Çitaku: Preferojmë koalicion me LDK-në e AAK-në, jo me LVV-në

nga Xh M

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur synimin për të udhëhequr qeverinë e ardhshme. Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se shumica shqiptare ka votuar për ndryshim. Ajo ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje, teksa ka thënë se PDK-ja preferon koalicion me LDK-në dhe AAK-në. E KQZ-së i ka kërkuar që të sigurojë integritetin e procesit zgjedhor
Gatishmëri për të udhëhequr qeverinë e ardhshme ka shprehur Partia Demokratike e Kosovës.
Në një konferencë të mërkurën, sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku, tha se shumica shqiptare ka votuar për ndryshim dhe se dëshiron një qeveri të re.

Ajo ka përjashtuar mundësinë e qeverisjes bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje. E për negociata me partitë e tjera, ka thënë që po pritet zyrtarizmi i rezultateve.

“Kandidati ynë për kryeministër, Bedri Hamza, e ka bërë shumë të qartë që ne preferojmë një koalicion me partitë që sot janë në opozitë dhe përjashtojmë një koalicion të mundshëm me LVV-në. Por ju e dini se hapat kushtetues dhe ligjorë janë të qartë, fillimisht duhet të përfundojë procesi i numërimit të votave, duhet të bëhet legjitimimi i deputetëve të rinj e më pas fillojnë konsultat dhe bisedimet me partnerët eventualë të koalicionit që do të udhëhiqet nga Bedri Hamza”, ka deklaruar Çitaku.

Sekretarja e PDK-së i ka bërë thirrje Komisionit Qendror për Zgjedhje që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor dhe që të bëjë numërimin e saktë të çdo vote, duke garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve.

“Po i ndjekim me shqetësim raportimet që po bëhen edhe nga mediat por edhe nga komisionarët tanë, është jashtëzakonisht jetike që të ruhet integriteti i procesit zgjedhor. Dita e 9 shkurtit ka qenë një ditë shembullore, ku qytetarët kanë shkuar dhe kanë votuar në numër të lartë dhe e kanë bërë atë ditë një festë të demokracisë, institucionet, KQZ-ja nuk guxojnë ta njollosin tërë atë punë, tërë atë angazhim dhe tërë atë përkushtim të qytetarëve të Kosovës dhe partive politike”, është shprehur Çitaku.

PDK-në zgjedhjet e së dielës e kanë nxjerrë si partinë e dytë në vend, me rreth 22% të votave. Para saj është Lëvizja Vetëvendosje me rreth 41% të votave e që nuk i mjaftojnë për të qeverisur e vetme.

Partia e tretë, LDK, ka mohuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, sikurse edhe e katërta, AAK-ja, e cila ka shprehur gatishmëri për koalicion pa kushte me dy partitë opozitare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More