Çfarë u rikujton shqiptarëve të Kumanovës 9 Maji?

nga I.A

Shkup, 9 maj –Shqiptarët e Kumanovës ditën e Evropës e kujtojnë me ngjarjet më tragjike që mund t’i kishin ndodhur në jetën e tyre. Ajo që mbajnë mend e kujtojnë janë të shtënat me armë, flakë dhe tym që dilte nga shtëpitë e tyre. Por, ngjarjet e Majit në Kumanovë nuk kanë prekur vetëm qytetarët e Kumanovës por kanë trazuar gjithë rajonin me atë që ndodhte dhe nuk dihej përse. Nga luftimet e zhvilluara në këto ditë mes një grupi të armatosur prej 30 vetave dhe më shumë se 4 mijë forcave policore mbetën të vrarë 18 persona dhe 37 të tjerë të plagosur. Ndryshe, 9 Maji shënohet edhe si Dita e Evropës, vendi ynë synim dhe aspiratë ka anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por në kremtimin e kësaj dite pra 9 Majit qytetarëve të këtij vendi u rikthehet në kujtesë ajo që ka ndodhur pikërisht në këtë datë 9 dhe 10 maj 2015 në qytetin e Kumanovës, rast i cili ende nuk është zbardhë tërësisht. Pra, një vend që po aspiron në Evropë po feston ditën e Evropës ende nuk ka zbardhë ndër ngjarjet më tragjike të vendit, apo ndryshe e njohur “lufta e Kumanovës”, shkruan Zhurnal.

Çfarë ndodhi më 9 dhe 10 maj në Kumanovë?

Në Kumanovë ndodhi ajo që nuk pritej e as nuk dihej, diçka e planifikuar dhe mirë hartuar nga njerëz ende të pa identifikuar. Edhe tetë vjet më vonë mbeten ende pyetjet e njëjta mbi atë që çfarë kishte ndodhur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Kush e organizoi, kush e futi grupin brenda, kush kë e tradhtoi, dhe kur do të zbardhet rasti??? Janë pyetjet që për tetë vite me radhë ende nuk po marrin përgjigjet e duhura. Ajo që dihet deri më tani janë pasojat dhe dëmet që janë shkaktuar si në njerëz ngjashëm edhe ato materiale.

Saktësisht në qytetin e Kumanovës në një lagje të banuar tërësisht me shqiptarë më 9 dhe 10 maj janë zhvilluar luftime dyditore që kishin tronditur jo vetëm këtë qytet dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe rajonin më të gjerë, kanë humbur jetën 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 pjesëtarë të një grupi të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, të gjithë shtetas të Kosovës, të cilët pretendonin se luftimet i kishin nisur për të sensibilizuar opinionin për të shkak të pozitës së rëndë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Pra, bëhet fjalë për luftime që janë zhvilluar mes një grupi prej 30 personash që janë zënë pa prit apo sipas tyre janë tradhtuar, dhe forcave të sigurisë së shtetit me pjesëmarrje prej diku më shumë se 4 mijë policie dhe me atelieri të rëndë.

Ndërkaq, nga këto luftime ishin shkatërruar mbi 60 shtëpi, shumë familje ishin shpërngulur tek të afërmit e tyre. Deri në ngritjen e shtëpive të tyre me fonde të Qeverisë dhe të organizatave të ndryshme, ata kanë mbijetuar nga ndihmat e njerëzve human që vinin nga të gjitha trevat shqiptare dhe shtetet perëndimore ku ata jetojnë.

Si u përmbyll ky rast dhe ku mbeti hetimi ndërkombëtar?

Si shumë raste të tjera ku viktima janë shqiptarët rastet përmbyllen sy mbyllur pa u brengosur fare për dëmtimin apo gjykimin e padrejtë, madje as pa zbardhë rastin në tërësi. Edhe pse të burgosurit pretendojnë që ky rast ende është në proces e nuk është përmbyullur në tërësi ata po vazhdojnë të flenë në burgjet e Maqedonisë së Veriut duke vuajtur dënimin, dhe me shpresë që një ditë do të ketë një hetim ndërkombëtarë të rastit.

Tridhjetetetë pjesëtarë të grupit ishin arrestuar, 8 prej të cilëve janë dënuar me burgim të përjetshëm, 4 janë liruar ndërsa të gjithë të tjetër janë dënuar me 746 vjet burg. Njëzetetre nga të dënuarit, po ashtu janë shtetas të Kosovës ndërsa në mesin e të tjerëve ka edhe shtetas të Shqipërisë.

Edhe pse menjëherë pas rastit u premtua nga ish kryeministri Zoran Zaev që të ofrohet një hetim ndërkombëtarë për zbardhjen e rastit, por që procedurat ligjore atë kohë nuk lejonin pa pasur një epilog përfundimtar nga gjyqet e vendit. Por, tani edhe tetë vite më vonë kur kemi një epilog përfundimtar dhe vendime të prera gjyqësore, njerëz që po vuajnë dënimet as që flitet e është harruar në tërësi ky hetimi ndërkombëtarë i dikurshëm që ishte premtim e zotim. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More