Bota ka shënuar një rekord prej 400 mijë të infektuarish me koronavirusin e ri brenda ditës, ndërkohë që po rikthehen masat kufizuese për të frenuar përhapjen e sëmundjes.Europa është bërë epiqendra e re e koronavirusit, duke raportuar mesatarisht 140 mijë raste në ditë gjatë javës së kaluar, më shumë se sa India, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara së bashku.
Fluksi në Shtetet e Bashkuara i atribuohet rritjes së niveleve të infeksionit në shtetet e Teksasit, Ilinoit, Uiskonsit, Floridës dhe Kalifornisë, sipas të dhënave të mbledhura nga Johns Hopkins. India ka 7.4 milionë raste dhe ka gjasa që t’ia kalojë së shpejti Shteteve të Bashkuara, pasi numri i infeksioneve po rritet me shpejtësi.
Vendet e mëdha europiane si Britania, Franca, Holanda dhe Spanja përbënë rreth gjysmën e rasteve të reja.Parisi dhe 8 qytete franceze u shkretuan të shtunën teksa hyri në fuqi shtetrrethimi 1-mujor nga ora 21 deri në 6 të mëngjesit pasi vatrat e infeksionit nuk po arrihet të kontrollohet ndryshe.
Në disa shtete mësimi po zhvillohet nga interneti, bar-restorantet janë mbyllur për disa javë dhe janë anuluar procedurat mjekësore pasi nuk po përballohet shpërthimi për së dyti i kovidit-19. Italia ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë pas Britanisë, duke raportuar më shumë se 36,400 vdekje që nga fillimi i pandemisë në shkurt.
Më pak raste po raporton India krahasuar me muajin e kaluar, ndërsa në Kinë të shtunën u gjetën vetëm 13 të infektuar të rinj dhe u zbuluan 34 pacientë të tjerë asimptomatikë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 shteteve të vendit kanë rënë dakord të vendosin një raund të ri kufizimesh në mbarë vendin pasi panë raste të reja rekord të COVID-19.
Kufizimet përfshijnë mbylljen herët të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e numrit të njerëzve që lejohen të mblidhen në publik.Nga vendet e rajonit, Serbia mban rekordin e të prekurve me mbi 35 mijë raste dhe mbi 770 viktima.