Kryetari i Partisë Demokratike ka përvijuar këtë të premte debatin në lidhje me mungesën e tamponëve për Covid në Shqipëri, duke lexuar një mesazh të ardhur nga një qytetar nga Korça.
Basha: Po ju lexoj një mesazh, para dy ditëve më ka ardhur pas konferencës bashkë: ‘Z/kryetar unë që po ju shkruaj jam (emri i plotë), kemi dy javë pozitivë. Jemi të regjistruar në Spitalin Infektiv të Korçës. Rezultatin e morëm pas 8 ditësh. Na erdhi Policia që mos na linte të dilnim jashtë. Dje duhet të kishim bërë tamponin tjetër, na thanë nuk tampona, madje ka mundësi mos bëhet fare tamponi i dytë. Mjekët janë të mrekullueshëm, por spitalet janë si kazerma ushtrie. S’ka kushte.’
Lideri i opozitës hodhi akuza të forta në drejtim të Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila ditën e djeshme në kuvend tha se nëse masat anti-covid nuk respektohen, atëherë në spitale duhet zgjedhur se kush do të marrë e kush jo frymëmarrje të orientuar (pajisje oksigjeni për pacientët).
“E dëgjuat ministren e Shëndetësisë që tha do zgjedhim kush do trajtohet e kush nuk do marrë trajtim, e dëgjuan të gjithë tek e tha me zë e figurë do zgjedhim kush do trajtohet e kush jo. Pse?
Pse kemi ardhur në këtë pikë? Se paratë që duhet të shkonin për të trajtuat të gjithë të sëmurët me Covid, i kanë vjedhur, kjo eshtë e vërteta. Kush ia jep të drejtën Ramës e kukullave të tij të vendosin kush duhet të marrë trajtim ose jo? Krim më të rëndë se ky a mund të ketë ndaj qytetarëve? Me fjalë të tjera do zgjedhin kush do jetojë e kush do vdesë. Kush ia jep të drejtën Edi Ramës të zgjedhë kush do të jetojë e kush do të vdesë?”
Kujtojmë se Basha u përplas me Ramën në lidhje me tamponët për Covid. Basha dje publikoi një mesazh nga Durrësi nga ana e një mjeku, (siç tha kryetari i PD-së) i cili thoshte se në qytet nuk kishte tamponë.