“Cenon të drejtat për një proces ligjor”, Mishetiq kundërshton ZPS-në për pranim në prova të disa deklaratave të mëhershme të Shukri Bujës

nga D V

Pasi ZPS-ja përfundoi pyetjet për dëshmitarin Shukri Buja, prokurori James Pace tha se do të kërkojnë pranimin e disa dokumenteve në prova materiale por që parashtrimi është i gjatë.

Kundërshtime pati mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq e i cili tha se Prokuroria nuk ka treguar se në cilat pjesë të deklaratave të 2003-ës dhe 2005-ës të këtij dëshmitari do të mbështetet. Ai e ka quajt cenim i të drejtave për një proces ligjor të drejtë që të mos dihet se çfarë pjesë të deklaratave do të përdor ZPS-ja.

“Me duhet të them që kjo cenon të drejtat për një proces ligjor të drejtë të mos dimë ne se çfarë pjesësh duan ata të përdorin”, tha Mishetiq duke shtuar se Trupi Gjykues i TPNJ-së dhe ai në rastin Limaj e kanë quajtur deklaratën e Bujës në 2005 si të pavërtetë.

Kur prokurori tregoi se ka listë të gjatë për paraqitjen e provave, kryegjyqtari i udhëzoi që ta dorëzojnë me shkrim sot dhe mbrojtja t’i paraqes në të njëjtën formë kundërshtimet.

Por, Pace propozoi që të mos veprohet kështu me arsyetimin se është e rëndësishme që para se të fillohet me kundërpyetje, mbrojtja të kuptoj se çfarë është pranuar dhe çfarë nuk është pranuar. Sipas tyre kjo është në përputhje me vendimet e gjykatës në mënyrë që të mos jetë nevoja që të thirret edhe njëherë dëshmitari pasi t’i kenë përfunduar pyetjet palët.

Pace tha se është mirë që me email t’i dërgojë numrat por që tash dëshiron që të tregoj se ata parashtrojnë që të pranohen materiale si deklaratat e dëshmitarit të dhënë në 2003-ën dhe 2005, si dhe pjesa tjetër e deklaratave-pjesët me të cilat është ballafaquar dëshmitari (disa pjesë të deklaratave të 2001, 2002 dhe seanca e 2011-ës në lëndën Arben Kransiqi dhe të tjerët).

Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit thanë se kanë kundërshtime. Me kërkesën e Mishetiqit u largua dëshmitari me arsyetimin se është nevoja që të bëhen parashtrime në mes palëve.

Mishetiq tha se po kërkohet që të pranohen dy deklarata që janë thellësisht kontradiktore dhe ZPS-ja nuk ka treguar se cilat pjesë të deklaratave po i përdorin si të vërteta.

“Nuk na ndihmon kjo situatë. E kuptoj unë se çfarë po përpiqet z.Pace, por në rrethana aktuale kjo situatë nuk na ndihmo të na thuash që deklarata e 2003-2005 janë të rëndësishme apo kontradiktore. Ai thotë që këto janë pranuar përpara dhe ne kemi dijeni. Po tani po kërkohen të pranohen dy deklarata që kanë pjesë që janë thellësisht kontradiktore dhe Prokuroria nuk e ka nxjerrë se cilat pjesë të deklaratave po përdorin si të vërteta. Qëllimi i tij është i pakuptimtë. Ose të na thonë ‘ne zgjedhim këtë deklaratë të 2003, këtë të 2005’ edhe kështu me radhë”, tha Mishetiq.

Si rrjedhojë, ai shpjegoi kundërshtimet duke thënë që sipas tij deklaratë e pranuar në prova duhet të jenë vetëm pjesët që janë shfaqur dëshmitarit.

