Qytetarët e anketuar në tregun e Bit Pazarit thonë se çmimet janë shumë të larta në treg dhe sipas tyre, paga minimale duhet të jetë 500 euro, që të mund të kalojnë muajin si duhet.
Qytetarët ankohen se çmimi i produkteve në treg rritet, sidomos në prag të festave, siç është tani me Pashkët ortodokse.
“Po, ta larta shumë. Para një jave më lirë ishin, tani më shtrenjtë. Paskan ndryshuar. Nën 60 mijë denarë s’ka shanca të kalojmë. Rroga duhet të jetë 60 mijë denarë me tre deri në katër anëtarë. Rryma e shtrenjtë, të gjitha. Standardi i lartë, sidomos pensionistët, të gjithë më barna.”, – tha një qytetar.
“Duhet që pagat të jenë më të larta. Paga minimale duhet të jetë minimum 500 euro, sepse ndryshe nuk mund t’ia dalim me këto çmime që çdo ditë rriten.”, – tha një qytetar tjetër.
“Mendoj që çmimet në treg qenkan më të larta se zakonisht, ndoshta shkaku i festës.”, – tha një qytetare.
“Pak shtrenjtë janë. 500 euro paga më e ulët duhet të jetë. Po, janë rritur. Po, të gjitha në përgjithësi, me patate, me speca, të gjitha.”, – u shpreh një qytetar.
“Çmimet në treg më duken se janë rritur. Po, unë punoj edukatore në çerdhe dhe mendoj që paga minimale duhet të rritet në 500 euro.”, – u shpreh një qytetare.
Tregtarët thonë se gjatë festave tregu është i mbushur me qytetarë dhe blejnë pavarësisht çmimeve të larta.
“Po, janë të larta çmimet e specave, domateve, të tjerat janë më lirë trangujt, karotat. Jo, specat ishin me çmim të lartë, nuk janë rritur vetëm për festa çmimet, por buxheti është i dobët. Për ketë punë duhet të mendohet pak më shumë Qeveria, jo ne. Kemi shitje.”, – tha një tregtar.
“Po, qytetarët po blejnë për festë, çmimet janë të larta, por disa perime që kishin çmim më të lartë kanë rënë, varet dhe prej klasës së produkteve.”, – tha një tregtare.
“Jo, çmimet janë të njëjtat e para një viti, kaçkavalli – 500 den, djathi i përzier është 400 denarë, i deles – 450 denarë. Ne nuk i rritim çmimet, por ata që i prodhojnë i rritin.”, – u shpreh një tregtar.
Paga minimale është rritur në 24.400 denarë dhe pavarësisht kësaj rritje, qytetarët vazhdojnë të ankohen se nuk është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat elementare për jetesë.