Shkup, 9 tetor – Dо të zbatojmë reformat e nevojshme, sado të vështira të jenë dhe nuk do të ndalemi këtu, derisa qytetarët të fillojnë t’i besojnë gjykatave në procedurat për mbrojtjen e të drejtave të tyre, deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në debatin me temë “Këshilli Gjyqësor i RSM-së – Sfidat dhe rekomandimet për sigurimin e një gjyqësori të pavarur”, organizuar nga Instituti për të Drejtat e Njeriut. Ai shtoi se për të funksionuar siç duhet, nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por është me rëndësi zbatimi tyre në praktikë.
“Nuk është gjithmonë problemi në tekstin ligjor, por në mos respektimin apo zbatimin e të njëjtit në praktikë. Vetëm duke siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij organi do të arrijmë ta kthejmë legjitimitetin, profesionalizmin dhe integritetin e Këshillit Gjyqësor, i cili duhet të jetë shembull dhe të gëzojë besimin e publikut.”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
“Për të arritur plotësisht qëllimet janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese, ndryshimet e ligjeve të caktuara, të cilat tangojnë punën e Këshillit Gjyqësor. Megjithëkëtë, duhet ndryshime edhe në vetë ligjin për gjykatat.”, – theksoi Margarita Ceca Nikolloska nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.
“Ne e dinim në këshill se na pret një punë e mundimshme. Pjesa më e madhe e rekomandimeve janë implementuar, ndërsa ato që kanë mbetur janë në proces të implementimit dhe implementimi i tyre varet ekskluzivisht nga situata e krijuar.”, – u shpreh kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
“Nevojitet një shtytje për të ndryshuar kulturën juridike, sepse parimet duhet të jenë praktikë e gjallë dhe jo fjalë deklarative.”, – theksoi kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.
Pas marrjes së 40 rekomandimeve në raportin e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian për punën e Këshillit Gjyqësor, 17 prej të cilave nuk kërkojnë ndonjë ndryshim. Këshilli Gjyqësor menjëherë ka filluar me hartimin e Planit të Veprimit, më shumë se dy të tretat e 17 rekomandimeve nga Komisioni i Vlerësimit janë zbatuar, u tha me këtë rast.