Çmimi i aksioneve të gjigantit kinez të tregtisë elektronike “Alibaba” në bursën e Hong-Kongut pati një rënie të madhe me mbi 7 % të hënën, edhe pse kompania ka shtuar nivelin e riblerjes së aksioneve nga 6 në 10 miliardë dollarë amerikanë.
Pasi Kina deklaroi nisjen e hetimeve anti-trust ndaj “Alibaba”-s, vlera e tregut e gjigantit kinez u ul me 92 miliardë dollarë, ndërsa aksionet e tij në bursën e Nju-Jorkut pësuan një rënie 13 % më 24 dhjetor.
Po atë ditë, Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut e Kinës nisi hetimet ndaj grupit “Alibaba” për veprime të mundshme monopolizuese, si “marrëveshje ekskluzive biznesi”.
“Alibaba” reagoi me një deklaratë të gjatë, ku tha që po bashkëpunonte me rregullatorët në hetimet përkatëse dhe se funksionimi i biznesit është në gjendje normale.
Më 27 dhjetor, Administrata për Rregullimin e Tregut e provincës Zhejiang tha që hetimet anti-trust ndaj “Alibaba”-s janë mbyllur dhe i gjithë procesi shkoi mbarë.
Po atë ditë, kompania “Ant Group” pranë grupit “Alibaba” u thirr në një takim me Bankën Popullore të Kinës, Komisionin Rregullator për Bankat dhe Sigurimet, Komisionin Rregullator për Letrat me Vlerë dhe Administratën Shtetërore të Këmbimit Valutor të Kinës mbi shkeljet prej saj të rregullave përkatëse. “Ant Group”-it iu kërkua që të ndreqë bizneset e veta në disa sektorë.
Në mbledhjen e zhvilluar më 11 dhjetor nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së, u theksua që në vitin 2021 do të forcohet lufta kundër monopoleve dhe do të parandalohet zgjerimi i parregullt i kapitaleve. Kjo është gjithashtu një detyrë e rëndësishme që u përmend më 18 dhjetor në Konferencën Qendrore për Punët Ekonomike. (