“Kundërshtimet tona janë si një vijimi: e para njëherë e kemi dhënë kundërshtimet që kemi bërë për përdorimin e Rregullës 143- pjesën që dëgjuam sot paradite që Trupi Gjykues ka thënë fjala ‘deklaratë’ sipas rregullës 143 nënkupton tërësinë e deklaratës. Ata thonë se duan të pranojnë edhe deklarata të plota por edhe pjesëza të deklaratave të tjera. Ndonëse Trupi Gjykues ka thënë e ‘deklaratë’ nënkupton deklaratën në tërësinë e vetë. Deklaratë sipas meje duhet të jenë vetëm pjesët që janë shfaqur dëshmitarit, por ju keni dal me vendim që ka kuptim tjetër”, tha ai.

Mbrojtja e Thaçit tha se po cenohet e drejta për një proces ligjor dhe të drejtë fakti që nuk e dinë se çfarë pjesësh të deklarata po përdor ZPS-ja.

“Ka kontradikta në ato që ka thënë dëshmitari. Ju keni urdhëruar redaktime të këtyre pjesëve. Nëse nuk do të ishin të pranueshme sipas rregullës 154, tani po thonë hajt të përdorim 143 që të pranojmë të gjitha, ndonëse keni kërkuar që disa pjesë të redaktohen. Qëndrimi ynë është që në kuadër të rregullës 154 duhet të ishin nxjerrë informacione live për pjesët që ishin kontradiktore. Të kishin bërë këtë që më pas ta diskreditonin a po ta fajësonin në sallën e gjyqit.  Po nuk mund të thonë; po i përdorim të dyja rregullat, pranojeni të gjitha dhe mbrojtja e din se për çka  e kemi fjalën.  Me duhet të them që kjo cenon të drejtat për një proces ligjor të drejtë të mos dimë ne se çfarë pjesësh duan ata të përdorin”, tha Mishetiq.

Ai madje përmendi se TPNJ-ja dhe Trupi gjykues në rastin e Limajt ka potencuar se deklarata e 2005-ës e dëshmitari nuk është e besueshme. Si rrjedhojë, Mishetiq i përmendi ZPS-së Kodin e Etikes duke thënë se të kërkosh të pranohen në prova pjesë të deklaratës që janë cilësuar si të pabesueshme nga disa gjykata të tjera, bie në kundërshtim me këtë kod.

“Duhet thënë se deklarata e 2005-ës, si nga Trupi Gjykues i TPNj-së si nga Paneli edhe Trupi Gjykues të Limajt se nuk kanë qenë të besueshme. Ky ka qenë përfundimi. Pra, kjo cenon nenin 10 (c) dhe 30 të Kodit të Etikës që të kërkosh të pranohen pjesë të deklaratës të 2005 për vërtetësinë e përmbajtjes kur vetë Trupi Gjykues në çështjen Limaj ka dal në përfundim tjetër dhe këta e bëjnë dhe thonë që këto pjesë janë të vërteta”, tha Mishetiq duke kërkuar sqarim për këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa, mbrojtja e Veselit përmes avokatit Rodney Dixon tha se duhet që ZPS-ja të përcaktojë se cilat janë pikëpyetjet, mospërputhjet, ku po gënjejnë apo cilat janë pjesët e vërteta të dëshmisë së këtij dëshmitari.

““Ne duam të shohim se çfarë ka në email, se Prokuroria duhet fillimisht të përcaktojë se cilat janë mospërputhjet, ku i kanë pikëpyetjet për këtë dëshmitar, ku po gënjen dhe cilat janë pjesët e vërteta. Fillimisht duhet evidentuar mospërputhjet ose të trajtojmë besueshmërinë ose mospeputhshmerinë e përmbajtjes së këtij dëshmitari. Ata mund ta bëjnë. Dua  të shoh këtë emaili që t’i përgjigjem. Të thonë se çfarë provash kanë dhe të dalin me qëndrimin e tyre me këtë dëshmitarë  që n ta kemi të qartë”, tha Dixon

Prokurori Pace citoi një parashtrim të Trupit Gjykues në këtë çështje gjyqësore ku thoshte se pasaktësia  e pretenduar nuk pengon pranimin në prova të një materiali të caktuar.

