Agjencia Zhurnal.mk

Çka mund të presin shqiptarët nga zgjedhjet e 15 korrikut në Maqedoninë Veriore?

Abdulla Mehmeti

Me zgjedhje jo të lira dhe jodemokratike mund të krijohet vetëm pushtet jodemokratik, ndërsa partitë politike të shqiptarëve do të vazhdojnë si më parë, të përfaqësohen formalisht në pushtet, me numër të përgjysmuar të deputetëve, me disa grupe parlamentare në taborë të ndryshëm, me disa ministra, zëvendësministra dhe drejtorë ndërmarrjesh, të gjithë ushtarë partiakë nën urdhrat e klaneve të derisotme politike, që nuk i përmbushin nevojat e popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore dhe as janë të interesuara për të fatin e të ardhmen e këtij populli.

Të gjithë që mendojnë sot të kundërtën e këtij konstatimi, le të bëjnë durim deri pas zgjedhjeve të 15 korrikut dhe sidomos pas formimit të qeverisë së ardhshme të këtij shteti, që të binden se ku jemi dhe sa shkon sahati për ata dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë mashtruar me dekada dhe vazhdojnë të mashtrohet edhe sot, për pak interesa personale mbi fatkeqësinë e një populli të tërë.

Uroj që kjo të mos ndodhë, por shenjat janë tepër të dukshme, jo premtuese, shqetësuese dhe të zymta për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve në këtë shtet dhe me këto parti politike që i përfaqësojnë sot.

Kështu siç janë sot partitë politike të shqiptarëve, të përçara dhe dezorientuara, pa strategji dhe vizion të qartë për të sotmen dhe të ardhmen:

  1. Parti politike pa ideologji kombëtare, me ideologji politike dhe fetare të huaja, pa programe të bazuara në realitetin e krijuar, pas gjysmë shekulli sundimi të egër komunist dhe tri dekadave mashtrim të shqiptarëve;
  2. Parti me klasë politike të vjetruar, të komprometuar dhe korruptuar, në disa pushtete të kaluara, të cilësuar si pushtete jodemokratike dhe kriminale;
  3. Parti politike dhe politikanë që nuk janë të aftë t’u dalin zot as dokumenteve dhe nënshkrimeve të veta, siç ka qenë rasti i para disa viteve me Platformën e partive politike parlamentare të shqiptarëve, të 7 janarit 2017, që edhe ashtu siç ishte për realitetin shqiptar në Maqedoninë Veriore, një gjysmë Platformë, u lejua të kundërshtohet, anatemohet, përçudnohet dhe harrohet në sirtarët e zyrave partiake;
  4. Parti dhe politikanë që nuk janë të interesuar për cilësinë e pushtetit në të cilin marrin pjesë, as për të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtet, duke lejuar që të falsifikohet në mënyrë dramatike, numri i banorëve shqiptarë, i votuesve shqiptarë, me këtë edhe ulja e nivelit të përfaqësimit të shqiptarëve;
  5. Parti dhe politikanë që nuk dinë as duan ta organizojnë dhe mobilizojnë potencialin intelektual të shqiptarëve në këtë shtet, duke u mjaftuar me ushtarë partiakë dhe njerëz jokompetentë për ushtrimin e detyrave të rëndësishme në organet e pushtetit;
  6. Parti dhe politikanë që si qëllim të vetëm e kanë pjesëmarrjen e tyre në pushtet, jo edhe realizimin e interesave të qytetarëve që i përfaqësojnë, madje duke u thirrur edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, si liderë që flasin në emër të popullit, pa e fituar dhe pa ua dhënë askush këtë mandat, siç pretendojnë;
  7. Parti dhe politikanë, që kanë qenë dhe janë të pranueshëm dhe të përshtatshëm për të gjithë pushtetet e këtij vendi, pavarësisht nga orientimi, programi politik dhe ideologjia e tyre;
  8. Parti dhe politikanë që asnjëherë nuk janë të interesuar për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike në këtë shtet, duke pranuar pjesëmarrje në zgjedhje dhe në pushtet, pa kushte, me lista të mbyllura, me njësi zgjedhore të pabarabarta, me lista zgjedhore të pa pastruara nga mijëra votues fiktivë, vetëm që këta të jenë pjesë e pushtetit dhe aktorë në ndarjen e kulaçit nga buxheti, tenderët dhe ndonjë marrëveshje e leverdishme me kompani të mëdha të shtetit dhe të jashtme;
  9. Parti dhe politikanë të përfolur dhe zënë në flagrancë për vepra të turpshme, korrupsion dhe krime, të varur nga nëntoka kriminale dhe financuesit e dyshimtë, të brendshëm e të jashtëm, përmes parave nga burime të paligjshme të agjenturave, fondacioneve dhe mafies ndërkombëtare;
  10. Parti dhe politikanë, që nuk kanë arritur t’i realizojnë as të drejtat më themelore për ruajtjen e qenies dhe identitetit të tyre kombëtar; përmes statusit juridik-kushtetues të popullit konstituiv në shtetin e përbashkët; ruajtjen e identitetit historik, kulturor dhe gjuhësor, përmes gjuhës së tyre amtare, gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, jo si gjuhë që e flasin dhe përdorin mbi 20% e qytetarëve të këtij shteti; garantimin me kushtetutë të shkollimit në gjuhën amtare në të gjitha nivelet e arsimimit, edhe përkundër faktit se kanë krijuar disa universitete dhe institucione të arsimit të lartë ku mësimi zhvillohet në gjuhën amtare të nxënëseve dhe studentëve; garantimin e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, jo siç kufizohet aktualisht me ligj përdorimi i flamurit shqiptar vetëm në vendbanimet ku shqiptarët janë mbi 50% të banorëve në nivel të pushtetit vendor; rregullimin e çështjes së simboleve shtetërore, himnit, flamurit dhe stemës së shtetit të përbashkët, të cilat duhet ta reflektojnë realitetin etnik të vendit, jo të identifikohen me identitetin, historinë dhe kulturën e një populli, që pretendon se është pronar i vetëm i këtij shteti; si dhe çështje të tjera nga më elementaret për garantimin e lirive dhe të drejtave të popujve të tjerë dhe të qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, gjuhësore dhe çfarëdo dallimi tjetër, etnik, kulturor e social.

Me këto parti politike dhe këtë klasë politikanësh, shqiptarët në Maqedoni edhe më tej do të mbeten në mëshirën e fatit, pa mbrojtës të denjë të interesave të tyre, të mashtruar e varfër, të pasigurt dhe pa perspektivë, mall i lirë për tregti politike mes pushtetit çfarë do qoftë dhe përfaqësuesve të tyre, të cilët i përkrahin dhe votojnë symbyllur, jo pse nuk i njohin, por pse u mungon alternativë tjetër, mundësi dhe rrugë shpëtimi, prandaj do të ndajnë fatin e të parëve të tyre që u kanë shërbyer sunduesve të huaj nga halli, jo pse u kanë munguar ideali i lirisë dhe aspiratat historike për jetë të lirë dhe të dinjitetshme kombëtare, në shtetin e tyre dhe me pushtet demokratik.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!