Burgjet në mjerim, numri i të burgosurve shkon në rritje!

nga I.A

Shkup, 7 qershor – Sjellje e papërshtatshme, johumane, abuzuese ndaj të burgosurve, kushte jo të mira, qeli të stërngarkuara me të burgosur dhe mungesë të medikamenteve dhe mbrojtjes shëndetësore. Këto janë disa prej vërejtjeve më kryesore të Komitetit të Helnsikut, të cilat u shënuan në raportin e fundit për gjendjen e burgjeve. Gjendja në të gjitha burgjet e Maqedonisë së Veriut është jo e mirë, por në veçanti në burgun më të madh në vend atë të Idrizovës kushtet janë katastrofale. Mungesë higjiene dhe kujdesi shëndetësor, dhoma të stërngarkuara me të dënuar, keqtrajtim dhe maltretime fizike dhe psikike, gjitha këto ndodhin në burgun e Idrizovës. Të dënuarit që vuajnë dënimet e tyre në burgje nuk nënkupton që janë robër dhe duhet të keqtrajtohen në forma të ndryshme. Edhe përkundër kushteve mizore, më 31 janar të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, e ashtuquajtura shkalla e burgosjes ishte 142 të burgosur për 100,000 banorë, që paraqet rritje prej 25.5 për qind në nivel vjetor, treguan të dhënat nga statistikat vjetore penale të Këshillit të Evropës për vitin 2023, shkruan Zhurnal.

Statistika nga Këshilli i Evropës, rritet shkalla e burgosjes në Maqedoninë e Veriut –

Më 31 janar të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, e ashtuquajtura shkalla e burgosjes ishte 142 të burgosur për 100,000 banorë, që paraqet rritje prej 25.5 për qind në nivel vjetor, treguan të dhënat nga statistikat vjetore penale të Këshillit të Evropës për vitin 2023.

Me këtë, siç njofton AIM, Maqedonia e Veriut është në vendin e dytë në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës sipas rritjes së shkallës së dënimit me burgim pas Moldavisë, e cila ka rritje prej 52,1 për qind. Pas RMV-së, janë Qiproja me rritje të shkallës së burgosjes prej 24,8 për qind, Turqia me 15, Azerbajxhani me 12,5, Irlanda me 11,7, Mali i Zi me 11,3, Armenia me 10,6, Kroacia me 10,4 dhe Hungaria me 8,7 për qind.

Uljen më të madhe vitin e kaluar më 31 janar 2023 krahasuar me të njëjtën datë të vitit 2022 e ka regjistruar Lituania me 8.9 për qind, përpara Estonisë me 8.8 dhe Greqisë me 5.2 për qind.

Nga vendet e tjera të rajonit, në Bullgari shkalla e burgosjes në një vit është rritur me 8,1 për qind, në Serbi me 4,2 për qind, në Slloveni me 2,1 për qind dhe në Shqipëri me 1,6 për qind, ndërsa në Rumani është e pandryshuar. Ndryshe, norma mesatare e burgosjes në Evropë ka shënuar rritje prej 2.4 për qind.

Ndërsa nominalisht, me 142 të burgosur për 100,000 banorë, Maqedonia e Veriut është në vendin e 15-të në mesin e 48 administratave të burgjeve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të përfshira nga analiza.

Turqia ka shkallën më të lartë të burgosjes me 408 të burgosur për 100,000 banorë, përpara Gjeorgjisë me 256, Azerbajxhanit me 244, Moldavisë me 242, Hungarisë me 211, Polonisë me 194, Sllovakisë me 183, Shqipërisë me 179, Çekisë me 176, Lituanisë me 174, Letonisë me 172, Malit të Zi me 168, Serbisë me 162, Estonisë me 151 dhe Maqedonia e Veriut me 142 të burgosur për 100,000 banorë.

Shkalla më e ulët e burgosjes u regjistrua në Finlandë me 52 të burgosur për 100,000 banorë, Holandë me 52, Norvegji me 55, Gjermani me 67, Slloveni me 68, Danimarkë me 71, Zvicër me 73, Armenia me 79, Suedi me 80 dhe Irlandë me 85 të burgosur për 100.000 banorë.

Kushte katastrofale dhe trajtim jo njerëzor –

Sjellje e papërshtatshme, johumane, abuzuese ndaj të burgosurve, kushte jo të mira, qeli të stërngarkuara me të burgosur dhe mungesë të medikamenteve dhe mbrojtjes shëndetësore. Këto janë disa prej vërejtjeve më kryesore të Komitetit të Helnsikut, të cilat u shënuan në raportin e fundit për gjendjen e burgjeve.

Sipas Komitetit të Helsinkut, fajtori kryesor për këtë gjendje nuk është tek drejtuesit e burgjeve apo te Drejtoria e Sanksioneve, por është tek shteti i cili për këtë çështje nuk duhet të mbështetet vetëm tek donacionet e huaja, por të sigurojë mjete të mjaftueshme për të përmirësuar kushtet dhe për mirëmbajtjen e këtyre institucioneve.

Sipas avokatit të popullit, Naser Ziberi, të dënuarit në burgun e Idrizovës janë vendosur në hapësira tejet problematike që shpesh herë kanë qenë shkaktare për tensione ndërmjet të dënuarve. 16 të dënuar në një hapësirë prej 16 metrave katrorë, kjo është e tmerrshme dhe mizore një metër katror për një person, që nuk ngjanë aspak me vend ku mbahen dënime por më shumë me shpella dhe vrima ku bëhen keqtrajtime.

Hapësira tjera të ngjashme ku në 19 metra katrorë janë vendosur 12 persona. Nga inspektimet që kanë bërë nga avokati popullit gjatë raportimit vitin që lamë pas thanë që kushtet janë katastrofale dhe aspak normale. Sipas tyre, ka pasur edhe njerëz që janë të shtrirë nëpër dysheme, në korridore, krevete të improvizuara. Për kushtet higjienike nga kontrollet e realizuara është konstatuar se janë tejet në nivel të ulët.

Pra, nga raporti i Avokatit të Popullit thuhet që në burgun e Idrizovës, si dhe disa burgje të tjera, ka mbipopullim dhe mungesë të hapësirave për të dënuarit. Mes tjerash në burgun e Idrizovës dhe atë të Shutkës është konstatuar që janë përdorur edhe rripa të lëkurës në vend të prangave.

Mbeten mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve – sistem i keq i menaxhimit dhe punës së punonjësve, mungesë e stafit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor për të dënuarit, dhunë mes personave të dënuar, kushte të mjera materiale, mungesë e aktiviteteve të dedikuara dhe korrupsion endemik, pati theksuar Komisioni Evropian në raportin e para këtij viti për progresin e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, duke marrë për analizë raportin e Komisionit Evropian të këtij viti dhe vitit të kaluar, si dhe raportin e Avokatit të Popullit, lirshëm mund të konstatohet gjendja momentale në burgjet e vendit që është e mjerueshme dhe predispozitat më të larta janë që këto vende të klasifikohen si vende keqtrajtimi dhe jo vende ku mbahen dënimet. Kujdesi shëndetësor dhe higjiena në nivel shumë të ulët ajo për të cilën kanë më së shumti nevojë të burgosurit. Duhet të kujtojmë që të dënuarit në ato hapësira të kufizuara janë të stërngarkuar me numër mbi normalen në proporcion me hapësirën dhe metrat katror të dhomave. Në këto hapësira të pa pastra dhe pa kujdes mjekësor të dënuarit kalojnë 23 orë, një orë të vetme e kanë pauzë jashtë për ajrosje, për të thithë ajrin e ndotur të Shkupit. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More