“Gjithashtu edhe në vendimin për sa i takon parashtrimi… në të njëjtin dokument parashikohet se një palë nuk ndalohet nga ofrimi i provave të ndrysmë na një dëshmitar në qoftë se e bën të plotë ose të qartë që nuk po përpiqet që të mbështetet në një apo më shumë dëshmi sa i takon vërtetësisë apo përmbajtjes së kredibilitetit të dëshmitarit në fjalë. Kjo do të siguroj që Trupi Gjykues të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm përpara tij për ta vlerësuar besueshmërinë e dëshmitarit dhe mbeshtetshmerinë në dëshminë e tij.

Ndërsa sa i takon pranimit të deklaratës në tërësi në raport me atë pjesërisht, Pace iu referua një vendimi tjetër të Trupit Gjykues. Sipas tij, aty parashikohet se deklarata e mëparshme që është jopërputhese përmbush kriteret 138/143 dhe kjo është çështje diskrecioni për të vendosur nga Trupi Gjykues se në çfarë forme mund të pranohen deklaratat.

Pace më tej tha se nuk ka kundërshtim nëse mbrojtja preferon që t’i marrë në tërësi deklaratat e këtij dëshmitari.

Lidhur me pretendimin për shkeljen e të drejtës për gjykim ligjor për të akuzuarit, Pace tha se  ata nuk kanë asnjë detyrim sa i takon mospërputhshmërive që pretendohet se ekzistojnë në dëshmitë e këtij dëshmitari

“Ne nuk kemi asnjë detyrim sa i takon mospërputhshmërive që pretendohet se ekzistojnë në dëshmitë e këtij dëshmitari. Ne nuk kemi dëgjuar asgjë sa i takon bazës ligjore për kërkesa të tilla. Ne kërkojmë që komentet e tilla të mundtë pranohen por vetëm për qëllimeve të kufizuar. Për këtë arsye, përmbajtjet duhet të vlerësohen në kuadrin e besueshmërisë së dëshmitarit…Ta vendosesh Prokurorinë në një pozicion të tillë që të përzgjedhë ato pjesë të cilat janë thelbësore për qëndrimin e vetë, është diçka e cila nuk ka të bëjë fare me vërtetësinë e asaj çfarë është thënë nga dëshmitari dhe është e parakohshme”, tha Pace.

Pace tha se ata e lexojnë si të besueshme deklaratën që Mishetiq e quan jo të besueshme.

“Sa i takon parashtrimeve të mbrojtjes së Thaçit që kanë të bëjnë me deklaratën si të pabesueshme. Ne e konsiderojmë atë të besueshme sepse kështu e lexoj vendimin e bërë nga ATP-ja”, tha ai.

Mishetiq citoi një udhëzim ku thuhet se një palë nuk ndalohet që të kërkojë pranimin e deklaratave nga një dëshmitarë nëse e bën të qartë që nuk kërkon të mbështetet në këto deklarata për vërtetësinë e përmbajtjes.

Ai tha se Prokuroria duhet ët identifikojë pjesët në të cilat mbështetet dhe nga ana tjetër duhet ta diskreditoj dëshmitarin.

Pas disa diskutimeve të tjera, kryegjyqtari vendosi ashtu siç kishte propozuar në fillim që lista e materialeve të marrin një numër provizor dhe vendimi të merret pasi që janë shqyrtuar parashtrimet e palëve tjera.

Buja thotë se nuk kanë pasur organe të hetuesisë ose gjykata në UÇK

(Përditësuar, ora 12:48)- Dëshmitari Shukri Buja deklaroi në Hagë se në rast që kanë ndodhur sjellje joadekuate të ushtarëve ndaj civilëve, nuk ka pasur organe të hetuesisë në UÇK ose gjykata për t’u marrë me çështje të tillë.

