Shkruan Bexhet Muslija
Shkup, 2 tetor – 22 vite kaluan që nga ngjarja e madhe që i ndryshoi rrjedhat e të drejtave dhe aspiratave të popullit shqiptar në Maqedoni. Këto rrjedha sot i përjetojmë secili nga ne, edhe pse nga kënde e pozita të ndryshme dhe me nota e vlerësime të ndryshme nga të tjerët.
Pa marrë parasysh se ata të cilët ishin e ata të cilët ende janë pjesë e këtyre ndryshimeve mund të lavdërohen e të bëjnë vlerësime pozitive, janë qytetarët ata që cilët e bëjnë vlerësimin më të mirë dhe më real për bilancin e arritjeve dhe dështimeve e këtyre 22 viteve.
Unë jam në mesin e atyre që këtyre arritjeve u jap notë kaluese, por jo notën më të lartë, siç politikanët e pushtetit krenohen zakonisht.
Brengat dhe kërkesat e qytetarëve
Mjafton që të lexohen me vëmendje përgjigjet e qytetarëve në anketat serioze të bëra shpeshherë gjatë vitit, për të parë se cilat janë shqetësimet, brengat, problemet e qytetarëve dhe kërkesat e tyre për të ardhmen. Përmes këtyre anketave, të gjithë ne mund të shohim se ku janë arritur suksese, ku ka patur dështime e ku dhe çka duhet ende shumë për të bërë.
Periudha e ngritjes së sasisë të arritjeve për shqiptarët e Maqedonisë zgjati 22 vite, por ato megjithatë nuk janë aty ku duhet që të jenë, dhe është shumë larg maksimumit të mundshëm të dëshiruar.
Në të njëjtën kohë, kur duhet vazhduar punën për shtimin e sasisë në secilin sektor dhe atë me një ritëm të shtuar, ka ardhur koha dhe është momenti i duhur që të ndezen motorët, krejt spektri politik së bashku, për arritjet në cilësi në të gjithë sektorët, dhe atë pa u vonuar.
Beteja dhe gara për një jetë më cilësore të qytetarëve
Garimi politik i të gjitha partive politike, në pushtet dhe opozitë duhet që të ketë shtyllë kryesore pra cilësinë, për të mundur përgatitur qytetarët për konkurrencë me rreptësinë e cilësisë përbrenda vendeve të familjes së BE-së, kur të gjithë ne e duam Maqedoninë e Veriut të jetë anëtare sa më shpejt që është e mundur e saj.
Popullata shqiptare sidomos, e Maqedonisë së Veriut, është ajo që ka nevojë për përqendrim të vëmendjes dhe punës në cilësi, në secilin sektor të jetës ekonomike-sociale, paralel me zbatimin e plotë të të drejtave të garantuara në kushtetutë dhe ligje, që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar.
Të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet që jenë të ngritur në nivelin më të lartë të cilësisë në të gjithë sektorët e jetës së përditshme kur do të vjen momenti për të hyrë në shtëpinë e madhe përplot konkurrencë në të gjithë sektorët, pra në Bashkim Evropian.
Rruga deri tek hyrja në Bashkimin Evropian
Përgjatë kësaj rruge, shqiptarët kanë nevojë të madhe për arritjen e këtyre synimeve për cilësi për të qenë në gjendje garuar me gjendjen e tyre në ekonomi dhe në çështjet sociale me të tjerët në një BE të zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.
Konkurrenca provokon për të mirë drejt përmirësimit të cilësisë, e bashkë me të sasia duhet të arrihet, përkatësisht të plotësohet në të njëjtë kohë.
Se në cilët sektorë të jetës së përditshme shqiptarët ende duhet të plotësojnë sasinë e t’i rreken seriozisht rritjes së cilësisë, kjo tashmë nuk është ndonjë e panjohur e madhe.
Zbatimi i 100% i ligjeve për gjuhën shqipe si në sektorin publik/institucionet publike ashtu edhe në sektorin privat të paraparë me ligjet në fuqi ende nuk është aty ku duhet.
