Dështoi konstituimi i Kuvendit të |Kosovës në seancën e sotme. Nuk u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se do ta njoftojnë presidenten, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë dorëzuar dorëheqjen.
Nga ana tjetër, partitë opozitare dolën me qëndrimin se anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet në Ekzekutiv.
Krasniqi: Logjika e VV-së për shkelje të Kushtetutës nuk kalon në Kuvend
Pas seancës së ndërprerë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se logjika e Vetëvendosjes për shkelje të Kushtetutës nuk kalon në Kuvend.
“Situata është e paprecedent, sepse vetë e kanë bërë ligjin pa votat tona. Është çështje e thjeshtë: logjika e tyre për të shkelur Kushtetutën nuk mund të kalojë në Kuvend. Kjo kohë ka kaluar, sepse për katër vjet e kanë shkelur dhe është dashur t’i çonim në Gjykatën Kushtetuese. Me logjikën e Kurtit, atëherë edhe kryetarët e komunave që janë zgjedhur si deputetë do të duhej të bëheshin deputetë. Kurti le ta japë dorëheqjen, është shumë e thjeshtë, dhe mund të regjistrohet si deputet. Por, nuk mund të jetë njëkohësisht kryeministër dhe deputet. Vetë e kanë shkruar ligjin dhe tani po tentojnë ta shkelin. Kjo është antikushtetuese”, tha Krasniqi.