“Ndonjë masë disiplinore mund të jetë trajtuar, por për shkelje të tjera nuk kemi pas asnjë kompetencë si Zonë Operative e luftës. S’kemi pas mekanizma, s’ka pas gjykatë, s’ka pas hetuesi ose organe të drejtësisë. Unë e potencova atë Rregulloren dhe nëse ka pas shkelje disiplinore ne kemi mujt me marrë masa deri në atë shkallë sa ka qenë mundësia rregullative për me marrë masa si komandë e zonës”, tha Buja.

Kjo deklaratë e ish-komandantit Buja erdhi pasi prokurori James Pace pyeti dëshmitarin se a e di nëse ndonjë ushtar i UÇK-së në Zonën e Nerodimes të jetë hetuar nga UÇK-ja për mënyrën se si ka trajtuar ndonjë civil, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“S’kemi pas mekanizma për formë të tillë se bindja ime ka qenë që civilët të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet ta keni parasysh se ne në atë kohë kemi bërë luftë të ashpër për fitimin e simpatisë brenda popullit tonë për të krijuar simpatinë e faktorit ndërkombëtar dhe çdo veprim i yni në drejtim të civilëve që mund të krijonte përshtypjen e veprimit kriminal apo terrorist, na dëmtonte si UÇK. Hetimet për ndonjë ushtar kanë mund të ndodhen pas luftës, por unë e kam këtë bindje”, tha Buja.

Tutje, ai u pyet nëse UÇK-ja ka hetuar ose shqiptuar ndonjë dënim në raste të keqtrajtimeve që kanë mundur të ndodhin gjatë luftës.

“Unë nuk besoj që kanë mujt me hetu sepse nuk ka pas mekanizëm për të hetuar…”, tha ndër tjerash Buja, duke përmendur se nuk kanë pasur gjykatë e as hetuesi.

Me kaq përfunduan pyetjet e ZPS-së për këtë dëshmitar, megjithatë vazhduan diskutimet për pranimin e provave materiale.

Buja thotë se nuk di raste kur është kryer ndonjë krim nga anëtarët e UÇK-së, në seancë private ishte diskutuar për rastin e një personi

(Përditësuar, ora 12:38)- Dëshmitari Shukri Buja tha se nuk ka pasur asnjë raport zyrtar e as jozyrtar për të ndaluar në Bob dhe Ivajë (fshatra në Kaçanik) rreth shkurtit apo marsit të 1999-ës.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyejtet e prokurorit James Pace, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Megjithatë, në seancë private për pak minuta ishte diskutuar për ndalimin e një personi, nga UÇK-ja, gjë të cilën e la të nënkuptohet prokurori. Kjo ndodhi për shkak se Pace e pyeti sërish Bujën, duke i thënë se përveç personit që diskutuan në seancë private a di ai ndonjë rast për heqje lirie, keqtrajtimi apo ndonjë krim tjetër të kryer nga anëtarët e UÇK-së gjatë 1998-’99-ës.

“Nuk kam pas ndonjë informacion dhe nuk besoj që ushtarët e UÇK-së, në veçanti eprorët e Zonës së Nerodimës të kenë marrë ndonjë veprim të tillë. Prandaj edhe gjatë gjykimit që ka ndodhë për Ejup Runjevën, unë kam dyshuar në vërtetësinë e atyre vendimeve”, tha Buja.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një listë nga Policia Serbe në Kaçanik, ku përmendet lista me persona për siguri lokale e që ishin pasqyruar edhe në librin e Hajrush Kurtajt.

“Kam dëgjuar, por pjesën e masluftës më shumë se ka pas njerëz të rekrutuar nga forcat serbe në Kaçanik dhe rrethinë. Gjatë luftës ka pas fjalë dhe mbas luftës janë konkretizuar më shumë. Ky dokumenti që po paraqitet, është një dokument i forcave serbe i cili po jep me emra e mbiemra. Vërtetësinë e këtij dokumenti nuk mund ta them sepse nuk e di”, tha Buja.

