Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

“DailyNews.mk”: Trafikimi me emigrantë – a ka të përfshirë edhe zyrtarë shtetëror!

Zhurnal Ads

Shkruan, Agjencia e Lajmeve DailyNews.mk

Shkup, 26 tetor – Trafikimi me emigrantë është bërë problem i madh jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë Evropën. Rrjeti i trafikantëve është shumë i gjerë dhe pavarësisht bindjeve fetare dhe kombësisë, trafikantët bashkëpunojnë mes veti duke dërguar njerëz, azilkërkues nga vendet aziatike drejt Evropës perëndimore. Ballkani është pika kyçe nëpërmjet së cilës kalojnë emigrantët dhe për këtë arsye dyshimet më të mëdha janë nëse rrjeti i mafias dhe lidhjes me shtetin mund të jetë më i madh.

Vjet ishin 18.500 kalime ilegale, sivjet kapen 2700 emigrantë

Përmes aksionit “Refleks” pjesëtarë të MPB-së nga rajonet jug-veri asgjësuan dy grupe kriminale që kanë trafikuar emigrantë. Njësiti kombëtar për parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të emigrantëve përmes dy aksioneve kapi grupet me 21 anëtarë dhe tjetra me 14, të cilët ilegalisht transferuan refugjatë nga brezi gjelbër i kufirit jugor përmes territorit tonë deri në kufirin verior.

Gjatë këtij viti policia ka detektuar 88 raste të trafikimit me rreth 2,700 emigrantë. Për këto raste janë ngritur 56 kallëzime penale për 69 kryerësit e këtyre veprave. Numri i rasteve që kemi zbuluar është rritur për 54,4% për dallim nga viti i kaluar – thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Për vitin 2019, policia kishte vepruar në 57 raste duke parandaluar rreth 18.500 kalime ilegale me Serbinë.

MPB tha se kryerësit e veprave që janë kapur kryesisht janë nga rajoni i Shkupit, Likovës, Manastirit dhe Strumicës,  7 të tjerë janë të huaj, 3 nga Turqia, 2 nga Gana, 1 nga Serbia, 1 nga Kosova.

Ndërkaq, emigrantët që kapen në mënyrë ilegale përfundojnë në qendrat transitore të refugjatëve. Pas kalimit të afatit 21 ditorë, ata që refuzojnë të kthehen mbrapsht, kërkojnë azil politik ose ekonomik. Asnjëri nuk ka për qëllim të fitoj azilin në Maqedoni, thotë drejtori i kampit të azilkërkuesve në Vizbeg.

Emigrantët hyjnë në Gjevgjeli, dalin në Kumanovë

Vala e emigrantëve për në Europës nga vendet e luftës dhe të varfra të Lindjes së Mesme, Afganistani dhe Afrika ka ndryshuar muajt e fundit. Ata lëvizin tani me tokë përmes Ballkanit Perëndimor, në numër të përafërt me ata që futeshin në kontinent nga Italia. Shumica e Europës është e tronditur nga dallga e njerëzve që kërkojnë siguri, punë dhe një jetë më të mirë – por që kanë burime të kufizuara, tensione të larta etnike dhe fetare.

Rruga e re po shkakton dhe një rritje të shpejtë të ndjenjave kundër emigrantëve në Ballkan dhe Europën qendrore, duke shtuar përkrahjen për partitë nacionaliste dhe dëshirën për protesta në shumë vende.

Kriza ekonomike në Greqi, pika kryesore e zbarkimit të emigrantëve në Europë që nisen drejt Ballkanit, mund t’i frenojë përpjekjet për të kontrolluar rrjedhën duke pakësuar vëmendjen politike dhe paratë e dhëna për garantimin e kufijve të vendit. Ndryshimi i rrugës së emigrantëve u bë i dukshëm në vitet e fundit kur shumica e tyre kaluan në mënyrë të paligjshme nga Turqia në Greqi.

