Shkup, 15 gusht – Iхhet Memeti, ish-avokati i popullit dhe tani ish-anëtar dhe nënkryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, e ka pranuar fajësinë në rastin e gjyqtarit suprem Nake Georgiev. Ai ka pranuar se ka marrë ryshfet dhe është pajtuar me Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Memeti dhe Georgiev dyshohen se kanë premtuar rrejshëm se do të ndikojnë dhe do t’i ofrojnë lehtësim ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, në rastin e kontrabandës së marijuanës.
Në pyetësorin e tij të cilin e ka dorëzuar në Komisionin Kundër Korrupsionit kur u bë anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, në emër të tij ka deklaruar për trashëgimi një shtëpi në Tetovë, një banesë në Shkup prej 64 metrash katrorë dhe si pronë të përbashkët të trashëguar ka deklaruar disa ara në fshatin Rakovec të Tetovës.
Ai ka edhe aksione, por nuk ka specifikuar se ku.
Ai ka raportuar dy llogari kursimi në valutë në emër të bashkëshortes dhe dy kredi në emër të tij, të marra në vitet 2020 dhe 2019, nga 14.2 mijë euro dhe 59 mijë euro secila, për të cilat nuk ka dhënë informacion se deru kur duhet t’i kthejë.
Gjyqtarit suprem Nake Georgiev i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh – gjykata konsideron se ai mund ta kryejë apo përsërisë krimin.
Ndryshe, para se t’i caktohet paraburgimi, Këshilli Gjyqësor në një seancë urgjente, ia hoqi imunitetin Georgievit, miratoi kërkesën për paraburgim dhe vendosi largimin e tij nga vendi i punës deri në vlefshmërinë e procedurës kundër tij.