Agjencia Zhurnal.mk
Kosovë Maqedoni Rekomanduar Shqipëri TOP LAJM

“DailyNews.mk” Analizë e Raportit të progresit / BE-ja lavdëron Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kritikon shtetet tjera të Ballkanit

Analizë nga Agjencia e Lajmeve “DailyNews.mk”

Shkup, 7 tetor – Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian tha se ai është “shumë optimist” se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të fillojnë bisedimet për anëtarësim në vitin 2020, por për shtetet e tjera të Ballkanit ka dhënë vlerësime më shumë kritike se Raportet e deritanishme vjetore të progresit të BE-së.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën një dritë jeshile në fillim të këtij viti për të filluar bisedimet e tyre të pranimit në BE dhe Varhelyi tha se ai është “shumë optimist” që konferencat e para ndërqeveritare, të cilat do të shënonin fillimin e bisedimeve, të mund të mblidheshin brenda kuadrit të presidencës aktuale gjermane të BE-së, që do të thotë para fundit të këtij viti.

Përderisa BE-ja e inkurajon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, raportet e progresit të vitit 2020 janë të kujdesshëm në lidhje me situatën në Malin e Zi mes tranzicionit të aktual politik që po mbretëron atje dhe janë kritik për mungesën e përparimit të Serbisë në procesin e saj të pranimit në BE.

Në Raportet për vendet e Ballkanit thuhet se Bosnja e Hercegovina ka nevoje për reforma, ndërsa ka shqetësime për situatën e paqëndrueshme politike në Kosovë, që shënon efekt të kundërt në përparimin e saj. Ndërkaq, Turqia vlerësohet se po largohet akoma më larg nga vlerat e BE-së.

Përveç Raporteve të progresit, BE-ja ka paraqitur një plan gjithëpërfshirës ekonomik dhe investimesh për rajonin e Ballkanit, shoqëruar nga një agjendë mjedisore, e cila do të shërbente si “një pjesë integrale e procesit të pranimit të rajonit në BE”.

Ndër të tjera, plani ekonomik synon të zëvendësojë huatë me grante zhvillimi, të ndërtojë infrastrukturën kryesore dhe ta bëjë rajonin një qendër investimesh për kompanitë e BE-së, shkruan “DailyNews.mk”.

Maqedonia e Veriut duhet ta kap momentin!

Raporti progresit thotë se Maqedonia e Veriut ka mbajtur një ritëm të qëndrueshëm përparimi dhe se ajo ka vazhduar në kryerjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të mbajë këtë moment” tha Varhelyi, duke shtuar se ai është i inkurajuar nga angazhimi i qeverisë së re që sapo ka marrë detyrën pas zgjedhjeve në korrik.

Raporti thotë se Maqedonia e Veriut vazhdoi të zbatonte reformat e lidhura me BE-në gjatë gjithë periudhës së raportimit. Raporti vlerëson përpjekjet e vazhduara për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, përfshirë aktivizimin e kontrolleve ekzistuese dhe përmes diskutimeve dhe debateve në politikat kryesore dhe çështjet legjislative.

Maqedonia e Veriut është “mesatarisht e përgatitur” për të reformuar administratën e saj publike dhe sistemin e saj gjyqësor, ndërsa korniza e saj ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore është kryesisht në përputhje me standardet evropiane.

Sa i përket media, në Raport thuhet se vendi ka bërë progres të kufizuar në lirinë e shprehjes, ndërsa Maqedonia e Veriut gjithashtu vlerësohet për përpjekjet e saj për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Shqipëria tregon se është e vendosur në rrugën drejt BE-së

Raporti i progresit thotë se Shqipëria ka ndjekur reformat me vendosmëri, ndërsa autoritetet vazhduan të demonstrojnë angazhimin e tyre për të përparuar në rrugën e tyre të BE-së.

“Vendi ka bërë një përparim vendimtar dhe është afër përmbushjes së të gjitha kushteve për t’u përmbushur para konferencës së parë ndërqeveritare”, thuhet mes tjerash në raport.

Aty theksohet se Shqipëria ka bërë përparim të lavdërueshëm në reformën zgjedhore dhe se zbatimi i reformave të nevojshme të drejtësisë gjithashtu ka vazhduar.

Lufta e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohet me të njëjtin ton pozitiv, pasi kjo u përmend në raportet e mëparshme të progresit si një nga dobësitë kryesore të vendit. Raporti vë në dukje gjithashtu progres të mirë në fushën e zbatimit të ligjit, duke vlerësuar Shqipërinë për operacionet e fundit të suksesshme policore në shkallë të gjerë.

Raporti më tej vë në dukje se Prokuroria Speciale e vendit, si dhe organet e tjera që luftojnë korrupsionin, tani janë plotësisht funksionale.

Shqipëria gjithashtu mori vlerësime të përgjithshme pozitive në lidhje me forcimin e lirisë së shprehjes, përmirësimin e kapacitetit të saj në menaxhimin e kufirit dhe azilit, mbajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe përafrimin e legjislacionit të saj me kërkesat e BE, shkruan “DailyNews.mk”.

Kosova vuan nga politika e paqëndrueshme

Konteksti politik gjatë vitit të kaluar ka qenë i paqëndrueshëm dhe jo i favorshëm për agjendën e reformave evropiane, duke përmendur dy ndryshime të qeverisë gjatë kësaj periudhe dhe shumë ngërç politik që nga zgjedhjet e tetorit 2019 . Heqja e tarifës 100 përqind për importet e Serbisë këtë vit ishte një vendim thelbësor, vlerëson Raporti. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur  të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ekziston një farë niveli i përgatitjes për reformën e administratës publike, thuhet në raport, por sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme të përgatitjes.

Kosova është gjithashtu “në një fazë të hershme” të gatishmërisë kur bëhet fjalë për luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mali i Zi përballet me një tranzicion të brishtë

Për Malin e Zi, raporti vjen në mes të një periudhe të brishtë tranzicioni paszgjedhore pas rënies së qeverisë të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, ndërsa kishte qenë në pushtet për dekada dhe procesit të formimit të një qeverie të re.

Komisioneri i zgjerimit të BE tha se raporti do të ndihmojë qeverinë e ardhshme “me një pamje të qartë se si të përparojë rrugën e pranimit në BE dhe si të thellohen dhe përshpejtohen reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”.

Serbia mungesë në sistemin gjyqësor

Raporti i progresit për Serbinë vëren se ajo nuk ka bërë asnjë përparim kur bëhet fjalë për gjyqësorin. Reforma kushtetuese në gjyqësor u la në pritje deri pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020. Kjo vonesë ka pasoja në miratimin e legjislacionit gjyqësor përkatës që nevojitet për të rritur masat mbrojtëse për pavarësinë e gjyqësorit. Hapësira për ndikim të vazhdueshëm politik mbi gjyqësorin sipas legjislacionit aktual është një shqetësim serioz, theksohet në raport.

Ndërsa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Serbia ka arritur vetëm “përparim të kufizuar”.

Sipas raportit, Serbia bëri përparim të mirë në fusha ekonomike të tilla si ligji i ndërmarrjeve, ligji i pronës intelektuale, konkurrenca dhe shërbimet financiare. Sidoqoftë, është bërë përparim i kufizuar në prokurimet publike.

Bosnja dhe Hercegovina tregon shenja pozitive

Në muajt e fundit Bosnja ka parë disa zhvillime të para pozitive në adresimin e përparësive të saj kryesore të reformës.  Raporti thekson se nevojiten më shumë përpjekje për të adresuar të gjitha përparësitë kryesore, veçanërisht sundimin e ligjit, për të rivendosur besimin e njerëzve në sistemin gjyqësor.

Turqia vazhdon të largohet edhe më shumë nga BE-ja

Turqia mbetet një partner kryesor për BE-në për sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe kontrollit të migracionit, dhe se Turqia ka lavdrata për mbajtjen e rreth katër milion refugjatëve dhe imigrantëve nga shtetit lindjes.

Turqia ka vërejtje serioze në shtetin e së drejtës dhe lirinë e fjalës, ndërsa vlerësohet se shoqëria civile vazhdon të funksionojë nën presion, kurse goditja e fundit ndaj opozitës është gjithashtu shqetësuese.

Çfarë është procesi i zgjerimit të BE-së

Ndryshe, agjenda aktuale e zgjerimit përfshin partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Negociatat e pranimit janë hapur me Malin e Zi (2012), Serbinë (2014) dhe Turqinë (2005). Në Mars 2020, Shtetet Anëtare ranë dakord të hapnin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Bosnja dhe Hercegovina (aplikimi për t’u bashkuar me BE i paraqitur në shkurt 2016) dhe Kosova (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyri në fuqi në Prill 2016) janë kandidatë të mundshëm.

Procesi i pranimit në BE vazhdon të bazohet në kriteret e vendosura, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz, dhe parimin e meritave të veta. Anëtarësimi në BE kërkon zbatimin e reformave komplekse në një mjedis sfiduesç një objektiv i cili mund të arrihet vetëm në planin afatgjatë. Që procesi të ecë përpara, kandidatët e pranimit kanë nevojë, si çështje prioritare, të japin rezultate më shpejt të mirëfillta dhe të qëndrueshme për çështjet kryesore: sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria, të drejtat themelore, funksionimi të institucioneve demokratike dhe reformës së administratës publike, si dhe të zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës.

Progresi i mëtejshëm në pajtim, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë gjithashtu të një rëndësie thelbësore. Raportimi në paketën e zgjerimit të këtij viti gjithashtu pasqyron propozimet e qasjes së zgjeruar të procesit të pranimit. Vlerësimet dhe rekomandimet për partnerët, veçanërisht udhëzimet e ardhshme për përparësitë specifike të reformës, janë edhe më të qarta dhe më të sakta. Raportet ofrojnë një transparencë më të madhe, përfshirë gjendjen e negociatave të pranimit dhe shkallën në të cilën po zbatohen reformat themelore, shkruan “DailyNews.mk”.

Postime të ngjashme

Haxhiu flet për postet: Kurti do të jetë kryeministër

T E

Ju del “error” në numrin amë gjatë regjistrimit? Ja si ta tejkaloni pengesën

T E

Edhe Enti i Statistikave nuk kishte internet sot, tha Selami

R Zh

Ende nuk lejohet organizimi i dasmave

T E

Burri shpërthen në të qara para Infektivit: Kam nënën prej pesë ditësh brenda, s’di a ka vdekur apo është gjallë

T E

Mbërrijnë “surprizë” në Rinas 15.210 doza vaksinash Pfizer

T E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...