Pavarësia buxhetore konsiderohet thelbësore për gjykimin e drejtë dhe të paanshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Kështu u shpreh sot Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2025 në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Duke e konsideruar Gjykatën Kushtetuese një nga institucionet kyçe të shtetit të së drejtës, Papandile nënvizoi se Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një pavarësi të plotë, jo vetëm në vendimet e saj juridike, por edhe në burimet financiare për të shmangur çdo ndikim të jashtëm nga pushtetet e tjera.
“Ndryshe nga vitet e kaluara kur ka pasur një buxhet disa herë më të vogël se kërkesat e saj reale dhe të argumentuara, këto dy vitet e fundit është vënë re një përmirësim i dukshëm në buxhet”, tha Papandile.
Ai theksoi se buxheti i akorduar për vitin 2025 përgjithësisht është në përputhje me kërkesat e paraqitura nga institucioni, por gjithësesi kërkohet një shtesë në fondin e pagave dhe për shpenzime korente.
Në vlerën totale, Gjykata Kushtetuese kërkon një shtesë fondi prej 14 milionë e 957 mijë lekësh.
Ndërkohë, Papandile solli në vëmendje numrin në rritje të çështjeve të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, të cilat nga 50 çështje në vitin 2019 këtë vit vit parashikohen të shkojnë në 450 të tilla.
Duke argumentuar kërkesat për shtim në fondin e pagave, Papandile tha se mbledhja e gjyqtarëve ka miratuar krijimin e drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve me 5 punonjës.
Sipas tij, krijimi i kësaj drejtorie vjen si nevojë e mungesave në këshilltarë ligjorë, ndaj është parë e arsyeshme krijimi i kësaj strukture për t’i ardhur në ndihmë gjyqtarëve.
“Fondet e akorduara për vitin 2025 të shpenzimeve të personelit shkojnë në 192 milionë e 500 mijë lekë. Fakti që sipas ligjit të miratuar jo më pak se gjysma e këshilltarëve ligjor emërohen nga radhët e magjistratëve ka bërë që njësia ligjore të funksionojë vetëm me gjysmën e këshilltarëve. Me gjithë thirrjen tonë për afrimin e magjistratëve të rinj ky pozicion ka pasur interes të ulët. Ndaj miratuam krijimin e kësaj drejtorie”, shtoi Papandile.
Lidhur me kërkesën për shtimin e fondit të shpenzimeve operative, Papandile tha se Gjykata Kushtetuese është zgjedhur si kryesuese e Gjykatave Kushtetuese Europiane një rrejt me 40 gjykata dhe si e tillë parashikon organizimin e disa eventeve të rëndësishme.
“Shpenzimet operative të parashikuara janë 42 milionë e 500 mijë lekë. Por organizimi i eventeve kaq të mëdha duan edhe fond shtesë”, tha ai.