Disa emigrantë qëndrojnë në Greqi, por shumica vazhduan drejt veriut në Maqedoninë e Veriut e Serbi e në Hungari. Gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, përmes rrugës detare nga Libia në Itali, prej kohësh rruga më e preferuar, kaluan rreth 100 mijë emigrantë. Vitin e kaluar, 170 mijë emigrantët që u përpoqën të merrnin rrugën e Mesdheut për në Itali e tejkalonin numrin e emigrantëve që kaluan përmes Ballkanit në raport 4 me një.

Rruga e emigrantëve në Maqedoninë e Veriut është thuajse standarde. Ata futen në mënyrë të jashtëligjshme në jug të vendit, në kufirin me Greqinë dhe më pas vijojnë rrugën drejt korridorit 10, ose përgjatë hekurudhës që lidh Selanikun me Evropën. Gjatë rrugës ata bioen pre e trafikantëve, të cilët për para të majme iu premtojnë emigrantëve kalim me makinë drejt kufirit verior, për të dalë në Serbi. 

Trafikimi nëpër Ballkan është më i lirë

Emigrantët e intervistuar ditët e fundit në të dyja anët e kufirit hungarez thanë se ata kishin zgjedhur rrugën e Ballkanit sepse kushtonte më pak dhe u ishte rekomanduar nga kontrabandistët që i paguanin për t’i përcjellë në Europë. Çmimet që kishin paguar për të mbërritur kufirin hungarez ndryshonin, në varësi të nivelit të shërbimit që u jepej dhe të aftësisë së kontrabandistëve për t’u zhvatur para, nga 1000 dollarë deri në 4000 për person. Shumica kishin kaluar nga Turqia në Greqi, ose përmes kufirit të shkurtër tokësor ose me varkë.

Dhe pjesa më e madhe vazhduan drejt Maqedonisë së Veriut e Serbisë para se të arrinin në kufirin hungarez, pengesa kryesore në rrugën e tyre drejt Evropës perëndimore.

Një marrëveshje shumëpalëshe i lejoi Hungarisë t’i kthente kosovarët në Serbi, dhe deri në mes të shkurtit kjo rrjedhë njerëzore avulloi. Por kjo u zëvendësua me një numër më të madh emigrantësh nga Siria, Afganistani, Iraku, Eritrea, Somalia, dhe vende të tjera nga Lindja e Mesme dhe Afrika të përfshira në luftë ose trazira. Por askund më shumë se në Hungari nuk është shfrytëzuar kjo, ku qeveria konservatore e Viktor Orban-it, popullariteti i të cilit është në rënie, është kapur pas shqetësimit për ardhjen e emigrantëve.

Ndjenja kundër emigrantëve në Evropën Qendrore mund të jetë e frikshme për të ardhurit, por ende nuk i ka frenuar të vijnë.

A ka zyrtarë të lartë të përfshirë në trafikim!

Përveç se herë pas herë dalin njoftime të policisë se kanë kapur ndonjë polic kufitar që po trafikonte emigrantë, nuk ka ende një numër ose të dhëna se zyrtarë më të larët janë të kyçur në krim të organizuar. Ndonjë dukuri e tillë nuk është përmendur në asnjë raport të policisë, ose të agjencive ndërkombëtare evropiane.

Që shërbimet e Maqedonisë së Veriut të jenë efikase në zbulimin e krimit të organizuar në kontrabandimin e emigrantëve, më e rëndësishme është shpejtësia dhe këmbimi i pandërprerë i informacioneve.

Ekzistojnë instrumente juridike ndërkombëtare me të cilat shtetet obligohen për bashkëpunim, pjesëmarrje në hetime të përbashkëta dhe këmbime të informacioneve.

Kriminelët vazhdimisht e ndryshojnë mënyrën e veprimi dhe se format e reja të kontrabandimit nuk përfshijnë kontrabandimin e vetëm të emigrantëve, prandaj edhe shteti duhet t’i hapë sytë e të zbulojë rrugët e reja të kriminelëve.

Postime të ngjashme

Rexhepi: Koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa do të fitojë bindshëm në zgjedhjet lokale

T E

Analistët: Një bllokadë nga Sofja, vë në pikpyetje jetëgjatësinë e Qeverisë “Zaev”

XH,I

LSDM: Qeveria e udhëhequr nga Zaev ka hapur front kundër korrupsionit

XH,I
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...