Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

Çka duhet të bëjë Kryeministri Kurti përballë trysnive Amerikane mbi të?

Shkruan SEAD ZIMERI

1). Të qëndrojë i palëkundshëm në politikën e tij. Kosova është shtet sovran dhe Kurti është zgjedhur si përfaqësues i këtij shteti dhe duhet ta mbrojë interesin e shtetit që ai e përfaqëson. Amerika nuk mund t’i diktojë një shteti sovran politikat e saja. Si Kryeministër ai është moralisht i obliguar ta zbatojë vullnetin sovran të popullit të tij, pavarësisht trysnive nga jashtë. Kjo është politika si duhet të jetë, nën apsketin normativ të politikëbërjes.

2). Të bëjë koncesionet e domosdoshme ndaj Amerikës në mënyrë që të arrijë të sigurojë pushtetin e tij dhe të i realizonë disa premtime zgjedhore në politikën e brendshme. Kjo është politika si është, nën aspektin e marrëdhënieve të pabarabarta të pushteteve dhe fuqive ndërkombëtare të politikëbërjes.

Në rastin e parë, çuditërisht, Kurti nuk ka as mbështetjen e partisë më të cilën është në koalicion. LDK-ja ka shprehur qartë qëndrimin e saj se në mes Kurtit dhe Amerikës ata zgjedhin Amerikën. Pra, Kurti i ka këmbët e lidhura, dhe nuk ka gjasa reale që ai pa mbështetjen e LDK-së të vazhdojë me qëndrimin e tij për tërheqjen e tarifave në shkëmbim të reciprocitetit. LDK-ja është agjenti amerikan në qeverinë Kurti dhe këmbëngulja parimore e Kurtit mund të shkaktojë rrëzimin e qeverisë së tij. Përderisa LDK-ja ka një qëndrim të tillë të prerë, qeveria Kurti mbetet pa opcione reale për ta shtyrë politikën e saj përpara. Gjasat për ta bindur LDK-në që ta mbështesë Kurtin në qëndrimin e tij opozitar ndaj trysnive të Amerikës duken të largëta. Gjasat për ta bindur Amerikën që ta ndryshojë qëndrimin e saj përballë Kosovës duken edhe më të largëta.

Opcioni i dytë në kushtet aktuale duket më realist. Të bëjë koncesionet e domosdoshme ndaj Amerikës, me shpresë që Amerika do të garantojë një lloj marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët, marrëveshje jo ideale gjithsesi, por e pranueshme. Ky opcion bie ndesh me politikën e Kurtit dhe premtimet e tij zgjedhore. Por, në politikë gjërat nuk shkojnë përherë ashtu siç ne dëshirojmë prandaj edhe kompromiset në disa pika janë të domosdoshme. Por këto koncesione duhet të bëhen nën aspektin e një vizioni politik ku ardhmëria e Kosovës nuk komprometohet, dhe kompetencat e qeverisë së Kosovës për t’i kryer detyrat e saja dhe për t’i zbatuar politikat e premtuara në planin e brendshëm shtetëror nuk cungohen.

Kryeministri Kurti është përballë një zgjedhje të vështirë, aq më tepër që diskursi politik i tij, që nga fillimi, ka qenë kritik ndaj çdo lloj servilizmi politik, përfshirë këtu edhe atë ndaj Amerikës. Dhe me të drejtë kjo kritikë ka theksuar që politikat servile njollosin dinjitetin e shtetit të Kosovës.

Por, megjithatë, ka një dallim mes politikave servile dhe atyre të detyruara. Politikat servile bëhen me dëshirë, kurse ato të detyruara bëhen sepse nuk ekziston zgjidhje tjetër realiste. Rezultati është i njëjtë por qëllimi dhe motivi ndryshon. Dhe përderisa dinjiteti lidhet me qëllimin dhe motivin e veprës Kosova nuk njolloset nga politika të detyruara.

Unë, pra, do e këshilloja Kryeministrin Kurti që të heqë taksën pa kushte. Nuk është as e domosdoshme dhe as e arsyeshme që qeveria e tij të paralizohet apo, madje, edhe të rrëzohet për një politikë të cilën ai e ka trashëguar nga parardhësi i tij, e që është duke i shkaktuar kokëdhimbje të panevojshme vetë Kryeministrit dhe qeverisë së tij. Qeveria Kurti ka për të bërë shumë punë tjera që nga prizmi i politikës së brendshme janë edhe më të rëndësishme për qytetarin kosovar.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!