Editorial/ Bllokimi i integrimeve në BE rrezikon paqen në Ballkanin Perëndimor

Shkup, 24 maj – Zhurnal.mk – Duket se Ballkani Perëndimor nuk do të gjejë paqe, pasi integrimi në Bashkimin Europian (BE) që është edhe faktori i cila po e mban të bashkuar dhe po ruan njëlloj stabilitetin në rajon po goditet nga burokracia e Brukselit e cila po zvarrit dhe po bllokon aderimin e këtyre shteteve në Union, shkruan Zhurnal.

 

Duke pasur parasysh të kaluarën e rajonit, integrimi në BE shihet si e vetmja recetë e cila mundet që ta ndihmojë këtë pjesë të Evropës të shpëtojë nga kthetrat e së kaluarës dhe ta integrojë në shoqërinë e popujve në të cilën mbizotron paqja, solidariteti dhe bashkpunimi, dhe jo konflikti i cili për një kohë të gjatë ka dominuar raportet mes popujve të Ballkanit.

Edhe përkundër deklaratave nga ana e zyrtarëve më të lartë të Brukselit se Ballkani ka një rëndësi të veçantë strategjike për të, në terren ata nuk po e tregojnë një gjë të tillë pasi ende nuk kemi një vend të Ballkanit P. i cili është anëtar i plotë i saj apo edhe që është në fazën e fundit të aderimit.

Përplasjet brenda BE-së dhe vendosja e interesave kombëtare të shteteve anëtarë po dominojnë procesin integrues të BP në drejtim të Unionit, të cilët po rezultojnë me impakte të fuqishme negative në të gjithë shtetet e rajonit, pasi si pasojë e kësaj kemi rritje të madhe të euroskepticizmit dhe nacionalizmit në këtë pjesë të kontinentit.

Vendosja e vetos nga ana e Greqisë për një kohë të gjatë bllokoi aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE, kurse tani vetoja Bullgare përsëri po e pengon Shkupin në rrugën e saj integruese, të cilët patën ndikime të fuqishme në stabilitetin e shtetit dhe të tërë rajonit, por të cilët nuk u morën parasysh nga këto vende anëtare, pasi interesi kombëtar ishte më i fuqishëm se siguria e tërë kontinentit.

Vendet e BP ishin “viktimë” e një përplasje të ashpër brenda vet BE-së e cila çoi në vendosjen e vetos nga Franca e që rezultoi me bllokimin e hapjes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën, ku përsëri e ardhmja dhe siguria e këtyre vendeve u sakrifikuar për interesat apo inatet mes shteteve anëtare të unionit, shkruan Zhurnal.

Edhe përkundër përpjekjeve të BE-së, duket se nuk po arrin dot që ta bind Bullgarinë që të heq veton ndaj hapjes së negociatave me Maqedonin e Veriut, e cila po tregon edhe njëherë pafuqinë e Brukselit për të zgjidhur kontestet mes vendeve të kontinentit, dështim i cili do të prodhojë efekte të fuqishme negative të cilët nuk do të kufizoheshin vetëm në Shkup, por do ta përfshinin tërë rajonin.

Një veprim tjetër i BE-së se a duhet të ndahet Maqedonia e Verut nga Shqipëria në procesin integrues apo që ato të shkojnë në bllok është një element tjetër i cili vlersohet nga dy perspektiva të ndryshme, ku njëri thekson se një vend nuk mund të sakrifikohet përshkak të problemeve apo kontesteve që mund të ketë vendi tjetër, dhe qasja tjetër thekson se në këtë moment hapja e negociatave me Tiranën dhe mos hapja me Shkupin do të rriste presionet e brendëshme të këti të fundit të cilat mund të çojnë në përplasje etnike.

Serbia dhe Mali i Zi dy vendet e BP që kanë filluar negociatat me BE për anëtarsim janë ende shumë larg aderimit të plot në këtë union, Kosova dhe Bosnje- Hercegovia ende as nuk kanë filluar këto bisedime që ka ndikuar në përkeqësimin e situatës ashtu të brisht që ka rajoni.

BE-ja ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, proces i cili ka filluar thuajse 10 vite më parë, dhe për gjatë gjithë kësaj periudhe jo që nuk kemi një normalizim të raporteve mes vendeve, por ato janë acaruar edhe më shumë duke bërë edhe më të paqartë të ardhmen e këtyre dy vendeve.

Që nga marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995, BE nuk ka arritur që të prodhojë një zgjidhje për Bosnje dhe Hercegovinën e cila do të sillte stabilitetin e këti vendi i cili vazhdon të vuaj nga ndarjet etnike dhe në vitet e fundit po shënon rritje të nacionalizmit e cila po rrezikon egzistimin e këti shteti.

Të gjitha këto zhvillime dhe dështime të BE-së kanë krijuar ambientin e përshtatshëm për publikimin e dokumenteve apo hartave të cilat synojnë që ta “zgjidhin” të ardhmen e Ballkanit Perëndimorë e të cilat kanë shqetësuar jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE-së, duke e futur në një spirale të rrezikshme të ardhmen e saj.

Për të parandaluar publikinin e “non paper” të tjerë BE urgjentisht duhet që ta zhbllokojë procesin integrues, përndryshme këto ide për ndryshim të kufijve nuk do të mbesin vetëm në letër e të cilat mund të prodhojnë efekte ku ndikimet dhe përmasat e së cilëve vështirë do të ishin të parashikueshme.///Zhurnal.mk

Related posts

Selami u bën thirrje qytetarëve: Hapni derën dhe regjistrohuni!

D V

Jansha për BNR: E kuptoj pozitën e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, por doemos të gjendet kompromis

D V

Simovski: Nuk ka rëndësi nëse regjistruesit janë të vaksinuar

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More