Prokurori Pace ia prezantoi dëshmitarit një libër të Hajrush Kurtajt, ku tha se për kontekst aty flitet për Luftën e Kotlinës më 24 mars 1999.

Ai tha se në libër thuhet që shumë vendas shqiptarë kanë qenë pjesë e luftës si dhe shumë persona që kanë qenë të përfshirë në listën e mbrojtjes së Kaçanikut të cilët janë drejtuar nga persona të ndryshëm nga ai vend, duke përmendur emra si; Sefullah Mulaku, Isak Luta, Bashkim Loku, Shaip Reka, Qamil Reka, Bektesh Dardishta, Isa Dardisha, e të tjerë.

“Më tej thuhet se; këta të gjorë, me apo pa vetëdije ishin vënë në shërbim të okupatorit, në dëm të popullit shqiptar”, tha prokurori, duke iu drejtuar dëshmitarit se këto fjalë, janë vënë në një libër ku ai ishte bashkë-recensent.

Dëshmitari Buja tha se me gjasë Kurtaj është thirrur nga dokumente serbe, për të cilat ai nuk e di vërtetësinë e tyre.

“Unë nuk mund të komentoj komentet e autort. Besoj që ai vetë mund ta sqarojë se pse ka bërë komente të tilla”, deklaroi Buja, duke shtuar se ai personalisht nuk e ka lexuar librin por që i ka lexuar materialet për magjistraturën e tij e që këto pjesë nuk kanë qenë.

Prokurori tha se kanë informacion që personat që u përmenden janë në mesin e atyre të ndaluar në vende të ndryshme si Bob dhe Ivaja rreth marsit të ’99-ës.

“Nuk kam informacion”, tha Buja, i cili po ashtu u pyet se a ka dhënë udhëzime që dikush të dërgohet në Kleçkë.

“Nuk po më kujtohet, por në qoftë se ka kërkuar me shku në Kleçkë dhe unë  kam qenë aty, normal që kam udhëzuar ushtarët që ta përcjellin deri në Kleçkë”, tha Buja.

Dëshmitarit iu prezantua një deklaratë që pretendohet se e ka dhënë më 2003, ku ai kishte thënë ‘kur ka ndodhur një arrestim dhe kur më kanë pyetur se çka të bëj, thjesht kam thënë nise për në Kleçkë, që do të thotë faktikisht në Kleçkë i kemi orientu se s’kam ditë diku tjetër për shkak të asaj që unë s’kam qenë personi që iu ka caktu përgjegjësia për këtë”.

Ndërsa, në një dokument tjetër pretendohet se dëshmitari ka thënë se personat që arrestoheshin nuk e ka ditur se ku dërgoheshin, por që thjeshtë ai i ka orientuar për në Kleçkë për shkak se mendohej se njerëzit përgjegjës për këto çështje janë atje.

Gjithashtu, pretendohet se dëshmitari është pyetur se orientimi për në Kleçkë a ishte për shkak se ai e konsideronte si pikë komanduese. E Buja thuhet se e kishte pohuar dhe kishte thënë “Faktikisht aty merrja udhëzime nga Komandant Çeliku”.

Kurse në deklaratën e 2005-ës, pretendohet se dëshmitari ka thënë “interpretimi i fjalës arrestim ishte i gabuar për shkak se unë nuk i kam arrestuar njerëzit. Unë i kam ndaluar njerëzit dhe kur kam dyshuar tek ata unë jam mundu të qartësoj se pse ai njeri ka ardhur në atë territor dhe normalisht kur nuk kam mundur që të vendos, atëherë i kam nisur ata në Kleçkë sepse atje ka pasur njerëz që mund t’i njohin. Ka pasur njerëz edhe të Shtabit të Përgjithshëm të cilët kanë munduar që të orientojnë këta njerëz dhe të tregojnë se çfarë të veprohet me ata, ku të shkojnë, a të lirohen, a të hyjnë në territor të luftës, apo të mos lejohen. Ky ka qenë kuptimi i këtij veprimi”.

