Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

Botohet romani “Fëmijë në luftë” i Dafina Buçincës

Sapo ka dalë nga shtypi romani i parë i Dafina Buçincës, “Fëmijë në luftë”. Romani është autobiografik dhe në të rrëfehet për përjetimet e një fëmije në luftë.

Në një prononcim për “ObserverKult”, autorja e romanit shprehet se nëpërmjet këtij romani ka sjellë kujtimet e trishta e të tmerrshme të luftës. Ajo thotë se rrëfimi nuk është vetëm për të, por për të gjithë fëmijët shqiptarë të mbetur pa fëmijëri, shkaku i luftës.

Në fillim të romanit e kemi këtë kushtim: “Për fëmijërinë time të humbur. Të vjedhur nga lufta. Për lojën e fëmijërisë që u zëvendësua nga lajmet, plumbat, njerëzit pa koka, flaka e tymi. Për kujtimet e fëmijërisë, pesha e të cilave është tepër e madhe. Për fëmijërinë time pa Babë dhe për Nanën që mori rolin e tij!”

Romani ka Prologun, tri pjesë të gjata dhe epilogun që titullohet “Pritje”. Prologu ndërtohet përmes bisedës mes autores dhe të birit të saj, Noarit, që kërkon të dijë se çka është lufta. Fatmirësisht, ai nuk e di çka është lufta. Por, e di e ëma e tij. Ajo nuk ia rrëfen atë natë Noarit përjetimet e kujtimet e luftës, mirëpo përmes formës së romanit i lë dëshmi për të, që kur të rritet t’i lexojë, ai dhe shumë të tjerë, lexues që do të tronditen.

Dafina shprehet se një kohë të gjatë e ka munduar frika e humbjes, harresës, zbehjes së kujtimeve, prandaj edhe gjatë dy viteve të fundit është marrë intensivisht me shkrimin e këtij roman, që tashmë ka parë dritën e botimit. “Kujtimet e përjetimet e mia tashmë do të jenë në dispozicion të lexuesit të gjerë, edhe si përkujtesë për tërë atë që ka ndodhur në luftën në Kosovë, për të mos harruar kurrë”, shprehet ajo.

Secila nga tri pjesët e romanit përbëhet nga kapituj që mbajnë brenda nga një ose dy ngjarje të përjetuara drejtpërdrejt, të rrëfyera nga personazhi kryesor, Dafina, mbështetur në kujtesën e saj të fuqishme. Rrëfimi i ngjarjeve është kronologjik, duke përfshirë periudhën nga viti 1987, viti i lindjes së Dafinës e deri në vitin 1999, kur çlirohet Kosova. Por, përqendrimi i rrëfimit është sidomos në vitet 1998-1999. Ndërkaq, epilogu është rrëfim për rivarrimin e eshtrave të babait të saj, që ka humbur jetën gjatë luftës.

Redaktori i romanit, shkrimtari Gëzim Aliu, është shprehur se “Fëmijë në luftë” është roman autobiografik, roman-dëshmi për përjetimet e një fëmije në luftë.
“Të jesh fëmijë në luftë, do të thotë të mos kesh fëmijëri. Për fëmijërinë e humbur, të shkatërruar nga lufta, rrëfen Dafina Buçinca, qartë, rrjedhshëm, brutalisht”, thotë G. Aliu.

“Lexuesi do të përfshihet në rrëfim e do të rrëqethet, do të mllefoset e do të qajë, por edhe do të jetë krenar me shpirtin e një fëmije, pjesë e një familjeje, e një populli, e një vendi, që gjen forcë brenda vetes për ta dashur jetën e lirinë e për ta mundur vdekjen e robërinë!”, vazhdon Aliu.
“Bota e rrëfyer në romanin e Dafina Buçincës është aq e vërtetë! E frikshme, e tmerrshme, njëkohësisht e rrëfyer bukur!”, përfundon ai.

Romani “Fëmijë në luftë” është botuar nga shtëpia botuese “Artini”, Prishtinë, 2021.

Postime të ngjashme

Katër artistë bëhen bashkë për ti kënduar Shkupit

R Zh

Biblioteka e Natyrës, ideja e bukur e të rinjve korçarë për të përqafuar botën e letërsisë

D V

Folk Fest trazoi atmosferën e Shkupit

Z H

Në sesionin e Komitetit për Trashëgimi Botërore pranohet aplikacioni për ndërtimin e kapaciteteve të Entit dhe muzeut-Ohër

D V

Koncert “Fryma modern e këngës së vjetër qytetare” të Laura Kërliut

Z H

Ngjarjet në Kosovë dhe kufiri me Serbinë në vitin 1879

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...