Agjencia Zhurnal.mk

Bundestagu gjerman, paketë miliardëshe në krizën e COVID-19, ndihmë historike për ekonominë dhe qytetarët

Pandemia e Coronës ka përshpejtuar punën e politikës në Gjermani. Në një procedurë historikisht të shpejtë të Bundestagut, parlamentarët gjermanë miratojnë paketën e ndihmës së qeverisë.

Bundestagu vendos të mërkurën (25.03) për një paketë ndihme historike për qytetarët dhe ekonominë gjermane në krizën e Coronës. Një paketë që po miratohet me shpejtësi të pamenduar më parë. Federata do të mbështesë me disa mburoja të gjera financiare dhe ndryshime ligjore familjet, qiramarrësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe firmat gjermane. Për këtë parlamentarët gjermanë janë gati të pezullojnë edhe frenimin e kryerjes së borxheve që është paraparë në kushtetutë.

Ky ndryshim krijon bazën ligjore që buxheti shtesë të lejojë marrjen e borxheve në vlerë 156 miliardë euro. Kushtetuta gjermane e lejon që në raste katastrofash dhe situata të jashtëzakonshme federata të bëjë më shumë borxhe se sa është e lejuar. Në seancë paradite deputetët shprehën mirënjohje për personelin mjekësor përmed duartrokitjeve.

Opozita e mbështet paketën e ndihmës

Për pezullimin e frenimit të borxheve të planifikuar, koalicioni i konservatorëve dhe socialdemokratëve e ka shumicën e kërkuar në Bundestag, megjithëse më shumë se një duzinë deputetësh nga partitë e Unionit CDU/CSU dhe SPD mungojnë në seancën parlamentare. Në votim nevojiten të paktën 355 e 709 deputëteve të Bundestagut. Partitë opozitare, FDP dhe Të Gjelbrit u kanë rekomanduar deputetëve të tyre të miratojnë ndryshimet ligjore dhe paketën e dnihmës. Edhe kreu i grupit parlamentar të të Majtëve, Dietmar Barsh bëri të ditur miratimin e partisë së tij.

Në krizë duket se kufizimi strikt i marrjes së borxheve të reja e bën shtetin “të paaftë për të vepruar”, tha ai për gazetën “Neuen Osnabrücker Zeitung”. Edhe partia populiste në opozitë, AfD bëri të ditur, se do të propozojë disa ndryshime, por do ta mbështesë paketën e masave të qeverisë gjermane në emër të interesit kombëtar. Ato duhet të verifikohen brenda pak javësh, tha Peter Boehringer, kreu i komisionit parlamentar për buxhetin. “Njerëzit nuk mund t’i izolosh përgjithmonë.”

“Jo rast normal legjislativ”

Zëvendëspresidenti i Bundesagut, Wolfgang Kubicki e mbrojti miratimin e ligjeve me një efekt të gjerë veprues. “Kemi një gjendje, në të cilën kërkohet aktualisht shpejt të krijohet baza ligjore, që ekzekutivi të mbetet i aftë për të vepruar”, tha ai në Berlin. “Kjo procedurë e përshpejtuar nuk do të jetë definitivisht rasti normal i legjislativit.” Secili e ka të qartë, se një gjë e tillë vihet në përdorim, vetëm në situata emergjente, tha ai.

Seanca e parlamentit gjerman zhvillohet në masa të rrepta të sigurisë shëndetësore. Shumë vende në sallën plenare janë bosh, me qëllim që mes deputetëve të ruhet distanca e nevojshme. Kurse kutitë e votimit qëndrojnë në hollin jashtë sallës plenare, sepse aty ka më shumë vend. Ligjet, me të cilat synohet të zbuten pasojat ekonomike e sociale të krizës pritet të kalojnë në komisionin e landeve që të premten./DW

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...