Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe prefektja e qarkut të Vlorës Evis Allushi, ishin sot në terren, në njësinë administrative të Novoselës, ku vëzhguan nga afër problematikat e shkaktuara nga përmbytjet në këtë zonë.
Çako theksoi se “situata është kritike pasi vërshimet janë të konsiderueshme dhe nivelet e Vjosës kanë kapur pothuajse limitet maksimale. Jemi në krye të detyrës me të gjitha forcat e strukturat”.
“Jemi duke organizuar dhe një takim të komisionit të Mbrojtjes Civile për bashkinë e Vlorës, në njësinë administrative të Novoselës, bashkë me të gjitha strukturat, kryetaren e bashkisë dhe me të gjitha strukturat operacionale që janë në gatishmëri të plotë për të ardhur në ndihmë”, tha Çako.
Sipas tij “prioritet absolut është jeta dhe normaliteti i qytetarëve, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e tyre se nëse do të jetë i nevojshëm evakuimi të bëhen pjesë e operacionit për të mos krijuar vështirësi të mëtejshme për lëvizjen”.
Nga ana tjetër, prefektja e qarkut theksoi se “kemi lajmëruar banorët e fshatrave të Novoselës, sidomos atyre që rrezikojnë më tepër nga situata dhe jemi në monitorim të situatës, në mënyrë që të kemi sigurimin e jetës së njerëzve”.
