Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Buxhovi për Zhurnal: Shqiptarët duhet të krëkojnë barazi kushtetuese në Maqedoni

Historiani Jusuf Buxhovi, autor i librit voluminoz “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, vlerëson se konteksteve të tanishme midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth aspekteve historike dhe atyre kulturore-identitare, që kanë për qëllim pranimin e një “shteti të dytë bullgar në Ballkan”, shqiptarët duhet t’u rrinë anash, meqë ato janë çështje te një etnie të sllavofone që i është nënshtruar realiteteve të ndryshme shoqërore dhe politike, siç ka ndodhë edhe me shqiptarët. Por, mbështetja për shtetin e Maqedonisë si realitet politik, doemos duhet kushtëzuar me ridefinimin e pozitës së tyre kushtetuese si popull shtetformues

Zhurnal: Mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ka shpërthyer një kontest i natyrës historike. Cila është e vërteta nga këndvështrimi i një historiani që është marrë intensivisht kohëve të fundit me këtë çështje?

J. Buxhovi: Kontestet e tanishme historike midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë më shumë të natyrës politike, por që nëpërmes aspektit kulturor (gjuhës), pa u kontestuar, së paku formalisht, aspekti shtetëror, i referohet historisë. Kjo është një strategji e sofistikuar që realitetet shoqërore dhe politike të kthehen te faktet historike, në mënyrë që dy shteteve t’u krijohet “historia e përbashkët”. Pra, Bullgaria, me hapjen e çështjeve “të kontestuara të natyrës historike” siç është gjuha dhe kultura “e përbashkët”, kërkon që të pranohet fakti se në Ballkan ekziston edhe një shtet i dytë bullgar, i quajtur Maqedonia e Veriut, që sipas historianëve bullgarë, gjuha maqedone dhe emri Maqedoni, u krijuan artificialisht nga Tito në vitin 1945 me ç’rast ajo u fut në federatën jugosllave si republikë e barabartë ndër gjashtë sa kishte ajo, me të drejtën e shkëputjes, që e shfrytëzoi atë në vitin 1992 kur federata u shpërbë.

Natyrisht se te qasja e lindjes së shtetit maqedonas në rrethanat jugosllave dhe të pavarësisë së saj në vitin 1992, ka edhe të vërteta historike, që u referohen pikërisht realiteteve shoqërore dhe politike të rrethanave të caktuara, çfarë ishin ato ideologjike që e krijuan Jugosllavinë e Titos. Ndër këto të vërteta është aspekti gjeografik i emërtimit të shtetit (Maqedoni) jashtë çdo lidhjeje me Maqedoninë Antike dhe i popullit maqedonas, jashtë çdo lidhje me maqedonasit e përkatësisë pellazge-ilire. Këtu, pra, një popullate sllavofone,e shkëputur nga amza etnike në fillimet e shekullit XIX (me rastin e krijimit të shteteve nacionale: Bullgarisë dhe Greqisë), do t’i amputohet gjeografia antike, për qëllime hegjemoniste, pra për t’u përvetësua. Kjo u bë nga ana e Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë, të cilat pretendonin që katër vilajetet osmane (ai i Kosovës, i Manastirit, i Janinës dhe i Selanikut) tri prej tyre me shumicës shqiptare (Kosova, Janina dhe Manastiri) të shkëputeshin nga çështja shqiptare, pra të mos e fitonin statusin e vilajetit të përbashkët siç kërkohej nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej, por të ndaheshin midis këtyre shteteve, secila me pretendimet “historike” ndaj një popullate, që ndonëse fliste bullgarishte, nuk kishte identitet të përbashkët as kulturor e as nacional. Andaj, u shpik slogani “Maqedonia Maqedonasve”. Ky projekt zuri fill me Kryengritjen e Ilindenit dhe të krijimit të republikës afatshkurtër të Krushevës më 1903, në mënyrë që epilogun ta fitojë gjatë luftërave ballkanike në vitin 1912. Ndarja e katër vilajeteve osmane midis Serbisë, që mori pjesën më të madhe (vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit), Bullgarisë dhe Greqisë që mori vilajetin e Janinës, në tri pjesë e hoqi nga rendi i ditës krizën artificiale të Maqedonisë të shfaqur nga viti 1889 e deri te shpërbërja e Perandorisë Osmane.

Shfaqja e saj si Maqedoni në Jugosllavinë e Titos, e riktheu serish në histori, por tash me gjuhë artificiale (maqedonishte) dhe me emër antik (Maqedoni), me çka u anuluan pretendimet hegjemoniste bullgare, serbe dhe greke. Ky realitet, historikisht ishte pozitiv për rajonin, por edhe për shqiptarët në Maqedoni (me pjesëmarrje thuajse të barabartë popullatave me atë të shpallur maqedonase), ndonëse me statusin e pakicës, të diskriminuar dhe të destinuar për shpërngulje apo asimilim, siç ndodhi edhe me pjesën e mirë të saj.

