Bojkoti i marketeve, pa asnjë efekt, Qytetarët: Duhet të vazhdojë bojkoti për disa ditë

nga Xh M

Pavarësisht bojkotit të marketeve nga ana e qytetarëve, nuk shihet asnjë efekt në teren, pasi çmimet nuk kanë ndryshuar dhe përsëri çdo gjë është e shtrenjtë. Qytetarët mendojnë se bojkoti duhet të vazhdojë për disa ditë radhazi, që i njëjti të ketë efekt.

“Bojkoti duhet të vazhdojë edhe më tej që çmimet të ulen.”, – tha një qytetare.

“Më herët çmimet ishin shumë të ulëta dhe kishim mundësi të mbushim shtëpitë me ushqim. Tani çmimet janë shumë të larta dhe nuk kemi mundësi as gjërat elementare t’i blejmë. Është shumë me rëndësi që të vazhdojmë t’i bojkotojmë marketet, sepse përndryshe nuk ka efekt nëse vazhdojmë të blejmë.”, – tha një qytetare tjetër.

“Realisht bojkoti nuk kishte fare efekt, pasi ditën e nesërme dolëm dhe e pamë se nuk kishte ndryshim të çmimeve fare, por ishin rritur dyfish. Sigurisht se bojkoti duhet të vazhdojë, sepse nuk kishte efekt, pasi pjesa dërrmuese e qytetarëve kanë blerë nëpër markete dhe dyqanet ishin plot me konsumatorë. Çmimet duhet të ulen pasi pagat nuk na mjaftojnë për mbijetesë apo të vazhdojmë një jetë siç duhet.”, – u shpreh një qytetare.

“Duhet të vazhdohet bojkoti. Personalisht bojkotova ditën e premte, por nuk shoh ndonjë ndryshim. Nuk ka aspak ulje të çmimeve. Besoj se kjo punë kërkon shumë kohë që të zgjidhet, nuk mund të presim që brenda natës çmimet të pësojnë rënie. Por, ne si qytetarë duhet t’u bëjmë shtypje më të madhe autoriteteve dhe bizneseve me bojkot të vazhdueshëm. Në të kundërtën bojkoti njëditor apo dyditor, nuk do të bëjë ndryshime. Pra, është e nevojshme që bojkoti të përsëritet shumë herë.”, – u shpreh një qytetar.

“Atë ditë unë bojkotova, qytetarët nuk janë të kënaqur me këtë standard jetese dhe këto çmime të larta. Nuk mjafton vetëm bojkot njëditor, është e rëndësishme të vazhdojmë të bëjmë presion më të madh.”, – u shpreh një qytetare tjetër.

Iniciativa për bojkot të marketeve ka filluar paraprakisht në vendet e rajonit. Në Kroaci, një nismë e tillë ka pasur shumë efekt, pasi çmimet dukshëm janë ulur.

“Unë jam nga Kroacia, nga qyteti Zadar. Në të gjithë vendin, dyqanet janë të mbyllura, për shkak të bojkotit pasi asnjë njeri nuk merr asgjë nëpër markete. Çdo të premte, ne qytetarët kroat do të vazhdojmë bojkotin derisa të ulet çmimet në minimum. Prej javës së ardhshme është paralajmëruar që bojkoti të mbahet nga e hëna deri të premten, pra çdo ditë pune. Kjo ka dhënë shumë efekt, sepse nëpër shumë dyqane kanë filluar aksionet, me zbritje çmimesh. Atje mishi ka rënë shumë, ndërsa këtu nuk mund të blesh, sepse është tepër shtrenjtë. Pavarësisht se bojkoti në Kroaci ka dhënë shumë rezultate, megjithatë ne do ta vazhdojmë edhe më tej.”, – theksoi një qytetar nga Kroacia.

Në dhjetor të vitit të kaluar, inflacioni vjetor në Kroaci arriti në 4.5 për qind – më i larti në Eurozonë, ku mesatarja e inflacionit është 2.4 për qind. Grupet e konsumatorëve janë ankuar vazhdimisht se në Kroaci çmimet janë rritur vazhdimisht që kur shteti miratoi euron si monedhë të saj në janar të vitit 2023. Por, me iniciativën e bojkotit të marketeve çmimet kanë rënë ndjeshëm, ndërsa në Maqedoni akoma nuk vërehet ndonjë ndryshim në çmimet e produkteve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More