Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi gjatë fjalës së tij sot në Kuvend tha se “u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar 34 295 vetëve”.
“Janë gati 19%, pra gati 1/5 e zgjedhësve që kanë bërë kërkesë, por u është refuzuar e drejta për t’u regjistruar për probleme ndoshta dokumentare, pra një në pesë u është refuzuar. E kanë shprehur dëshirën, vullnetin ta kenë dhe kontaktin me Shqipërinë, por në këtë moment nuk e kanë”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi shtoi se “KQZ duhet patjetër dhe kjo duhet të jetë kërkesë e qartë e këtij Kuvendi, të merret në mënyrë të fokusuar për kohën që ka mbetur duke i kontaktuar një për një, për t’i ndihmuar që të bëjë të mundur regjistrimin e tyre. Madje data 4 mars që nuk është fundi i afatit ligjor, nuk duhet ta pengojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por deri në përmbushjen e 60-ditëshit përpara ditës së zgjedhjeve, që është diku nga data 11 mars të merret me secilin prej këtyre. Këta e kanë bërë kërkesën, për këta nuk është më çështje afati data 4 mars, duhet të ndihmohen, patjetër shumica dërrmuese prej tyre e kanë dokumentacionin”.
“KQZ nuk duhet të fshihet pas procedurave të ftohta, por duhet t’i kontaktojë. Një në 5 është i refuzuar”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi shtoi se “nëse KQZ do të ndjekë këtë linjë pasive, këto 34 mijë persona nuk do të votojnë dot”.