Shpërbërja e Jugosllavisë mundësoi që shteti i Maqedonisë të vazhdojë rrugëtimin historik si shtet i pavarur, madje shtet nacional, ndonëse do të duhej të ishte një shtet i qytetarëve të barabartë. Shqiptarët e kundërshtuan këtë dhe në një referendum të mbajtur në vitin 1992 dolën me opsionin e tyre për federalizmin e Maqedonisë. Nga kjo nuk doli gjë, ngaqë strukturat politike shqiptare, që u futën në jetën parlamentare, duke u akomoduan në strukturat shtetërore për interesa personale, me frazat se parlamentarizmi dhe standardet e të drejtave njerëzore shfaqen si ilaç për barazi, jo vetëm që harruan referendumin, por pranuan statusin e pakicës, më të ulët se në rrethanat e Jugosllavisë së Rankoviqit. Por, emërtimi Maqedoni nuk u pranua nga Greqia dhe shumë vende, gjë që asaj iu dha emërtimi i përkohshëm Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, që vazhdoi të kontestohet deri në marrëveshjen e Prespes, kur ajo hoqi dorë nga “trashëgimia antike” dhe iu kthye amallgamit të popullatës sllavofone pa kurrfarë lidhjeje me maqedonasit antikë. Kjo bëri që Bullgaria ta hapë çështjen e “identitetit kulturor nëpërmes gjuhës së përbashkët bullgare” si dhe “historisë së përbashkët”.

Zhurnal: Cili duhet të jetë qëndrimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në këtë kontekst dhe si duhet të sillen në raport me të?

J. Buxhovi: konteksteve të tanishme midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth aspekteve historike dhe atyre kulturore-identitare, me të cilat, si u tha, Bullgaria pretendon të ketë dy shtete bullgare në Ballkan, shqiptarët duhet t’u rrinë manash, meqë ato janë çështje të një etnie të shkëputur sllavofone me shtrirje edhe në dy vilajetet shqiptare (të Kosovës dhe të Manastirit), që u është nënshtruar realiteteve të ndryshme shoqërore dhe politike, siç ka ndodhë edhe me shqiptarët. Por, që mbështetja për shtetin e Maqedonisë si realitet politik, doemos duhet kushtëzuar me ridefinimin e pozitës së tyre kushtetuese si popull shtetformues. Nëse me marrëveshjen e Ohrit shqiptarët edhe pas luftës që e bënë në vitin 2001, nuk fituan gjë, pos një mashtrimi, që u bë nga klikat shqiptare që fituan pushtetin “në emër të luftës” me ç’rast barazia kushtetuese u zëvendësua me mashtrimin e “barazisë ligjore të gjuhës”, që nun është e njëjta; nëse shqiptarët edhe pas marrëveshjes së Prespës prapë iu nënshtruan një mashtrimi tjetër, sakrifikuar barazinë kushtetuese me sloganin e të drejtave njerëzore, atëherë, është më se e domosdoshme që kur hapen këto çështje midis Bullgarisë dhe Shkupit, atëherë, duhet kërkuar ridefinimin e pozitës kushtetuese të tyre si popull shtetformues dhe i barabartë, që do të precizohet në kushtetutë, siç duhet të theksohet edhe barazia e gjuhës shqipe në preambulën e kushtetutës, siç ngjet me atë serbe në kushtetutën e Kosovës. Madje, shqiptarët duhet të dalin edhe me opsionin e federalizmit të Maqedonisë po qe se nuk pranohet opsioni i barazisë kushtetuese si popull shtetformues. Këto çështje duhet të shtrohen me guxim, si çështje të barazisë, që kanë të bëjë me ekzistencën e shtetit të përbashkët. Opinioni evropian, dhe madje edhe Bullgaria, do të ketë mirëkuptim për to, po qe se ato shtrohen dhe argumentohen si duhet.

Zhurnal: A shihni një zgjidhje te afërte mes këtyre dy vendeve për çështjet historike?

J. Buxhovi: Kjo do të varet edhe nga sjellja e faktorit shqiptar në gjithë këtë lëmsh. Pra, po qe se shqiptarët dalin me opsionin e ridefinimit kushtetues të pozitës së tyre si shtetformues, ose me atë të federalizmit të shtetit, atëherë edhe Sofja do të ketë një qasje ma pragmatike ndaj gjithë problematikës, meqë për të rikthyer “historinë e përvetësuar”, ajo duhet të kërkojë partneritet të plotë me shqiptarët, për t’i trajtuar të barabartë , ngaqë e di fort mirë se pjesa Perëndimore e Maqedonisë, as historikisht, as etnikisht nuk ka qenë asnjëherë pjesë e projekteve bullgare. Ridefinimi i statusit kushtetues të shqiptarëve si shtetformues, pa mashtrimet e deritanishme, për ç’gjë një pjesë të fajit e mbajnë klasa korrupto politike shqiptare në Maqedoni, kërkon edhe rolin aktiv të Shqipërisë dhe të Kosovës. Tirana zyrtare dhe Prishtina duhet të jo vetëm mbrojnë opsionin shqiptar dhe ta mbështesin atë, por edhe të kërkojnë nga politikanët shqiptarë në Maqedoni të krijojnë këtë platformë dhe ta shfaqin atë vendosmërisht.

Postime të ngjashme

Zgjedhjet lokale më 3, 10 ose 17 tetor

D J

Janë regjistruar 485 shkelje për mosmbajtje të maskës

D J

Disa lagje të Tetovës tashmë tre ditë pa ujë

D J

Zaharieva: Nuk ka forcë para së cilës do të dorëzohemi, BE nuk është Jugosllavi

D J

Në Shkup janë sanksionuar 193 shoferë, 29 prej tyre kanë qenë pa patent shoferi

D J

Sistem të navigacionit për automjetet e Ndihmës së shpejtë mjekësore në Shkup, donacion nga Stopanska banka

D J

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...