Shkup, 8 prill – Ambasadori Dejvid Gir, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian, do ta hap debatin e sotëm onlajn “Sfidat e barazisë gjinore në procesin e vendimmarrjes”, i cili synon të forcojë përfshirjen e grave në vendimmarrjen politike.
Organizatorët e debatit, Delegacioni i BE-së në vend, njoftojnë se në konferencë gjithashtu do të marrin pjesë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministrja e Kulturës, Irena Stefoska dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nga ministritë e tyre dikasteriale.
“Pjesëmarrja e zyrtarëve qeveritarë femra dhe meshkuj të përfshirë në procesin e vendimmarrjes ka një rëndësi të madhe për diskutimin e veprimeve konkrete që mund të ndërmerren për të përmirësuar barazinë gjinore në vendimmarrje dhe në praktikë përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor”, thanë organizatorët.
Debati është organizuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Përmes thjerrëzave të grave: Përmirësimi i politikave dhe nismave buxhetore, monitorimi i zbatimit të planeve lokale të veprimit për barazinë gjinore” dhe është ngjarja përfundimtare e fushatës së projektit nga 8 mars deri më 8 prill 2021 (Muaji i barazisë gjinore në vendimmarrje).
Projekti ka vendosur një rrjet strukturor dhe bashkëpunim me autoritetet lokale në 17 komuna (Çair, Shuto Orizare, Ilinden, Bërvenic, Tearcë, Kavadar, Negotinë, Dellçevë, Makedonska Kamenica, Gjevgjeli, Radovish, Krushevë, Krivogashtan, Strugë, Vevçanë dhe Likovë) me qëllim zhvillimin e politikave dhe buxheteve që do të plotësojnë nevojat e grave dhe burrave, veçanërisht në kohë krizash.