Çështja e hapjes së urës së Ibrit në Mitrovicë është kthyer në temë diskutimi javët e fundit. E lidhur me këtë janë deklaruar edhe presidentja e shtetit Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.
E para e shtetit tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani për Evropën e Lirë.
Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Presidentja Osmani tha se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë”.
“Çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”, theksoi Osmani.
Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.
Sipas Osmanit, rihapja e temës së urës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme.
“Kjo çështje ka përfunduar sa i përket dialogut me Serbinë, por duhet të ketë koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me NATO-n”.
Presidentja theksoi se koordinimi brenda Kosovës me aleatët do të ndikonte edhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe do të rriste besimin dhe entuziazmin për të ndihmuar Kosovën edhe në rrafshin e njohjeve të reja dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, Osmani tha se ato, gjatë dy vjetëve të fundit, janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por theksoi se ndonjëherë ka nevojë për më shumë hapësirë që të diskutohet me qytetarët, që të kuptohet qëllimi.
Osmani i vlerësoi të tmerrshme për qytetarët në veri ato që ajo i quajti ndërhyrje ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës nga Vuçiqi. Presidentja deklaroi se nuk mund të ketë integrim të qytetarëve serbë në veri, derisa ata, sipas saj, janë nën presion të bandave kriminale.
E për hapjen e urës ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ai ka thënë se ura e Ibrit duhej të ishte hapur që pas çlirimit të Kosovës, duke shtuar se vonesa për hapjen e saj është e pajustifikueshme.
Sipas tij, vërejtjet e ndërkombëtarëve për këtë çështje po merren në konsideratë, por theksoi se hapja e urës është një nevojë urgjente.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti u shpreh se Evropa ka shembur të gjitha muret ndarëse, dhe se edhe Ura e Ibrit duhet të hapet.
Ai nënvizoi se qëllimi është që ky veprim të kryhet sa më parë, duke garantuar që procesi do të jetë i koordinuar me partnerët evropianë dhe amerikanë.
“Hapja e urës është një veprim i domosdoshëm për të gjithë qytetarët, pa përjashtim,” tha Kurti.
Kryeministri theksoi se shteti është shumë vonë në hapjen e urës, duke përmendur se ajo duhej të ishte hapur që kur Kosova u çlirua 25 vite më parë, kur u shpall pavarësia 16 vite më parë, dhe më pas sipas marrëveshjes së Brukselit tetë vite më parë.
Ai shtoi se hapja e urës do të lehtësonte lëvizjen e lirë për qytetarët dhe mallrat në të dy anët e lumit, duke forcuar sundimin e ligjit.
Kurti gjithashtu bëri thirrje për mirëkuptim nga ana e të gjithë aktorëve të përfshirë, duke nënvizuar se sundimi i ligjit dhe liria e lëvizjes duhet të jenë të vlefshme për të gjithë Kosovën, përfshirë urën mbi lumin Ibër.
Ai tregoi optimizëm për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që do të garantojë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Në fund, Kurti theksoi se procesi i hapjes së urës është bërë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetet lokale, duke siguruar që çdo aspekt teknik dhe estetik të merret parasysh.
“Hapja e urës është një hap drejt përparimit të përbashkët,” përfundoi ai.