistenca e zotit Lukashenko ndaj thirrjeve për masa kundër COVID-19 kanë ushqyer pakënaqësinë popullore.

Mijëra bjellorusë u grumbulluan në rrugë para zgjedhjeve, duke shprehur revoltim ndaj rezistencës së autoriteteve për të përfshirë dy kandidatë të opozitës në garën presidenciale.

Protestuesit po ashtu u mblodhën në mbështetje të Svetlana Tikhanouskayas, gruaja e një blogeri anti-qeveritar, e cila paraqiti kandidaturë pasi i shoqi u arrestua.

37-vjeçarja Tikhanouskaya ka bashkuar forcat me dy gra të tjera. Fushata e saj mblodhi turmat më të mëdha të përkrahësve të grumbulluar në Bjellorusi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në 1991.

Zgjedhjet Presidenciale

Opozita thotë se zgjedhjet e së dielës u shoqëruan me shkelje. Pas mbylljes së qendrave të votimit, policia bjelloruse përdori pompat e ujit dhe granadat zhurmuese për të larguar protestuesit që shpërthyen në Minsk dhe qytete të tjera. Policia ndaloi rreth 3000 vetë.

Dhjetëra vetë u lënduan, të paktën një protestues gjeti vdekjen, sipas një grupi për të drejtat e njeriut. Autoritetet bjelloruse i hedhin poshtë këto deklarata, duke thënë se nuk ka pasur viktima.

Çfarë pritet në të ardhmen?

Komisioni qendror i zgjedhjeve tha se zoti Lukashenko ka fituar 80% të votës. Opozita i hedh poshtë këto shifra, duke thënë se është gati për protesta afatgjata dhe e hapur për bisedime me autoritetet për të diskutuar një tranzicion paqësor të pushtetit.

Presidenti Lukashenko nuk i është përgjigjur ofertës së opozitës, por ka thënë se nuk do të lejojë revolucion dhe nuk do të largohet nga vendi.

Gjetja e balanceës

Moska është përpjekur të forcojë influencën e saj në Bjellorusi, megjithëse ka pasur tensione në disa raste lidhur me furnizimet me naftë dhe marrëdhëniet dypalëshe. Moska e konsideron Bjellorusinë si një rrugë të rëndësishme tranzit për eksportet e naftës e gazit rus dhe si zonë ndërmjetëse nbrojtëse mes saj dhe NATO-s. Bjellorusia, e cila nuk ka dalje në det, është përpjekur të forcojë lidhjet me Rusinë dhe fqinjët evropianë.

Me rënien e subvencioneve ruse, Minsku po kthen sytë nga Kina.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...