19 C
Skopje
29/10/2020
Maqedoni

Bytyqit dhe Bekteshit takohen me Poçivalshek: Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut janë vende mike me bashkëpunim të fortë ekonomik

Shkup, 25 shtator – Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të udhëhequr nga presidenti slloven, Borut Pahor, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet Fatmir Bytyqi, së bashku me ministrin e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, e pritën homologun slloven, zëvendëskryeministrin dhe ministrin për zhvillim ekonomik dhe teknologji, Zdravko Poçilvashek, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve dhe mundësitë për ta zgjeruar më tej këtë bashkëpunim, kumtoi kabineti i zëvendëskryeministrit.

Bytyqi e informoi kolegun e tij Poçilvashek, se Qeveria ka filluar me reformat ekonomike, përmes bisedave me të gjithë aktorët e jetës ekonomike, për krijimin e një Platforme për zhvillimin ekonomik për 20 vitet e ardhshme, në mënyrë që të sigurojë një rritje ekonomike më të shpejtë dhe të qëndrueshme, si një nga elementët kryesorë për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe për një jetë më të mirë të qytetarëve.

“Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut janë të ngjashme për nga madhësia dhe numri i banorëve, megjithatë ekonomia sllovene është përpara ekonomisë sonë. Ka një numër të madh ndërmarrjesh nga Sllovenia që punojnë në Maqedoninë e Veriut, por edhe anasjelltas, kjo është një shenjë e bashkëpunimit të fortë ekonomik dhe mendoj se ka shumë fusha ku ne mund ta përmirësojmë bashkëpunimin” tha Bitiqi në një bisedë me Poçivalshek.

Ai shtoi se vendi ynë i ka kushtet më konkurruese për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe për inkurajimin e investimeve të ndërmarrjeve vendase, përmes masave të përfshira në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve. Ne planifikojmë, theksoi Zëvendëskryeministri, realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore për ndërtimin e korridorit hekurudhor 8, të cilat kanë një vlerë totale të vlerësuar prej rreth 800 milion euro, ndërsa për realizimin e tyre përmes procedurës së hapur dhe publike mund të aplikojnë kompani të huaja, përfshirë kompani nga Sllovenia me përvojë në këtë fushë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri për zhvillimin ekonomik dhe teknologjinë, Zdravko Poçilvashek, ra dakord që marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve të jenë në një nivel shumë të lartë. Ai gjithashtu iu referua numrit të turistëve nga Maqedonia e Veriut në Slloveni, i cili ishte në rritje të vazhdueshme deri para krizës kovid.

Zëvendëskryeministri Poçilvashek informoi për masat e marra nga Sllovenia për ballafaqim me pasojat e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi Covid 19, tha se pret një rënie të BPV-së me rreth 13 për qind këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm të normalizohen marrëdhëniet ekonomike.

“Ekonomia sllovene është e orientuar drejt eksportit, rreth 85 për qind e të gjithë prodhimit eksportohet në vendet e BE-së. Është e mundur të përmirësohet bashkëpunimi midis dy vendeve për sa i përket investimeve nga të dy palët, tha Poçilvashek, duke shtuar se ai sheh mundësi për investim të ndërmarrjeve sllovene në projekte të hidrocentraleve, administrimin e mbeturinave, menaxhimin e ujit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministri Bekteshi iu referua reformave në sektorin e energjisë, të cilat zbatohen në mënyrë aktive pas miratimit të Ligjit të ri të Energjetikës në vitin 2018.

“Ne kemi legjislacion të harmonizuar plotësisht në fushën e energjetikës me Bashkimin Evropian, siç ka edhe Sllovenia. Vitin e kaluar kemi filluar me realizimin e projekteve për ndërtimin e termocentraleve të reja fotovoltaike në territorin e Maqedonisë së Veriut, me të cilat duam ta rrisim prodhimin e energjisë elektrike nga burimet ripërtëritëse. Nga 11 vendndodhjet për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike, tre lokacione u janë caktuar kompanive sllovene me një kapacitet total të instaluar prej 17 megavat”, theksoi Ministri Bekteshi, duke shtuar se ai sheh potencial të madh për zhvillim në shumë zona, përfshirë turizmin, ku në vitet e fundit ka pasur një rritje prej 6 për qind të turistëve sllovenë në Maqedoninë e Veriut.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe Ministri Bekteshi e informuan homologun e tyre slloven për Ligjin për Investimet Strategjike, i cili mundëson zbatimin e shpejtë të investimeve strategjike në më shumë zona, ndërsa gjithashtu diskutuan edhe për tenderin për ndërtimin e hidrocentralit Çebren, në të cilin mund të aplikohet deri më 18 dhjetor dhe parashikon ndërtimin e një hidrocentrali me një kapacitet të instaluar prej 425 megavat.

Related posts

MASH njoftoi, me sukses realizohet 80% e mësimit online

XH.I

Rast social/7 jetimat nga Haraçina bëhen me shtëpi të re

T E

Aliti: Personi që dëshiron objektin tim le të paraqitet për t’ia dhuruar, rrënimi ka prapavijë politike

XH.I

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Pranoj Më tepër...