Shkup, 17 maj – Borxhi publik në RMV në fund të vitit 2024 arriti shifrat shqetësuese prej 62.4 për qind të Bruto Prodhimin Vendor, që është 14 përqind mbi nivelin para pandemisë. Dhe kjo sigurisht se ndezi alarmin e Institucioneve vendore që të merren masa, dhe Ministria e Financave publikoi të dhëna mbi nivelin e borxhit publik në fund të tremujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara, borxhi publik shënoi një rënie prej 4.7 përqindjeje krahasuar me nivelin në fund të vitit 2024 dhe arrin në 57.7% të BPV ose një rënie prej 36 milionë eurosh. Por, sipas njohësve të mirë kë këtyre çështjeve kjo nuk është e mjaftueshme, dhe se akoma jemi larg përqindjes së dëshiruar. Profesori Universitar Bashkim Selmani për TVM2, ka theksuar se të gjitha institucionet vendore kanë borxh nga 60 deri më 85 për qind, dhe kjo i bën të jenë jo-funksionale.
“Gjitha institucionet, diku 60 deri 85 për qind kanë borxhe, dhe janë jo-funksionale, dhe subjektet në përgjithësi këto institucione i trajtojnë si profitabël, dhe i shohin si lokale të tyre. E gjithë situata aktualisht është jashtëzakonisht e rëndë në aspektin e borxhit publik, por dhe në aspektin ekonomik, dhe tani për ta mbuluar cështjen dhe problemin bazë të qytetarëve, japin shpjegim se indikacionet e tilla janë vetëm sa për ta hutuar gjendjen faktike që është në terren dhe jo ajo që është interesi i qytetarëve.”, u shpreh për TVM2 profesori universitar Bashkim Selmani.
Profesori Selmani po ashtu shtoi se nga kjo garniture qeveritare, respektivishtë nga VMRO-DPMNE-ja si udhëheqëse e Qeverisë nuk ka gatishmëri për uljen e Borxhit Publik.
“Nga momenti që nuk e ulin borxhin publik, por akoma kjo Qeveri e fut shtetin në borxhe publike, kur dihet se edhe vet premtimi i kësaj Qeverie, ose më mirë thënë e kësaj partie të VMRO-DPMNE-së ishte që ne do të sjellim investime të rreja në shtet, dhe do ta ulim borxhim maksimal, ndërsa tani as që diskutohet kjo çështje. Dhe nëse për bazë merrni ta shihni gjendjen faktike qoftë në borxhin ekonomik që ka të bëjë me Komunat në nivelin real, dhe kur të gjitha institucionet janë të ngulfatura dhe nuk mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur, dhe gjitha sugjerimet të cilat i jep edhe BE, dhe nga ana tjetër kërkon ndihma që duhet t’i jepet.”, tha Selmani.
Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Masimiliano Paoluçi, kohë më parë ka theksuar se borxhi publik në Maqedoninë e Veriut është rritur ndjeshëm, për shkak të deficiteve të vazhdueshme fiskale nga pandemia, të cilat mesatarisht janë 5 përqind në vit. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga MF, borxhi publik në tremujorin e parë të vitit 2025 në terma absolutë arriti në 9.5 miliardë euro, ndërsa borxhi shtetëror arriti në 8.3 miliardë euro.