Sot, Buja tha se i saktë është interpretimi që ka bërë në deklaratën e 2005-ës.

“Fjala arrestim është përdorë nga hetuesi dhe unë e kam sqaru që nuk ka pas të bëjë me arrestim sepse unë nuk kam arrestuar njerëz. Unë e thash edhe më herët që i kemi ndaluar njerëzit, i kemi identifikuar dhe në rast dyshimi që ai njeri ka qëllime jo të mira për UÇK-në, atëherë është insistuar që ta kthejmë mbrapa. Në rast që ai ka insistuar që të shkojë në vend të caktuar, atëherë e kemi nis në drejtim të Kleçkës se atje ka pasur më shumë njerëz, ka qenë territor më i lirë dhe ka mujt me e njoftë ndonjë person aty, ndonjë që ka qenë ushtar i UÇK-së apo epror në mënyrë që të përcaktohet se a do të lirohet që të shkojë”, tha Buja.

Ai shtoi se këtë e kanë bërë nga kujdesi për të mos lejuar që njerëzit të nxjerrin apo marrin informacione për UÇK-në dhe forcën e saj.

Dëshmitari, më 2005 kishte folur për një traktor që e kishte ndalur me burra civilë, e që pretendonin të shkonin në drejtim të fshatrave të Rrafshit.

“Traktori që kam ndal më 23-24 korrik, unë e kam ndalur sepse ata ishin burra, ishin civilë dhe pretendonin të shkonin në drejtim të fshatrave të Rrafshit dhe për këtë e kam ndalur. Normalisht unë nuk kam mundur që të vendos se si të veproj me traktorët. Pyetje; ju u përpoqët që të vendosnit kontakte me Kleçkën, a është kështu? Përgjigje; Po jam përpjekur që të vendos kontakte me Kleçkën që të shihja se çfarë të bëja, çfarë të bëja me këtë traktorin me civilët. Pyetje: Më vonë ju zhvilluat një bisedë me Fatmir Limajn lidhur me traktorin në Llapushnikut, a është kjo e saktë? Përgjigje: unë kam zhvilluar më shumë bisedë rreth këtyrë çështjeve për shkak se më dukej që nuk kam bërë një veprim të drejtë kur i kam lejuar traktorët…unë kam biseduar jo vetëm me Fatmir Limajn por me shumë të tjerë, sidomos edhe me Jakup Krasniqin se mos kam vepruar a mos i kam çuar drejt vdekjes apo vrasjeve që kanë mundur të ndodhin nga forcat serbe apo pushtuese nga këta traktorë”, lexoi prokurori nga deklarata e dëshmitarit.

Për këto, Buja tha se vërtetë atëherë e ka pasur brengën se kur i kanë lejuar që të kalojnë traktorët ka qenë një shqetësim pasi para kësaj dite kishin ndodhur masakra ndaj civilëve e që rrezikshmëria tani ishte e madhe.

Ai më pas u pyet se a është e vërtetë që disa burra në traktorë i kanë thënë që po vijnë nga burgu i Llapushnikut, pasi sipas prokurorit, Buja një gjë të tillë e kishte thënë më 2003.

“Në vitin 2005 kur e kam shtru këtë çështje kam thënë që nuk e kam pas deklaratën për të bërë përmirësime. Unë kam folur me fjalë të tjerëve dhe unë nuk e di saktë se si është gjendja e tyre… kanë qenë meshkuj të moshës madhore. Ndërsa, ka pas edhe traktorë të tjerë të cilët janë lëshu në drejtim të rrafshit të cilët jemi mundu me i ndal për shkak të rrezikshmërisë së naltë. Kjo është ajo që kam thanë edhe më 2005”, tha Buja.

