Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi u bëri sot thirrje Partive Popullore Evropiane për të mbështetur përpjekjet e PD për të rikthyer demokracinë në Shqipëri.
Bylykbashi gjithashtu shprehu kënaqësinë që PD është përsëri pjesë e Forumeve të familjes politike të Partive Popullore Evropiane.
“Falënderojmë të gjithë ata që na mbështetën dhe bënë të mundur rikthimin tonë këtu. Pjesëmarrja jonë në këtë takim vjen në një moment vendimtar për ne. Pas gjashtë muajsh Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme”, tha ai.
“Ne sot bëjmë thirrje për mbështetjen e fortë dhe të zëshme të PPE-së dhe partive simotra, në përpjekjet tona për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për të bërë të mundur rotacionin demokratik të pushtetit”, tha Bylykbashi në fjalën e tij në takimin e Asamblesë Politike të PPE në Bruksel,
Kjo, theksoi ai, është arsyeja pse kthimi i PDSH-së në forumet e PPE-së është kaq i rëndësishëm në këto muaj para zgjedhjeve.