Agjencia Zhurnal.mk

Cilin destinacion mund ta mbërrijë të parin Kosova, OKB-në, BE-në apo NATO-n?

Synimi i institucioneve të Kosovës, sipas deklaratave të përsëritura nga krerët e shtetit, është që vendi sa më parë të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), anëtar i NATO-s, si dhe vend i integruar në Bashkimin Evropian (BE).

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se Kosova është në një situatë mjaft delikate për të lëvizur drejt anëtarësimit në këto organizata e mekanizma ndërkombëtarë. Sipas tyre, një marrëveshje me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, do t’i shtronte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit apo përafrimit të saj me organizatat e mekanizmat kryesorë sot në botë.

Analisti Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ideale për Kosovën do të ishte anëtarësimi i saj në OKB, si një shtet i barabartë me vendet tjera anëtare.

Sipas tij, anëtarësimi në OKB nënkupton që një shtet është i integruar plotësisht brenda sistemit ndërkombëtar dhe se është i gatshëm të jetë pjesë e çdo mekanizmi tjetër duke marrë obligimet dhe përgjegjësitë e ligjit ndërkombëtar.

Por, ai rikujton se për të marrë një ulëse në OKB, Kosova mund të përballet me sfidën e mbështetjes nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit, të cilat, sipas tij, mund ta bllokojnë aplikimin e saj që të mos dalë fare në Asamblenë e Përgjithshme, ku duhen dy të tretat e votave (2/3) që një shteti i duhen për anëtarësim.

“Sidoqoftë, vetoja e Rusisë dhe Kinës do të bllokonte gjithçka ende pa ardhur deri aty”, thotë Berisha.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pengesat aktuale që i ka Kosova para vetes për anëtarësim në OKB apo organizata e mekanizma tjerë ndërkombëtarë, mund të shmangeshin nëse ndërkohë arrihet marrëveshja për normalizim të raporteve me Serbinë.

Ai thekson se me njohjen reciproke që mund të arrihej përmes një marrëveshjeje Kosovë – Serbi, do të largoheshin edhe pengesat tjera që mund të krijoheshin nga vendet që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur, ndër to edhe Rusia.

“Më pastaj çdo rrugë tjetër do të zgjidhej. Hapi tjetër do të ishte anëtarësimi në NATO dhe hapja e negociatave në BE”, thekson Rashiti.

Ai mendon se marrëveshja eventuale me Serbinë, do ta ndihmonte shumë edhe integrimin e Kosovës në BE, duke zbutur qëndrimet refuzuese të disa vendeve si Spanja, që nuk e njohin Kosovën e pavarur.

Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të modelit të dy Gjermanive apo diçka më pak, thekson Rashiti, do të mjaftonte që Spanja ta njeh Kosovën me çka, nënvizon ai, do të hapej rruga që Kosova t’i tejkalonte edhe barrierat tjera në rrugën e saj drejt integrimit në NATO, ku po ashtu jo të gjitha shtetet anëtare e njohin atë si shtet.

Rashiti konsideron se njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së do t’i hapte rrugën asaj për të aplikuar për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

“Ulësja në OKB do ta përshpejtonte integrimin e Kosovës në NATO fillimisht dhe më pastaj në BE. Miqtë kryesorë ndërkombëtar të Kosovës në një fazë të shpejtë, nëse do të ketë një marrëveshje me Serbinë, do të përkujdeseshin që Kosova me shpejtësi të përgatitej për përafrim me NATO”, vlerëson Rashiti.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova gjithë politikën e saj e ka të projektuar drejt integrimit evropian dhe integrimeve euro-atlantike.

Edhe Krasniqi pohon se para çdo procesi, aktualisht çështja e dialogut Kosovë- Serbi do të luaj një rol shumë të rëndësishëm në raport me pesë shtetet jonjohëse të Kosovës dhe në raport me pozicionin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare.

“Duhet të shihet se si do të shkojë edhe ky procesi i dialogut pasi që ne e dimë që në OKB, anëtarësimi do të jetë i vështirë derisa nuk hiqet mundësia për veto nga ana e Rusisë. Ndërkohë që edhe në NATO, kemi çështjen e pjesës tjetër të shteteve jonjohëse të Kosovës. Për ne me rëndësi është që Kosova të mos mbetet e izoluar dhe të mos mbetet i vetmi shtet si në rajon apo edhe në Evropë i cili ende duket si një shtet me një shtetësi të kontestuar”.

“Ajo çka kërkojmë duhet të jetë patjetër që të marrim njohje nga ana e shteteve jo njohëse të BE-së. Të kemi perspektivë të qartë evropiane dhe patjetër të kërkojmë anëtarësimin në OKB e pastaj edhe NATO “, pohon Krasniqi.

Aleanca Veriatlantike, NATO, është prezente në Kosovë përmes forcës paqeruajtëse të KFOR-it, që në Kosovë është vendosur me mandatin e Këshillit të Sigurimit, përmes Rezolutës 12 44. Pavarësisht faktit që të gjitha vendet fqinje të Kosovës i janë bashkuar programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, Kosova është vendi i vetëm që ka mbetur jashtë këtij programi dhe procesit të zgjerimit të NATO-s.

Analisti Butrin Berisha thotë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, NATO ka mbajtur qasje të fortë neutrale ndaj saj, për shkak të katër vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën.

“Në këtë situatë, unë e shoh të vështirë të ketë lëvizje konkrete për marrëveshje kontraktuale me NATO-n, edhe për shkak të mandatit aktual që KFOR ka në kuadër të Rezolutës 1244, edhe për shkak të mosnjohjes nga katër vende anëtare”, shprehet Berisha.

Kosova me Bashkimin Evropian ka marrëdhënie kontraktuale përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Por, kur flitet për anëtarësimin e Kosovës në BE, analistët thonë se Kosova është ende shumë larg këtij synimi.

Së pari, thonë ata, Kosova është ende larg në proces duke qenë vendi i fundit në rajon, që as nuk ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim, madje nuk e kemi marrë as liberalizimin e vizave.

Së dyti, sipas tyre, qasja e BE-së karshi zgjerimit është duke ndryshuar dhe me gjasë do të ketë një politikë të modifikuar të zgjerimit në Samitin e Zagrebit, që do ta bëjë edhe më të vështirë kushtëzimin për anëtarësim.

Dhe së treti, edhe nëse fillohet procesi për anëtarësim dhe ai shkon në mënyrën më të mirë, sipas analistëve, i gjithë procesi kërkon disa vjet që të finalizohet, me hapjen dhe mbylljen e 35 kapitujve.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...