Buja tha s nuk i kujtohet nëse rreth shkurtit të ’99-ës është takuar me ndonjë nga ndërkombëtarët e po ashtu nëse ka biseduar me dikën jashtë UÇK-së për të ndaluarit.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një raport që pretendohet se ishte lëshuar nga misionet ndërkombëtare në Kosovë gjatë kohës së luftës, e që flitet për një takim me Shukri Bujën, i cili pretendohet se ka deklaruar se të ndaluarit shqiptarë mund të takoheshin me familjet e tyre.

“Nuk më kujtohet, por ka mundësi ta kem thënë”, tha Buja.

Buja tregon për masat disiplinore që janë marrë në UÇK, thotë se ka pasur një vend në brigadë për mbajtje

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, Shukri Buja tregoi në Hagë për masat disiplinore që kanë pasur mundësi që të merren në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndaj ushtarëve që kanë thyer rregullat.

Ai tha se ka pasur në brigadë një vend (dhomë), ku kanë mundur që të mbaheshin ushtarët por që nuk ka qenë vendndalim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ka qenë një vend në oborrin e komandës së brigadës por që nuk ka qenë vendndalim. Ka qenë një dhomë ku kanë qëndruar dhe kanë pas të drejtën që të dalin në oborr apo të shkojnë në kuzhinë të punojnë. Kjo ka qenë rregullativa”, tha Buja kur u pyet se a ka pasur në ose rreth Zonës Operative të Noredimes ndonjë vend ku ndaloheshin ose mbaheshin ushtarët.

Buja tregoi për sjelljet që mund të pasonin që një ushtar të dërgohet në një vend të tillë.

“Me i rreziku ushtarët e tjerë me të shtëna në ndonjë objekt ose ka shkelë ndonjë rregull tjetër disiplinore është marrë masa. Kjo ka qenë kompetencë që e ka shqyrtu zyra ligjore në bazë të asaj rregullore dhe pastaj ia ka sjellë komandantit për nënshkrim”, tha Buja, duke shtuar se nuk i kujtohet një rast i veçantë.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktë se sa ditë më së shumti ka mundur të mbahet një person atje.

“Sa po më kujtohet, ka qenë deri në 20 ditë sipas asaj rregullore”, tha Buja tutje.

Më pas, prokurori James Pace i tha dëshmitarit që në një rast tjetër kishte thënë 25 ditë. Ndërsa, Buja tha se mund të jetë edhe kjo por që nuk e di saktë.

Bujës iu prezantua një rregullore që pretendohet se është përdorur nga ushtria. Megjithatë, për një pikë të saj dëshmitari tha se nuk ka mundur të zbatohet sepse nuk kanë pasur gradime në ushtri.

Kjo pikë thoshte se si masë disiplinore ishte edhe “shkarkim nga detyra e komandantit të skuadrës dhe heqja e gradës tetar dhe rreshter”.

“Kjo po më bën përshtypjen që kjo është një rregullore që mund të jetë e Shqipërisë”, tha Buja.

Ndërsa, pika për ndalim disiplinor, dëshmitari tha se përkon me masat që i kanë marrë. E i pyetur e a ka dërguar ndonjë civil apo ushtar të arrestuar ose ndaluar në Kleçkë, Buja tha se “nuk e di që ka pas të arrestum, por fjalë ka pas. Në popullatë ka pas shumë fjalë”.

Por, ndonëse përgjigja e tij nuk ishte për pyetjen që u bë, prokurori e ripërseriti atë që dëshmitari tregoi se në ushtri gjatë ’98-ës kanë pasur pika kontrolli.

