Shkup, 11 shkurt – Habib Bunnjaku, 35 vjeç, punonjës në administratën e ndërmarrjes shtetërore të energjisë MEPSO, ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra nga të shtënat me armë zjarri në një parking në Çair.
Bunjaku është sjellë në spitalin kirurgjik në qendër të Shkupit, por për shkak të lëndimeve të rënda mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë. Në parking, sipas policisë, ka pasur një shkëmbim zjarri mes dy grupeve, që sipas denoncimit në Ministrinë e Brendshme ka ardhur për shkak të trafikut.
– Është raportuar se në një parking në zonën e Çairit, për shkak të një mosmarrëveshje të mëparshme në komunikacion, ka pasur një debat në mes të dy grupeve, gjatë së cilës janë përdorur edhe armë zjarri, njofton MPB.
Dy të tjerë u plagosën nga incidenti, ndërsa policia tha se katër persona u arrestuan. Në kuadër të hetimeve, nga vendi i ngjarjes janë gjetur gjurmë dhe gëzhoja dhe do t’i nënshtrohen analizës mjeko-ligjore.
Janë siguruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit e prokurorisë.
Bunjaku është djali i një ish-zyrtari të BDI-së Babai i tij, Ekrem Bunjaku, ka qenë drejtor i Inspektoratit Teknik deri në vitin 2017, dhe atë pozitë e ka mbajtur për 8 vite. Hetimi, përveç pretendimeve fillestare për trafikun si shkak të ngjarjes, po heton edhe për motive të tjera të mundshme.