Agjencia Zhurnal.mk

Çështja e Mesdheut Lindor: Greqia dhe Qiproja Greka dalin duarbosh nga takimi i BE-së

Thirrja e Greqisë dhe administratës qipriote greke për të dënuar veprimet e fundit të Turqisë në Mesdheun Lindor nuk mori mbështetje nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për të folur me mediat, gjatë një video-konference të kryediplomatëve të BE-së thirrja e Greqisë dhe Qipros Greke nuk ka marrë mbështetje nga shumë anëtarë të bllokut evropian, veçanërisht nga Gjermania dhe nga administrata e BE-së.

Në një postim në twitter pas takimit, shefi i politikës së jashtme i BE-së, Josep Borrell, shkroi: “Mesdheu Lindor: Në solidaritet të plotë me Greqinë dhe Qipron, duke kërkuar nga Turqia për de-eskalim të menjëhershëm dhe ri-angazhim në dialog”.

Përderisa u mbajt takimi i kryediplomatëve të vendeve të BE-së përmes video-konferencës, kjo çështje u konsiderua jozyrtare dhe nuk pati asnjë vendim të përbashkët në fund të takimit.

Megjithatë, ministrat mund të udhëzojnë grupet e tyre të punës që të përgatisin rezultatet e takimit. 

Çështja e Mesdheut Lindor 

Në fillim të kësaj jave, Turqia rifilloi kërkimet e energjisë në rajonin e Mesdheut Lindor pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme detare për delimitimin. 

Marrëveshja erdhi vetëm një ditë pasi Ankara tha se do të prolongojë kërkimet e saj të naftës dhe të gazit si një gjest i vullnetit të mirë. 

Por pas shpalljes së marrëveshjes greko-egjiptiane “të pavlefshme”, Turqia autorizoi anijen e kërkimeve sizmike Oruç Reis të vazhdojë aktivitetet e saj në një zonë brenda ndarjes kontinentale të vendit. 

Anija do të vazhdojë misionin e saj dy-javor deri më 23 gusht së bashku me anijet Cengiz Han dhe Ataman.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se e vetmja zgjidhje për mosmarrëveshjen është ajo përmes dialogut dhe negociatave, si dhe kërkoi nga Athina të respektojë të drejtat e Turqisë.

Turqia në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për të shpallur një zonë ekskluzive ekonomike të bazuar në ishujt e vegjël pranë brigjeve turke duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...