Dez-ekuilibri gjeografik i gjendjesë ekonomiko-sociale në Maqedoni të Veriut
Pabarazia midis rajoneve të banuara me shumicë shqiptare në krahasim me ato me shumicë maqedonase në aspektin e infrastrukturës dhe fuqisë ekonomike është e thukshme. Kjo kërkon një qasje të re në dy fronte : investime kapitale që duhet të dalin nga buxheti i qeverisë dhe investimet e huaja në sektorin privat që duhet ri-orientuar, dhe atë në të njëjtën kohë, për të krijuar një ekuilibër/ proporcionalitet gradual deri në arritjen e barazisë ekonomike-sociale të të dy palëve, përkatësisht për të gjithë qytetarët e vendit, e duke ua shtrirë dorën e ndihmës në të njëjtën kohë edhe pakicave.
Nëse ky ekuilibër ekonomiko-social i nevojshëm nuk arrihet gjatë viteve të rrugëtimit për hyrje në BE, do të rrezikojmë që të krijohet një Maqedoni me dy shpejtësi, apo me disa shpejtësi, e që për pasojë do të ketë, pas hyrjes në BE, skenarin që askush nga ne nuk e duam. Popullata e vendit nga rajonet e pa zhvilluara, përkatësisht e diskriminuar nga aspekti ekonomiko-social do të detyrohet të kërkojë rrugëdalje tjetër e të largohet në masë të madhe për një jetë më të mirë nëpër vendet e BE-së.
Ky fenomen, ka ndodhur pjesërisht edhe me vendet e tjera që janë anëtarësuar së fundi në BE, diku më pak e diku më shumë.
Në princip askush nga ne nuk ka të drejtë të jetë kritikues i dikujt tjetër pse kërkon të largohet nga vendi i tij për një jetë më të mirë në një vend tjetër. Por, është detyrë e politikanëve që e kanë marrë votën e qytetarëve, që të bëjnë krejt të mundurën përgjatë vendim-marrjeve në institucione qendrore dhe lokale që qytetarëve t’ua ofrojnë opsionin e ëndrrave të tyre, që të kenë një jetë të mirë e po aq cilësore në vendin e tyre pa pasur nevojë të marrin rrugën për në vendet e BE-së apo përtej saj.
Krejt ideja e krijimit të BE-së, në këtë aspekt, është që cilësia e jetës në territorin e BE-së të arrijë dhe realizohet në vendet që synojnë anëtarësimin apo vendet e reja që anëtarësohen. Kjo është e mundshme, edhe pse ndoshta jo krejt 100% dhe për të krejt qytetarët, sepse në fund të fundit ka edhe qytetarë gjerman apo skandinav që largohen përtej BE-së për më shumë të ardhura financiare.
Asgjë nuk është absolute në jetë, e as në këtë çështje apo rast. Por, absolut dhe i pa hamendur duhet të jetë përkushtimi i partive politike dhe opozitare për të bërë gjithçka që jeta e qytetarëve të cilët ua japin apo nuk ua japin votën, pra e të gjithë qytetarëve, të jetë po aq cilësore sa edhe mesatarja në vendet e BE-së. Përgjegjësia më e madhe për arritjet dhe dështimin bie mbi supet e partive në pushtet dhe këtu opozita duhet t’ua prish komoditetin pushtetarëve të përgjumur tash e disa vite e të përqëndruar vetëm në fjalorin “integrim evropian” për të mbuluar dështimet e ngecjet e viteve të fundit.
Arrittja e cilësisë mesatare të jetës në vendin tonë në raport me atë në BE është e mundur pa patur nevojë larguar nga vendit.
Kjo është e arritshme, por kërkon punë të përditshme dhe ide për reforma kreative e ambicje të mëdha për tjetrin e jo vetëm për vehte.
Unë i ftoj qytetarët që të jenë aktiv me idetë e tyre kreative nëpër krejt partitë politike ku ata e ndjejnë vehten më mirë, e të mos përmbyllen vetëm në të dëgjuar dhe ekzskutuar urdhërat e shefave të partive, atyre në pushtet apo në opozitë.
Debati i shëndoshë dhe i sinqertë kërkon përfshirjen aktive të qytetarëve dhe politikanët duhet që të jenë maksimalisht të hapur për idetë dhe sugjerimet e tyre se çfarë reformash duhet të kemi për të arritur këto synime në të ardhmen.
Deri tash, ende ka për të dëshiruar në këtë drejtim sepse shefat e partive kanë uzurpuar madje edhe ngulfatur në heshtje edhe të menduarit e votuesëve të tyre. Kjo vlenë sidomos për pushtetarët kryeneç.
