Çfarë “interesa” mund ta lidhin Ejup Rrustemin me Beogradin, që e nderoi kryeministren e Serbisë për “Open Ballkan”-in?

nga Redaksia

Shkup, 17 korrik – Tani pagesat rrugore në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi do të mund të paguhen përmes një sistemi të përbashkët që quhet TAG.. Kjo do të thotë që udhëtarët dhe shoferët e makinave nuk do të duhet të ndalojnë në pikat e pagesës për të paguar, por do të tarifohen përmes pajisjes në të dy vendet.

Ky sistem është pjesë e projekteve të nismës “Open Ballkan” dhe do të mundësojë lëvizje të papenguar nëpër territoret e të dyja vendeve. Në promovimin e këtij aktiviteti kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kolegia e tij serbe, Ana Brnabiq theksuan se ky është konfirmimi më i mirë se “Open Ballkan” është një iniciativë që prodhon rezultate, që funksionon dhe që njerëzit e duan. Në vetëm tre muaj, inxhinierët serbë dhe maqedonas arritën të krijojnë zgjidhjen për një grumbullim të vetëm elektronik të tarifave.

Vetë kryeministri me ministrin e transportit Boçvarski udhëtuan me makinë nga Shkupi me një kartë M-TAG të blerë në Maqedoninë e Veriut dhe e provuan nëse kjo funksion pa probleme. Deri në fund të kësaj jave do të bëhet zgjidhja për qarkullimin e mallrave, kështu që do të mund të kalojnë edhe kamionët me të njëjtin sistem. Kjo metodë e pagesave lehtëson kalimin në pikat pagesore, që përpara shkaktonte pritje të gjata. Gjithashtu kjo kontribuon në qarkullimin e lirë të turistëve, ndërsa numri i turistëve serbë në dy vitet e fundit është rritur për 500% në krahasim me para themelimit të nismës Ballkani i Hapur. Ajo që pritet në të ardhmen është futja e një zgjidhje softuerike për lëvizjen dhe punësimin e punëtorëve, përmes së cilës të gjithë do të mund të regjistrohen në Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri, pa procedura administrative që sot zgjasin tre muaj, shkruan Zhurnal.

Deri këtu, është gjithçka në rregull, por ajo që është interesante se në këtë event ka marrë pjesë edhe drejtori i Rrugëve Shtetërore, Ejup Rrustemi, i cili duket se e ka harruar misionin e tij në pozitën që e ka. Korridori 10 që lidh Maqedoninë e Veriut me Serbinë dhe Greqinë thuajse është bërë i tëri, por ka dështuar për vite të tëra të rregullohet ashtu siç duhet dhe të jetë i barabartë në këtë ndërtim edhe Korridori 8 që lidhë Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Më e keqja, e gjithë kësaj katrahure në infrastrukturën e rrugëve është se ka ngelur për “turpin e botës” edhe pas 30 viteve shtet, të ndërtohet një segment prej 12 kilometra që e lidhë kryeqytetin, Shkupin me Republikën e Kosovës.

Rrustemi, siç duket më shumë është i interesuar për projektet e “Ballkanit të Hapur” që do na lidhin me Serbinë se sa me projektet tjera që do të lehtësonin lëvizjen e lirë të shqiptarëve në rajon. Në të gjitha pikat ku duhet të lidhen shqiptarët me Kosovën dhe Shqipërinë, rrugët janë në gjendje të mjerueshme, shkruan Zhurnal. Fillo nga Qafa e Thanës në Strugë, pastaj rruga për në Dibër, rruga e Jazhincës për në Kosovë dhe kapaku i gjithë maltretimeve mbetet rruga për në Ballcë që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Kur bëhet fjalë për lidhjen e shqiptarëve në rajon, është tepër e rëndësishme të përmendet edhe vendkalimit kufitar “Llojan – Miratoc” që duhet t’i lidhë shqiptarët e Kumanovës e Shqiptarët e Luginës ë Preshevës. Edhe pse shumë përpjekje dhe kërkesa të banorëve u bënë për hapjen e një kufiri të tillë, ende peripecitë vazhdojnë.

Rrustemi, duhet qartë të mendojë se për çfarë është vendosur drejtor, për të prerë shiritat vetëm në Korridorin 10, apo edhe në rrugët ku shqiptarët i shkatërruan makinat, i shkatërruan nervat dhe u dëshpëruan që nuk mund të lëvizin lirshëm “daja te nipi” ose “motra te vëllai”, andej e këndej kufirit. Mallkimi i kurbetçarëve është i rëndë dhe kjo “namë” po na zë vazhdimisht kur qindra kurbetçarë të lodhur e rraskapitur rrugës për të ardhur në vendlindje, me të hyrë në Maqedoninë e Veriut, u humbet shpresa që kanë se një ditë do të kthehen sërish në këtë tokë.

Që aty e shohin se sa ka mbetur pa zhvilluar ky shtet, që nuk arrin të mbyllë disa gropa të rrugëve dhe nuk arrin të rregullojë një rrugë prej 12 kilometrave për tridhjetë vitet pavarësi. Në shekullin XXI, qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, kapitalit, njerëzve, lehtësimi i studimit, trajtimit, lejeve të punës është diçka që është një e ardhme e sigurt dhe është pjesë e Bashkimit Evropian, por kjo duhet të vlejë gjithkund njësoj dhe mos të ketë standarde të dyfishta./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More