Shkup, 6 shtator – Prokuroria ende nuk ka vendosur nëse do ta ankimojë vendimin e gjykatës për dënim me kusht me dy vjet burg për shoferin që shtypi me makinë një burrë dhe vrau një fëmijë të palindur. Për Alsat thonë se do të presin aktvendimin me shkrim, ndërsa nuk i komentojnë paralajmërimet e familjes së viktimës për ankesë kundër prokurorit që po merret me rastin në fjalë. Përndryshe, vazhdojnë edhe më tej reagimet e publikut për këtë rast. Avokati Zvonko Davidoviq thotë se revolta e qytetarëve për vendimet gjyqësore tregon se besimi në gjyqësor nuk është rikthyer.
Nga LSDM-ja njoftuan se përparësia e qeverisë së re është pastrimi i gjyqësorit ndërsa për ministrin e drejtësisë Bojan Mariçiq, dyshimi i qytetarëve në vendimet gjyqësore është motiv për zbatimin e reformës dhe rivendosjen e besimit. Të premten, gjykatësja Elena Ilievska Josifoviç caktoi dënim me kusht me dy vjet për shoferin e xhipit i cili në vitin 2018 goditi motorin në të cilin gjendeshin dy bashkëshortët. Goce Dimitrievski, 32 vjeçar, i cili drejtonte motorin humbi jetën ndërsa gruaja e tij shtatzënë Natasha humbi foshnjën e saj. Familja, e zhgënjyer me këtë aktvendim, paralajmëroi se do të vazhdojë luftën për drejtësi.