Agjencia Zhurnal.mk.

Bordi i ri i AKP-së vazhdon të marrë paga të majme, Komisioni miraton me vërejtje kredinë shtesë për menaxhimin e pandemisë

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2020, është konfirmuar se bordin i ri i AKP-së ende vazhdon të ketë shpenzime të larta, rreth 20 mijë euro për një mbledhje të bordit.

Derisa ky Komision parlamentar sot ka miratuar më vërejtje Projektligjin për kredi shtesë prej 15 milionë euro për menaxhimin e pandemisë, kredi kjo që u kritikua nga opozita.

Sa i përket pagave në Agjencinë e Privatizimit, kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci ka konfirmuar se Rregullorja për pagesat e anëtarëve të Bordit ende është në fuqi.

Mikullovci duke iu përgjigjur deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti tha se më 27 shtator në mbledhjen e Bordit do të shqyrtohet Rregullorja për pagesat e bordit të AKP-së. Ai tha se ky Bord ka mbajtur deri tash dy mbledhje.

“Kjo çështje është diskutuar dhe vendimi merret në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet më 27 shtator. Pikë shqyrtimi do të jetë kompensimi… Jo nuk ka(strategji), sepse Qeveria e dytë Kurti, ka dërguar një e-mail në të cilën ka vazhduar qëndrimin që duhet me u ndërprit privatizimi respektivisht likuidimi i ndërmarrjeve në AKP”, tha Mikullovci.

Hoti theksoi se derisa vazhdon të jetë në fuqi Rregullorja për kompensimin e anëtarëve të Bordit me paga të larta, shihet se nuk ka pasur bazë urgjenca e Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të AKP-së në qershor.

“Pyetje që me konstatuar një fakt që, urgjenca e ndërrimit të bordit kur është bërë në qershor apo në korrik, nuk ka pasur asnjë bazë, sepse krejt kuvendi është ven në lajthitje sikur bordi paraprak po don me shkua përpara me procedura të privatizimit, ndërkohë që janë në fuqi vendimet e qeverisë që ia ndalojnë bordit ndërmarrjen e procedurave të privatizimit. Edhe një arsyetim që ka qenë shumë i pa vend, që Bordi për një mbledhje merr 15 mijë, e 20 mijë euro, paguhet, ndërkohë që prapë në fuqi është e njëjta Rregullore, dhe anëtarët e bordit paguhen njësoj”, theksoi Hoti.

Gjatë raportimit, drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj theksoi se AKP më 2020 ka shpenzuar rreth 7 milionë euro, prej tyre 5 milionë 348 mijë euro për paga dhe mëditje.

Tolaj duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit, Armend Muja për proceset e arbitrazhit, tha se AKP, ani se këto ditë ka fituar një rast në Arbitrazh, megjithatë në proces gjyqësor ndërkombëtar, AKP mbetet me kompaninë “Sharrcem”.

“Po presim edhe vendin e dytë ose të procesit të dytë të arbitrazhit që është rasti i Sharrcemit, me shpresë që edhe ajo do të jetë vendim në favorin tonë. Minimalisht i kemi shpëtuar buxhetit shuma që janë serioze, sepse arbitrazhet kanë filluar me u bërë shumë të rrezikshme”, theksoi Tolaj.

Ndërsa, në këtë mbledhje nuk u votua raporti financiar për vitin 2020 në AKP pasi nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Në mbledhjen e sotme të këtij Komisioni, ministri i Financave, Hekuran Murati ka arsyetuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit “Projekti emergjent i Kosovës për Covid-19 – financim shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Murati theksoi se kredia shtesë prej 15 milionë euro për meaxhimin e pandemisë Covid-19 kanë për synim mbështetjen për blerjen e vaksinave kundër virusit Covid-19.

“Kjo marrëveshje shtesë kap vlerën totale prej 15 milionë euro dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes origjinale që ka qenë në vlere 46 milionë euro e nënshkruar më 29 qershor të vitit të kaluar. Përmes kësaj marrëveshje, me Bankën Botërore do të mbështetet sektori publik shëndetësor dhe qëllimi kryesor mbetet vazhdimësia e përgjigjes ndaj pandemisë Covid-19 përmes financimit dhe ndihmës ndaj sistemit të shëndetit publik… Sa i përket kushteve të financimit, maturiteti është 30 vjet, pesë prej tyre janë grejs periudhë, norma e interesit është prej 1.25 përqind deri në 2 përqind”, tha Murati.

Kundër kësaj kredie ishte deputeti nga LDK, Avdullah Hoti, i cili e vlerësoi si të paarsyeshme në këtë kohë.

“Tash një vit e gjysmë pasi ka filluar pandemia kur gati dy buxhete janë bërë, ndërkohë qe ne jemi në pandemi, edhe e kemi shumë të qartë situatën, drejt me theksuar nuk e kuptoj shumë arsyeshmërinë pse ne hyjmë në një marrëveshje shtesë(Kredi)financiare për ët financiar çështje që lidhen me menaxhimin e Covid-19. Gjërat tash janë të qarta dhe nuk besoj se ka urgjencë për këtë marrëveshje, por ndoshta një planifikim më I mirë financiar do ta kishte nxjerrë një situatë tjetër”, theksoi Hoti.

Në mbështetje të ministrit Murati për këtë kredi, doli kryetari i Komisionit, Armend Muja.

“Kjo ka ardhur para një muaji, por për shkak të çështjeve teknike dhe financimit shtesë ku ka pasur vështirësi, javën kaluar Ministria Shëndetësisë me shumë urgjencë e ka kërkuar dhe janë në pritje tek procesi i vaksinimit. Arsyetimi i ministrit të Shëndetësisë ishte që kjo na duhet për ta konkluduar krejt vaksinimin e popullsisë”, tha Muaj.

Komisioni në fjalë ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin: “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (Dalëse) IV”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.kp/Telegrafi.

Related posts

Rreth 10 milionë euro të prindërve harxhohen për uniforma, fotografi dhe ushqime

Xh M

Norma bazë e interesit mbetet në nivelin prej 6,30 për qind

D V

Lirohet dizeli, çmimet e benzinës nuk ndryshojnë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy