Shkup, 17 tetor – Mbrëm në Çair ndodhi një skenë që do të mbetet gjatë në kujtesën politike të këtij qytet: mbi tetë mijë qytetarë mbushën sheshin qendror dhe rrugët përreth në tubimin përmbyllës të fushatës së kandidatit për kryetar komune, Izet Mexhiti. Ishte një det njerëzor pa fund, një pamje që shprehte jo vetëm entuziazmin për fundin e fushatës por edhe bindjen e thellë për fitoren e afërt, shkruan Zhurnal.
Mbrëmë i tërë Çairi në këmbë për Izet Mexhitin –
Ky tubim më masivi në historinë e fushatave lokale në Çair, dëshmoi se mbështetja për Izet Mexhitin është më e gjerë se kurrë më parë. Njerëz nga të gjitha lagjet e komunës, të rinj e të moshuar, gra e burra, dolën për të treguar se besojnë në vizionin e tij për një Çair të bashkuar, të zhvilluar dhe me dinjitet. Turma e madhe e mbrëmshme u bë dëshmi e qartë e faktit se Mexhiti nuk po garon vetëm si kandidat politik, por si figurë përfaqësuese e një komuniteti që kërkon vazhdimësi, stabilitet dhe transformim të vërtetë.
Atmosfera ishte elektrizuese dhe me plotë entuziazëm. Flamuj, pankarta dhe këngë motivuese e kthyen tubimin në një festë të qytetarëve që ndihen pjesë e një projekti të përbashkët. Në këtë skenë plot ngjyra dhe emocion, Mexhiti u prit me brohoritje të gjata. Në fjalimin e tij, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme, për durimin dhe për besimin që e ka shoqëruar në çdo hap të fushatës. “Ju jeni forca që më jep motivim çdo ditë. Çairi është familja jonë e madhe dhe ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë së bashku, me dashuri, punë dhe drejtësi”, theksoi Mexhiti në fjalën e tij para qytetarëve.
Por përtej emocioneve, mbrëmja e djeshme kishte edhe një domethënie më të thellë politike. Ishte momenti kur gara u kthye në shprehje të qartë të epërsisë së Mexhitit ndaj rivalëve të tij. Asnjë kandidat tjetër nuk arriti të gjenerojë një mobilizim të tillë, as në përmasë, as në intensitet emocional. Kjo prani masive e qytetarëve është indikator i fortë i lidhjes që Mexhiti ka ndërtuar me komunitetin e tij një lidhje që tejkalon kufijtë partiakë dhe që bazohet në përvojë, rezultate dhe besim.
Në një kohë kur politika shpesh shihet me skepticizëm, mbrëmja e madhe në Çair tregoi një tjetër realitet se kur lideri është i afërt me njerëzit, kur ka histori pune konkrete dhe integritet personal, qytetarët dinë të përgjigjen me entuziazëm dhe besim.
Kështu që, tubimi përmbyllës i Izet Mexhitit nuk ishte thjesht një event elektoral. Ishte një manifestim i fuqisë qytetare, një shenjë e qartë e gatishmërisë për ndryshim dhe për vazhdimin e një projekti që ka rrënjë të thella në jetën e përditshme të çairasve.
Prandaj, verdiktin final e japin qytetarët duke vlerësuar se cili është kandidati më i denjë për të qeverisur me komunën e tyre. Por, megjithatë qytetarët çdoherë anojnë nga ata prijës që e kanë dëshmuar veten edhe në nivel lokal. Përtej, politikave ditore në fund të ditës qytetarët kanë nevojë për një kryetar komune që hap dyert e komunës për të gjithë pa dallim, dhe jo për kryetar që mbyllen në zyre e në terren lëvizin larg syrit të qytetarëve. /Zhurnal.mk
