Nëse mendoni se marrëveshja e arritur mes Kievit dhe Uashingtonit për mineralet e rralla të Ukrainës është një ujdi e madhe, lexoni edhe një herë mes rreshtash.
Marrëveshja – teknikisht një kornizë fillestare për marrëveshjen, dhe jo një kontratë ligjërisht obliguese – është lavdëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump si “pakt shumë i madh” i cili ka thënë se përmes saj do të rikthejë disa miliardë dollarë amerikanë në Uashington, si shpagim për ndihmën ushtarake që i është ofruar Kievit, teksa mbrohet kundër luftës së nisur nga Rusia.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili pritet të vizitojë Uashingtonin më 28 shkurt për të nënshkruar marrëveshjen, e ka përshkruar dokumentin si “marrëveshje kornizë”, e cila, sipas tij, do të ndihmojë në garantimin e mbështetjes amerikane për luftën me të cilën po përballet Ukraina.
“Suksesi ynë i madh varet nga biseda me presidentin Trump. Është e rëndësishme për mua dhe për të gjithë ju në botë që ndihma amerikane të mos ndalet”, ka thënë lideri ukrainas.
Në zemër të marrëveshjes – me 17 pika, katër faqe, në gjuhën angleze dhe ukrainase, dhe me hapësira për nënshkrimet e sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministres së parë të Ukrainës, Yuliya Svyrydenko – është një fond i përbashkët, që do të financohet nga të hyrat prej nxjerrjes së mineraleve të vlefshme nga toka e Ukrainës.
Mirëpo, marrëveshja përmend vetëm synimin për të hapur fondin, dhe nuk përbën bazë ligjore për hapjen e tij, vlerësojnë ekspertët.
Në dokument përmendet që Kievi do të kontribuojë në fond me 50 për qind të të hyrave, përmes projekteve të ardhshme shtetërore.
Paratë prej fondit do të ndahen nëpër projekte brenda Ukrainës, “për të rritur zhvillimin, nxjerrjen dhe monetizimin e të gjitha aseteve publike dhe private të Ukrainës, përfshirë depozitat e mineraleve, naftën, gazin natyror, materialet tjera, infrastrukturën, portet dhe sipërmarrjet tjera shtetërore”.
“Marrëveshja është shumë e zbehët për të pasur peshë ekonomike derisa Ukraina është ende në luftë”, ka thënë, Maximillian Hess, analist politik në Institutin Kërkimor për Politikë të Jashtme, me seli në Filadelfia.
“Mirëpo, nëse e bën Trumpin të duket fitues, dhe nëse, në anën tjetër, sigurohet vazhdimësi e mbështetjes amerikane për Ukrainën, atëherë mund të jetë marrëveshje e mirë për Ukrainën”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.