Shkup, 15 mars – Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet në fokus të SHBA-së dhe BE-së kjo është shenjë pozitive pasi interesimi i tyre për këtë zonë nuk u shua asnjëherë. Por, kjo nuk duhet t’i bëjë indiferent politikanët që të jenë të papërgjegjshëm në zhvillimin dhe progresin e vendeve në tërësi. Përkundrazi, ky interesim duhet të jetë motivim dhe shtytje për kujdes dhe koordinim në secilin veprim që ndërlidhet me sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit. Maqedonia e Veriut është partnere shumë solide e SHBA-së, si në aspekt dypalësh, ashtu edhe shumëpalësh në NATO dhe OSBE dhe Uashingtoni pret që edhe pas zgjedhjeve vendi të ketë qeveri të përkushtuar në anëtarësimin në Aleancë dhe të integrimit në BE, këto ishin fjalët e zëvendës ndihmësit sekretarit shtetëror amerikan për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Por, mes tjerash ai la edhe një porosi që çështjet e hapura të mbyllen sa më parë sepse këtu është vakumi i depërtimit rus, shkruan Zhurnal.
Escobar: Çështjet e hapura në rajon e bëjnë Ballkanin Perëndimor të përzihet nga ndikimi rus –
Maqedonia e Veriut është partnere shumë solide e SHBA-së, si në aspekt dypalësh, ashtu edhe shumëpalësh në NATO dhe OSBE dhe Uashingtoni pret që edhe pas zgjedhjeve vendi të ketë qeveri të përkushtuar në anëtarësimin në Aleancë dhe të integrimit në BE, deklaroi sot zëvendës ndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.
“Qeveria e kaluar ishte e përkushtuar në anëtarësimin në NATO dhe në anëtarësimin në BE dhe pritjet tona janë që qeveria e cila do të vijë pas zgjedhjeve të jetë ngjashëm e përkushtuar në anëtarësimin në NATO, anëtarësimin në BE dhe në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Eskobari në brifingun në Bruksel para vizitës së tij në Prishtinë, Vjenë dhe Podgoricë.
Ai shfaqi shpresë se pas zgjedhjeve do të krijohet mundësi që të udhëtojë në vend, sepse siç theksoi gjatë qëndrimit të sotëm në rajon do të jetë i përkushtuar në çështjet aktuale si ato në lidhje me Kosovën dhe ngjarjet në Mal të Zi.
I pyetur nëse Propozim-rezoluta e Senatit amerikan, e cila kërkon hapjen e klasterit të parë negociator të BE-së me vendin pa kushte shtesë dypalëshe, paraqet ndryshim të qëndrimit të SHBA-së në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, Eskobari theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë anëtarë të rëndësishme të NATO-s dhe aleatë të Uashingtonit, ndaj administrata amerikane dëshiron zgjidhje paqësore të të gjitha çështjeve.
Sipas tij, SHBA-ja angazhohet për vazhdimin e dialogut mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të bazuar në fakte dhe janë të përkushtuar në dispozitën për ruajtje të perspektivës evropiane në vend.
“Morëm siguri nga Bullgaria se ata duan që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e BE-së. Duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e këtyre mundësive, sepse Maqedonia e Veriut duhet të jetë kandidate e barabartë për anëtarësim në BE”, shtoi Eskobari.
Sipas tij, pikërisht çështjet e hapura në rajon e bëjnë Ballkanin Perëndimor të nënshtruar në përzierje dashakeqe nga anash, përfshirë nga Rusia, pastaj për ulje të rrezikut nga ajo duhet të punohet në tejkalimin e çështjeve të pazgjidhura.
Rusia përfiton nga tensionet mes Kosovës dhe Serbisë-
Autoritetet e Kosovës tash e një kohë përmendin ato që i quajnë tentime të Rusisë për të destabilizuar rajonin. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington. Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti amerikan, Joe Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, ka thënë Osmani më 27 korrik.
Këto përpjekje të Rusisë i ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bisedë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të realizuar më 2 gusht. Sipas kryeministrisë, Kurti ka thënë se fushata dezinformuese e Serbisë është duke u ndihmuar nga shteti rus. Ndikimi rus është përmendur edhe ditë më parë kur autoritetet e Kosovës kanë arrestuar e më pas dëbuar gazetaren rus, Daria Aslamova.
Ndryshe, përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin nuk janë të tanishme por datojnë më herët, fokusi i Rusisë është kryesisht në Kosovë, por nuk përjashtohen edhe shtetet tjera në të cilat ndikimi i propagandës ruse ka pasur një ngritje të hovshme. Prandaj, edhe nga Maqedonia e Veriut janë dëbuar shumë diplomatë rus për të cilët është vlerësuar se kanë bërë spiunazh dhe kanë keqpërdorur detyrën e tyre.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /Zhurnal.mk