Është detyre e përbashkët e secilit që merrë guximin të dalë të kërkojë votën e qytetarëve, të respektojë rregullën e madhe: pra bashkë me qytetarët, për qytetarët, e në shërbim të qytetarëve.
Dhe kësaj rregulle duhet t’i përmbahen me përpikmëri që të gjithë e të mos ndalen përgjatë këtij rrugëtimi, pa marrë parasysh përplasjeve, mospajtimeve dhe inateve që mund t’i kenë politikanët, apo pushtetarët dhe opozitarët midis njëri-tjetrit.
Energji e re dhe ndezje motorësh për cilësi
Cilësia e jetës që qytetarëve të vendit tonë dhe familjeve të tyre duhet që të jetë synimi madhor dhe sasia me të cilën janë lavdëruar gjatë këtyre 22 viteve pushtetarët nuk duhet t’i mashtrojë as atë vet, sepse neve qytetarëve e kanë më të vështirë që të na mashtrojnë. Edhe nëse na mashtrojnë ajo nuk zgjat përgjithmonë. Ne dijmë të vlerësojmë e t’ua prishim komoditetin partive politike duke ia dhënë tjetrit votën për t’ia dhënë rastin edhe të tjerëve.
Përvojat e së kaluarës, përkatësisht të 22 viteve duhet të na shërbejnë për të ndryshuar të ardhmen të cilën e duam që të gjithë ne. Duhet mësuar nga gabimet e jo heshtur e kamufluar ato.
Për ta përmbyllur kësaj here: gara dhe konkurrenca e shtojnë cilësinë, një rregull kjo e njohur, por shumë e rëndësishme, e cila duhet të vlejë edhe për kampin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sepse deri tani gjërat nuk kanë lëvizur në drejtim e dëshiruar dhe një pjesë e madhe e premtimeve për cilësinë e jetës dhe fuqinë blerëse të qytetarëve nuk janë përmbushur.
Prandaj, duhet të zhvillohet garë dhe debat me dhe ndaj njëri-tjetrit për ide kreative për cilësi, sepse suksesi i njeri apo tjetrit në këtë rrugëtim do të preket dhe përjetohet nga vet qytetarët, falë të cilëve poliitkanët janë në pozitat e sotme institucionale dhe bëjnë jetë luksoze me pagat që marin nga taksat që ua marrin qytetarëve, pra edhe votuesëve të tyre dhe atyre nuk votojnë për ta e edhe atyre që nuk dalin fare në votime për shkak të zhgënjimit.
Të gjithë ata që ndodhen në politikë-bërje dhe ata që po futen e do të futen në politikë-bërje në të ardhmen, do të gjykohen nga qytetarët edhe për dështimet, si individ apo si grup e formacione politike edhe për sasi por po aq edhe për cilësi.
Njësia matëse e vendimeve dhe punës së politikanëve tanë është gjykimi nga qytetari votues, i cili krejt çka do është që jeta e tij, jeta e saj, jeta e anëtarëve të familjes së tyre të jetë cilësore, me shërbime cilësore publike, punësim, aftësim profesional cilësor, fuqi blerëse në rritje, shëndetësi cilësore, edukim cilësor e shërbime të tjera sociale cilësore…
Lista është tejet e gjatë, dhe duhet lënë anash fjalët boshe. Është koha që politikanët e dështuar të largohen nga skena, kurse të tjerët t’i përvilen dhe të ri-energjizojnë mendjen dhe motorët për arritjen e këtyre aspiratave të qytetarëve me një qasje të re dhe me betejë përmbajtësore e programore politike, e me synimin madhor për cilësi në krye të kësaj liste të detyrave dhe premtimeve të cilat qytetarët presin t’i përmbushni, pa u mashtruar me sasinë e pjesshme.
Prandaj, silleni në Maqedoni cilësinë e jetës së BE-së, ende pa u anëtarësuar aty.
Slovenia dhe Estonia 2 vite para se të anëtarësohen në BE e kishin gjendjen e përgjithshme të zhvillimit të vendit në të gjitha aspektet tek 85% e mesatares së atëhershme të vendeve anëtare.
Pra, pushtetarë dhe opozitarë, duhet që t’i përvileni punës për cilësi përgjatë procesit drejt anëtarësimit në BE, e jo pritur që të ndodhin mrekulli pas anëtarësimit, sepse pastaj hapet dera e madhe për largim të të zhgënjyerave nga vendi për në BE.