Borrell në Kiev premton mbështetje të “palëkundur” për Ukrainën

nga Xh M

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka premtuar mbështetje të “palëkundshme” për Ukrainën gjatë një vizite në Kiev të shtunën, disa ditë pasi fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane solli paqartësi rreth përpjekjeve të saj për luftën.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është ta shpreh mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën. Kjo mbështetje mbetet e palëkundur”, tha Borrell për gazetarë në Kiev.

Ai e tha këtë disa orë pasi ushtria ruse e kreu një sulm tjetër ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, duke dëmtuar ndërtesa dhe shtëpi banimi në Odesa. Ndërkohë, Ukraina tha se e ka goditur me dronë një fabrikë municioni të Rusisë në Tula.

“Kjo mbështetje është tejet e nevojshme për ju që të vazhdoni të mbroheni kundër agresionit të Rusisë”, tha Borrell.

Borrelli thuhet të jetë zyrtari më i lartë i BE-së që e viziton Ukrainën prej se Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA më 5 nëntor.

“Ne e kemi mbështetur Ukrainën që nga fillimi dhe në këtë vizitë të fundit në Ukrainë përcjell të njëjtin mesazh: Do t’ju mbështesim sa të mundemi”, tha Borrell, i cili pritet të largohet nga detyra muajin e ardhshëm.

Fitorja e Trumpit në zgjedhje ka ngritur shqetësime në Kiev. Trump kishte thënë gjatë fushatës se ai mund të zgjidhte shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, madje përpara se të inaugurohej më 20 janar. Trump ka sugjeruar se Kievi duhet të pranojë t’i japë disa territore Moskës në këmbim të paqes, një kusht që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka hedhur poshtë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga, përsëriti qëndrimin e Kievit se vendi i tij nuk duhet të detyrohet të lëshojë pe para Rusisë.

“Të gjithë kanë nevojë ta kuptojnë se duke e kënaqur këtë agresor nuk zgjidh çështjet”, tha Sybiga.

“Ne kemi nevojë për paqe të vërtetë, jo për plotësimin e dëshirave që vetëm sjellin më shumë luftë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Borrell tha më herët për AFP se “askush nuk e di saktësisht se çfarë do të bëjë administrata e re”, duke theksuar se Joe Biden ka ende dy muaj të mbetur në detyrë si president i SHBA-së.

“Por, ne evropianët duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar një Evropë më të fortë dhe të bashkuar, dhe një nga manifestimet e të qenit të bashkuar dhe të aftë për të vepruar, është roli ynë në mbështetjen e Ukrainës”, theksoi Borrell.

Borrell tha se u takon vendeve të BE-së të vendosin “kur dhe si ta rrisin” mbështetjen e tyre, nëse është e nevojshme. Megjithatë, ai shtoi se në një takim të liderëve të BE-së në Budapest më 8 nëntor “shumica e shteteve anëtare po këmbëngulnin në të njëjtën linjë, [për ta] vazhduar mbështetjen për Ukrainën”.

Trupat ukrainase janë të dërrmuara derisa forcat pushtuese ruse bëjnë përparime graduale në lindje. Ndërkohë, sulmet e Rusisë me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës civile po vazhdojnë.

Dronët rusë e sulmuan gjatë natës qytetit port të Ukrainës, Odesa, duke e vrarë një person dhe duke i plagosur 13 të tjerë, tha të shtunën guvernatori rajonal, Oleh Kiper.

Disa ndërtesa banimi, shtëpi, ndërtesa komerciale dhe dhjetëra vetura private u dëmtuan nga ky sulm rus me dronë, i cili ishte i dyti radhazi në dy ditët e fundit në Odesa, tha Kiper.

Ndërkohë, një burim në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës i tha Shërbimit ukrainas të REL-it më 9 nëntor se dronët ukrainas e kanë goditur fabrikën Aleksinsky në rajonin Tula, rreth 200 kilometra në jug të Moskës.

Fabrika prodhon barut, municione dhe armë. Sipas burimit, goditja e fabrikës ishte pjesë e një strategjie për t’i sulmuar fabrikat që mbështesin luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më parë se 50 dronë ukrainas u shkatërruan mbi rajone ruse gjatë natës./REL

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More