Çela: Në 2024-n u dënuan 10 001 të pandehur, 37,87% më shumë se një vit më parë

nga D. V.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela raportoi sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për ecurinë e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm për vitin 2024.

Çela u shpreh se, “viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar”.

Megjithatë, shtoi ai, “përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, e më tej intensifikimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale”.

Ai vlerësoi se, “gjatë vitit 2024 janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional”.

Duke folur për veprimtarinë e prokurorive të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Çela tha se, “në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209”.

Ky tregues, shtoi ai, “evidenton strukturën faktike me 65% të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35% të numrit të prokurorëve.

Në këtë vështrim, vijoi Kryeprokurori, “gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65% e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (55% e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmësmagjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61% e strukturës organike)”.

“Gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5% në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8% në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4% në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9% në krahasim me vitin 2023. Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6% krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6% në krahasim me vitin 2023”, tha Çela.

Po ashtu, ai shtoi se, “gjatë vitit 2024 janë përfunduar 24591 çështje që përbën rritje prej 5% të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2023, prej të cilave: 36,72% janë dërguar për gjykim, 33,89% janë pushuar, 26,91% janë pezulluar dhe 2,48% janë transferuar në prokuroritë kompetente”.

“Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6,44% e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63% e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë”, theksoi Kryeprokurori.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, Çela tha se, “nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87% të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm”.

Sa i përket veprimtarisë së Prokurorisë së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, Çela u shpreh se, “ngarkesa mesatare për prokurorë faktikë në vitin 2024, rezulton të jetë 391 çështje”.

Lidhur me treguesit e performancës së Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që evidenton numrin e kërkesave para gjykatës dhe çështjeve që prokurorët e apelit kanë përfunduar në gjykatën e apelit për vitin 2024, Çela u shpreh se, “rezultojnë 3804 kërkesa për çështje themeli dhe masa sigurimi, përfshirë heqje dorë nga ankimi, – ndërkohë që janë përfunduar 4297 çështje themeli dhe masa sigurimi. Raporti në përqindje i çështjeve të përfunduara me çështjet e regjistruara për vitin 2024 është 112,96%”.

Gjatë vitit 2024, shtoi Çela, “evidentohet se prokurorët e apelit kanë hequr dorë në 45,02% të ankimeve të ushtruara nga prokurorët të shkallës së parë për çështje themeli dhe në 31,46% të rasteve është kërkuar heqja dorë nga caktimi i masës së sigurimit;

Kanë kërkuar në 6,57% të kërkesave lehtësim të pozitës së të pandehurit (vetëm në 6,81% të rasteve gjykata ka vendosur lënie në fuqi të vendimit);

Kanë kërkuar në 15,16% të kërkesave prishjen e vendimit dhe vendosjen e pushimit ose pafajësi (në të gjitha rastet gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit);

Kanë kërkuar në 2,24% të kërkesave prishjen e vendimit dhe kthimi i akteve (në të gjitha rastet gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit);

Gjykata ka mbështetur kërkesën e prokurorit të apelit për lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë në 64,16% të rasteve dhe kërkesën e prokurorit për rëndimin e pozitës së të pandehurit në 51,18% të rasteve”.

“Lidhur me masat e sigurimit gjykata ka mbështetur kërkesën e prokurorit për lënien në fuqi të masave të sigurimit në 81,68% të rasteve”, tha Kryeprokurori.

Për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, Çela u shpreh se “Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë përfaqësuar organin e akuzës pranë Gjykatës së Lartë në 38 çështje, prej të cilave 18 gjykime themeli (nga 30 gjykime themeli në vitin 2023), 4 përfaqësime në gjykime për të njësuar/ndryshuar praktikën gjyqësore dhe 16 mendime për çështje të shqyrtuara në dhomë këshillimi, si dhe në cilësinë e subjektit të interesuar pranë Gjykatës Kushtetuese për 9 çështje (nga 22 çështje në vitin 2023)”.

Po ashtu, vijoi ai, “Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme gjatë vitit 2024, ka trajtuar 132 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 47; 137 praktika ekstradimi nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 71; 599 letërporosi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 219 ose 36,5%; 539 letërporosi nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, ndër të cilat janë përfunduar 125 ose 23,2%; 209 praktika shpallje në kërkim ndërkombëtar dhe 76 praktika heqje nga kërkimi ndërkombëtar; 285 urdhërarreste ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e huaja për shtetasit shqiptarë të cilët nuk mund të ekstradohen për shkak të shtetësisë shqiptare, nga të cilat 127 të përfunduara; 43 praktika transferimi i të dënuarve nga jashtë dhe 52 hetime pasurore”.

Nga Sektori i Dekriminalizimit, nënvizoi Kryeprokurori “janë pranuar 64 kërkesa për 64 subjekte të ligjit. Në total për 77 subjekte vetëdeklarues (të regjistruar në periudhat 2017-2024) është përfunduar verifikimi dhe janë përcjellë rezultatet e verifikimit, ndërkohë që 55 raste në total vijojnë të jenë në proces verifikimi brenda afatit ligjor të kryerjes së verifikimit”.

Gjatë vitit 2024, vijoi ai, “është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 405 procedime penale. Është realizuar përgjimi për 2361 pajisje fundore në përdorim të 2159 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 933 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 538 urdhra/autorizime të prokurorit”.

Në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2024, theksoi më tej Çela, “janë trajtuar 414 ankesa, të cilat janë administruar e analizuar në përputhje me ligjin dhe specifikat e situatës konkrete, përfshirë edhe ndërmarrjen e iniciativave për nxjerrjen e qarkoreve udhëzuese”.

Sa i përket problematikave, Kryeprokurori Çela theksoi se, “treguesit lidhur me rolin aktiv të prokurorit sa i përket rritjes së hetimeve kryesisht, hetimeve paralele financiare, hetimeve proaktive me rezultate efektive hetimore, tërheqin vemendjen për nevojën e forcimit dhe shtimit të kapaciteteve, rritjen e bashkëpunimit efektiv me organet e tjera ligjzbatuese dhe angazhimin më të lartë nga ana e prokurorëve.

“Plotësimi i organikave ne prokurorë të rinj në 2025 besojmë se do kontribuojë pozitivisht në këtë drejtim”, nënvizoi ai.

Edhe gjatë vitit 2024, shtoi Çela, “megjithë përpjekjet e bëra prej tyre, konstatohet e njëjta problematikë në koordinimin efikas me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të kërkesave për informacion dhe mbështetjes me të dhëna të sakta e të plota”.

Një tjetër problem, shtoi ai, “mbetet mbikëqyrja e ngarkesës, performancës dhe disiplinës në punë  e oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet tërhequr vëmendja e drejtuesve dhe prokurorëve për të ushtruar aktivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme autoritetin drejtues dhe kontrollues mbi policinë gjyqësore në përputhje me kompetencat e dhëna nga ligji”.

Sa i përket hartës së re gjyqësore, Çela tha se,  Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës.

“Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente”, tha ai.

“Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat”, theksoi Çela.

Kryeprokurori shtoi se, “problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim.

Ai vlerësoi se “ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për  sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre”.

Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme, Çela u shpreh se “gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duhet theksuar se në tërësi niveli i bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Posaçme ka qenë dhe vijon të mbetet shumë i mirë në të gjitha nivelet”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More