“Jo si të arrestuar asnjëherë, por gjatë ’98-ës kemi pas pika ku i kemi ndaluar njerëzit. Në këto pika janë legjitimuar dhe janë shikuar se kush janë dhe pse po hyjnë në territorin që e ka kontrolluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në rast se kemi dyshuar, janë kthyer mbrapa ose është përcjellë me ushtarë deri në vendin ku ka pas synimin për me shku dhe kjo ka qenë për shkak të mosidentifikimit të pozicioneve tona të forcës ushtarake që kemi pas. Këto kanë qenë disa nga masat që janë ndërmarrë në atë kohë”, tha ai.

Ai tha se në një rast edhe vëllai i tij ishte legjitimuar kur kishte marrë rrugën për të shkuar në Negroc.

“Ka pas raste kur është ndalu edhe vëllai im i cili ka qenë anëtar i kryesisë së LDK-së dhe në kërkesën e tij për të shkuar në Negroc dhe ushtarët kanë dyshuar sepse në Negroc nuk kanë pas arsye. Ai ka thanë që do ta takojë zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Ata kanë dyshuar sepse Negroci nuk ka qenë ndonjë pikë në të cilën ata kanë besuar që mund të jetë zëdhënësi i UÇK-së dhe normalisht e kanë përcjellë me ushtarë deri në Negroc ku ma vonë e kemi kuptur që Negroci është vendlindja e Jakup Krasniqit”, tha Buja.

Dëshmitari u pyet gjithashtu se a i kujtohet që ka dhënë udhëzime që dikush të dërgohet në Kleçkë. Lidhur më këtë, ai tha se udhëzimet kanë ardhur nga komandantet e njësive.

“Në rast që unë kam dhënë ndonjë udhëzim kam thanë që ushtarët të kenë kujdes dhe të mos futen njerëz që mund të përcjellin informacione dhe të jenë të kujdesshëm se ku po shkojnë njerëzit që ata dyshojnë se kanë qëllime jo të mira. Realisht ushtarët e kanë përcjellë ashtu siç ka dyshuar dikush nga qytetarët. Kur kanë dyshuar e kanë përcjellë ushtarët”, tha ai.

Krejt në fillim të seancës, dëshmitarit iu prezantua një dokument që një ushtar po kërkohej që të raportonte në brigadë për shkak të sjelljes së tij.

Dje dëshmitari kishte thënë se sjellja e personit nuk ishte justifikuar për një ushtar dhe ai duhej të raportonte në brigadë për shkak të sjelljes së tij. Andaj, ai tha se me këtë çështje është marrë brigada që si masë ka qenë kufizimi i veprimit të tij ose marrja e armës.

“Ushtari që ka qenë i padisiplinuar, i është marrë arma dhe është dërguar për të punuar në kuzhinë”, tha Buja.

Buja tha se masa të tilla merreshin për shkak të ndonjë raportimi jo të saktë, të shtënave kur s’ka pasur luftime apo vepër tjetër e cila ka qenë shkelje e disiplinës së brendshme ushtarake. Tha se rregullat e brendshme disiplinore gjendeshin në Rregulloren e brendshme të UÇK-së të cilën e ka marrë nga zyra e Adem Demaçit.

“Sa më kujtohet ka qenë rregullore e përshtatur nga Ushtria e Shqipërisë për rregullat e brendshme të ushtrisë”, tha Buja.

Buja theksoi se këto rregullore kur i kanë marrë nuk i kujtohet koha e saktë, por që ishte diku dhjetor 1998- janar 1999.

“Ka qenë komandanti i Brigadës”, tha dëshmitari kur u pyet se kush kishte të drejtë që të merrte masa të tilla në brigadë.

Ndërsa, për nënzona, dëshmitari tha se është marrë vendimi nga komandanti i zonës ndërsa hartimi ka qenë nga drejtori i zyrës ligjore.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Gjithashtu, Buja është i përfaqësuar nga avokati Taulant Hodaj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More